Ekspozita “Në Lindje, lufta pa fund 1918-1923” hapet në Muzeun Historik Kombëtar.
Ekspozita “Në Lindje, lufta pa fund 1918-1923” hapet në Muzeun Historik Kombëtar
20 NËNTOR 2020
Ekspozita “Në Lindje, lufta pa fund 1918-1923” u çel në Muzeun Historik Kombëtar. Ekspozita u hap në MHK në bashkëpunim me Ambasadën Franceze, në vendin tonë. Po dje u bë dhe promovimi i librit “Shqipëria në reportazhet e Robert Vaucher”, një botim i shtëpisë botuese “Papirus”, me financimin e Ministrisë Franceze të Europës dhe të Punëve të Jashtme. Në kontekstin e rindërtimit të Evropës Lindore dhe të Lindjes së Afërt, duke u interesuar për historinë e një hapësire gjeografike pak të njohur në Francë, ekspozita “Në Lindje, lufta pa fund 1918-1923” përshkruan zëvendësimin e vështirë, gjatë kësaj periudhe, të perandorive të vjetra nga shtetet e reja kombe, shoqëruar me ndryshime të rëndësishme kufijsh, sidomos nëpërmjet konflikteve të ndryshme, revolucioneve dhe kundër-revolucioneve. Ekspozita ka për qëllim të tregojë se si në këto rajone të trazuara, Franca, që ka rifituar epërsinë e saj ushtarake, përpiqet, jo pa vështirësi, me diplomatët, ushtarakët dhe aleatët e saj, të krijojë një rend të ri evropian.
Ambasadorja e Francës në Shqipëri në referencën e saj u vuri theksin tek bashkëpunimet e vazhdueshme te suksesshme ndërmjet dy shteteve tona. “Do doja t’ju falenderoja për mbështetjen e bashkëpunimeve të vazhdueshme që keni treguar duke uruar të vazhdojnë të jenë po kaq të suksesshme edhe në të ardhmen”, u shpreh ajo. E pranishme në hapjen e kësaj ekspozite, ministrja Elva Margariti u shpreh se muaji nëntor nuk mund të kuptohet pa këto lloj aktivitetesh në hapësirat e Muzeut Historik Kombëtar. “Ekspozita që po hapim sot për të cilën falenderoj pa masë Ambasadën Franceze një nga partnerët tanë më të mëdhenj mbështetës për të gjitha aktivitetet tona do na ofrojë një panoramë të gjerë të viteve 1918-1923 të dokumentuara në fotografi e pamje të ndryshme. Libri që po promovohet gjithashtu është i një rëndësie të veçantë historike në ditët e sotme”, tha Margariti. Në kuadër të promovimit të librit në fjalën e tij drejtori i Muzeut Historik Kombëtar tha se libri “Shqipëria në reportazhet e gazetarit Robert Voutre” hap gjerësisht rrugën për një histori sociale të ballafaqimit të kulturave dhe mentaliteteve shtetformuese gjatë Luftës së Parë Botërore në Shqipëri.
Gazeta Sot