Ekspozitë personale virtuale “Riatdhesimi / Repatriation” e artistës Agata Çetta

Artefaktet arkeologjike që janë gjetur në territorin e Republikës së Kosovës datojnë qysh prej periudhës parahistorike. Ato janë dëshmi e trashëgimisë tonë shumë të pasur kulturore.

Janë 1243 eksponate arkeologjike dhe etnografike nga Kosova që mbahen në Muzeun Etnografik dhe Muzeun Kombëtar në Beograd. Koleksioni arkeologjik përmbanë objekte prej periudhës së neolitit, metaleve, antikitetit dhe mesjetës duke përfshirë dokumentimin e këtij thesari.

Në vitin 1993, me iniciativen e galerisë së Akademisë së Shkencave dhe të Arteve në Beograd, është marrë një vendim për prezentimin e një numri të artefakteve arkeologjike dhe objekteve etnologjike nga Muzeu i Kosovës në një ekspozitë të përkohshme në Beograd e më pas këto objekte të rikthehen në Prishtinë. Pas selektimit, në vitin 1997, thesari me objekte të trashëgimisë kulturore të Kosovës, fillon të bartet nga Muzeu i Kosovës. Ekspozita u prezentua në Beograd në vitin 1999, por pas përfundimit te ekspozitës objektet nuk janë kthyer më asnjëherë në Prishtinë, ato vazhdojnë të mbahen në Beograd.

Sot Muzeut të Kosovës i mungojnë rreth 2000 objekte materiale, artefakte këto të gjetura nga i gjithë territori i Kosovës. Përkundër përpjekjeve për minimalizimin e vlerës së këtyre objekteve, këto janë një thesar i paçmueshëm dhe i rëndësisë primare, që e vendosë Kosovën në kontekst dhe e lidhë me të kaluaren e sajë deri në neolit.

Agata Çetta

Rikthimi i trashëgimisë nuk është procedurë që bartet nga individët, e as nga organizatat kulturore. Iniciativat për kthimin e objekteve të trashgimisë kanë qenë të pakta, ku ka munguar çasja konsistente nga institucionet e Kosovës, e si pasojë, edhe pas më shumë se 20 vitesh, kjo çështje ka mbetur e pazgjidhur.

Riatëdhesimi i artefakteve arkeologjike dhe objekteve etnografike ka rëndësi kyçe për të tashmën dhe të ardhmën e Kosovës. Ky koleksion përmban kryevepra, objekte të pazavedësushme që japin një pasqyrë të kulturës nga perspektiva historike. Ndër eksponatet e huazuara përfshihen objekte religjioze, shpirtërore, arti, etnologjie, zejtarie dhe nga jeta e përditshme. Prezenca e këtyre objekteve në vendin e origjinës përveç që është e drejtë ligjore si pronar legjitim, ka të bëjë me zotërimin e të kaluarës, integritetin e identitetit dhe mbi të gjitha me simbolikën shpirtërore për qytetarët e Kosovës.

  

Si qytetare edhe si artiste e kam përgjegjësi te jap kontribut për thirrje të gjerë publike në lidhje me këtë çështje. Në kuadër të programit të Muzeut të Kosovës, me rastin e shënimit të “Ditës Ndërkombëtare të Muzeut” prezentoj në formë virtuale ekspoziten personale “Riatdhesimi”. Në koleksionin prej 9 pjatave nga argjila i kam paraqitë motivet më reprezentuese nga eksponatet në ekzil. Natyra virtuale e ekspozitës ndihmon që të shfrytëzohen avantazhet e teknologjisë për një përhapje të gjerë në publik, duke pasë parasysh prezencën e madhe në rrjetet sociale të të gjitha sferave të shoqërisë. Shpresoj të jetë kjo një përpjekje në mesin e shumë të tjerave si individ dhe si grup për avancim drejt këtij qellimi.