Ekspozohen në Bibliotekën Kombëtare rreth 600 libra dhe harta origjinale të shtypura në Venecia mes viteve 1400-1800
23 Tetor 2024
Nga Julia Vrapi
Ekspozita “Koleksionet Veneciane në Bibliotekën Kombëtare të Shqipërisë” prezanton rreth 600 libra dhe harta origjinale të shtypura në Venecia mes viteve 1400-1800. Një ekspozitë e veçantë që u çel një ditë më parë në Bibliotekën Kombëtare, ku pjesa më e madhe e materialeve ekspozohen për herë të parë. Ekspozita u çel me pjesëmarrjen e personaliteteve të rëndësishme në fushën e historisë, gjuhësisë, letërsisë, etj, si dhe përfaqësive diplomatike në vendin tonë.
Ekspozita është kuruar nën kujdesin e kuratores shkencore znj. Elisabetta Sciarra, drejtoreshë e Bibliotekës Kombëtare Qendrore të Firences, një prej bibliotekave më prestigjioze dhe më të vjetra në Europë. Kjo ekspozitë, e cila u çel nga z. Piro Misha – drejtor i Bibliotekës Kombëtare të Shqipërisë, dhe nga z. Alessandro Ruggera – drejtor i Institutit Italian të Kulturës, u përshëndet edhe nga znj. Lira Pipa – zv/ministre e Ministrisë së Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, z. Andi Seferi – n/kryetar i Bashkisë Tiranë. Biblioteka shprehet se ekspozita u nderua, gjithashtu, me praninë e kuratores shkencore znj. Elisabetta Sciarra.
“Në këtë ekspozitë, e cila është një ndër më të mëdhatë e, njëkohësisht, më të rëndësishmet të organizuara nga BKSH-ja, ekspozohen rreth 600 libra dhe harta origjinale të shtypura në Venecia, mes viteve 1400-1800. Pjesa më e madhe e tyre ekspozohen për herë të parë në publik”, thuhet nga biblioteka. Ekspozita “Koleksionet Veneciane në Bibliotekën Kombëtare të Shqipërisë” u çel nga Biblioteka Kombëtare në bashkëpunim me Institutin Italian të Kulturës dhe do të qëndrojë deri më 4 nëntor për publikun.
Një ndër ekspozitat më të mëdha
Kjo ekspozitë është një ndër më të mëdhatë e më të rëndësishmet organizuar nga Biblioteka Kombëtare dhe që ndahet në disa seksione. Seksioni i parë, i kushtohet historisë së Venecias, si një prej qendrave më të rëndësishme të Rilindjes Europiane, e cila në periudhën mes viteve 1400 dhe fundit të viteve 1700, ishte qendra e shtypshkrimit në Europë. Në këtë seksion prezantohen mjaft prej këtyre veprave, të botuara prej tipografëve dhe botuesve më të famshëm, si: Paolo Manuzio, Bernardino Benali, Girolamo Albrizzi, etj.
Seksioni i dytë, i kushtohet Shqipërisë dhe Greqisë, vende këto ku Venediku pati një ndikim të madh për disa shekuj me radhë. Në këtë seksion prezantohen disa prej dëshmive të para të shqipes së shkruar, si ato të Buzukut e të Bogdanit. Venecia ishte po ashtu vendi ku u botuan një numër i madh veprash kushtuar Skënderbeut, apo historisë së Shqipërisë, duke nisur që nga ato të Barletit, Marin Biçikemit, Dhimitër Frangut etj. Seksioni përmban edhe një numër hartash origjinale të Shqipërisë dhe të qyteteve shqiptare.
Në këtë ekspozitë një seksion i veçantë i kushtohet librave që kanë për temë raportet e Venedikut me Orientin, ku një vend të dukshëm zënë luftërat kundër Perandorisë Osmane. Një seksion tjetër i kushtohet venecianëve si udhëtarë e gjeografë. Ekspozita që do të jetë hapur deri më 4 nëntor për publikun është në vijim dhe të tjera ekspozitave që janë pjesë e aktivitetit të Bibliotekës Kombëtare.