Ekspozite: ILIR BALA -“BALLO ME MASKA”

(Galeria FAB: Universiteti i Arteve, Tiranë, Rr. I. Rrugova, nr. 22

Orari: 10:00 – 13:00 dhe 18.00- 20:00)
– Shkruar nga: Dr. Dashamir Vaqarri*

Veprat në ekspozitën e artistit Ilir Bala trajtojnë tema, problematika dhe fragmente të jetës së përditshme.

Piktura e tij përgjithësisht përqëndrohet në përshkrimin ikonografik te figurës njerëzore, ilustruar me përshtatjen e tij mjedisore.

Ai paraqet idenë e ndryshimit të fytyrave me maska që shkrihen në portrete dhe marrin elementë të ndryshëm të formës dhe madhësisë. Nëpërmjet kësaj stilistike ai shpalos një sërë personazhesh të ndryshëm të pranishëm në shoqërinë e

përditshme shqiptare si në një shfaqje teatrale.

Ilir Bala “BALLO ME MASKA” Ekspozite

Maskat janë përdorur nga artistë të ndryshëm në veprat e tyre, veçanërisht në dekadat e para të shekullit të 20-të, nga

artistë të tillë si Picasso, Matisse dhe Derain duke i vendosur ato në mënyrë teatrale si një metaforë groteske për të ironizuar aspektet ekonomike dhe social-kulturore të shoqërisë gjatë kësaj periudhe.

Në veprën e Balës, portretet maska janë të stilizuara, të larmishme dhe karakterizohen nga një tendencë shprehëse që ndoshtamund të simbolizojë deri ne kufijtë e groteskut “Njeriun e ri Socialist”, të krijuar nga dritëhijet e regjimit komunist në Shqipëri.

Të portretizuara si një maskim i realitetit, ato mund të shfaqen edhe si një lojë misterioze ku rikrijojnë maskaradën teatrale të tragjikomedisë që hasim në çdo qelizë të shoqërisë. 

Procesi artistik i Balës në përdorimin e ngjyrës dhe trajtimin energjik të goditjeve të penelit na krijon një ndjesi se artisti e përzjen ngjyrën drejtpërdrejt në telajo, duke shmangur përdorimin e saj fillestar në paleta. Këto penelata të guximshme përcjellin gjëndjen emocionale të artistit duke ekzagjëruar dhe shtrëmbëruar rrënjësisht imazhin real.

Vepra e Balës përcjell ide novatore përmes argëtimit dhe lirisë në kompozim dhe ka potencialin të ndryshojë mënyrën se si ne perceptojmë, mendojmë, interpretojmë dhe shohim botën përreth nesh përmes imazheve të tij vizuale.

Artisti nuk tërhiqet nga një disiplinë dhe konformitet, por ka një liri natyrore gati “fëminore”.

Me vetëdije dhe me një qëllim të caktuar, Bala shpërfill çdo element bazë të perspektivës, duke theksuar dhe evokuar zhurmën kaotike të përditshme urbane dhe sociale që përjetojmë çdo ditë.

Ilir Bala “BALLO ME MASKA” Ekspozite

Nëpërmjet këtij procesi artistik, Bala evokon dhe thekson deformimin social dhe kulturor të shoqërisë së globalizmit konsumist. Çelësii lidhjes së artistit me audiencën dhe rrethet artistike është se nëpërmjet artit të tij ai gjithmonë zbulon, eksperimenton, krijon imazhe vizuale duke marrë informacionin e duhur dhe duke e përdorur atë në mënyrë produktive për qëllimin e tij në temat aktuale të shoqërisë shqiptare.

*Dr. Dashamir Vaqarri – Studiues në Universitetin e Derby, Mbretëria e Bashkuar.

Artist, Historian Arti dhe Konsulent i Arteve Pamore