Ekspozitë në FAB me vepra të përzgjedhura nga fondi i Galerisë Kombëtare të Arteve
25 Korrik 2024
”Reflektim mbi pasqyrimin vibrues të artit shqiptar në shekullin XX”, titullohet ekspozita e realizuar me vepra të zgjedhura nga fondi i GKA, si pjesë e programit me ekspozita lëvizëse ‘‘Psikologjia shqiptare në artet pamore‘‘.
Ekspozita e mbështetur nga Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, ka si drejtues projekti Olsi Laskën dhe kurohet nga Suzana Varvarica.
Ajo përmbledh një shumësi trajtash, stilesh dhe formash me reminishencë në të tashmen dhe dritë-hije për të ardhmen.
Ministri Blendi Gonxhja shprehet se ekspozita “ju fton të reflektoni mbi atmosferën e imazheve reale dhe irreale, tematikave, personazheve dhe hulumtimeve pamore që kanë shënjuar kalvarin e një shekulli të mundimshëm”.
“Duke kaluar epokat, ky pavilion na zhyt në të kaluarën tonë kolektive, ndalet në zgjimin e fillimnjëzetës, udhëton në përgjumjen e realizmit socialist, dhe takon format e trajtësuara të artit figurativ tronditës. Një shumësi trajtash, stilesh dhe formash me reminishencë në të tashmen dhe dritë-hije për të ardhmen.”, theksoi ai.
“Përjetoni këtë bashkëbisedim figurativ, që përçon fuqinë unike të artit dhe na fton të përqafojmë vlerat e jashtëzakonshme të shoqërisë shqiptare, duke i mbarsur ato në kohën moderne”, shprehet Gonxhja duke ftuar qytetarët për të parë nga afër këtë ekspozitë e cila do të qëndrojë e hapur deri më 15 gusht