Ekspozohet në muzeun e Fierit lundra (varka) prej pishe e vitit 1872
23 Qershor 2022
Pesë metra e gjatë dhe gjerësi 55 cm, një lundër me origjinë mbi 150 vjeçare sot është ekspozuar në pavijonin e etnografisë në Muzeun Historik të Fierit.
Unike në llojin e saj, varkë me dru pishe i përket zonës së Semanit, aty ku dhe është ndërtuar rreth vitit 1872, ndërsa prej vitit 1978 është pjesë e inventarit të muzeut.“Me orgjinë është nga zona e Semanit , e cila shtrihet në Myzeqenë perëndimore dhe përshihet nga ajo që quhet Myzeqeja e vogël, që shtrihet mes lumit Seman në Veri dhe lumit Vjosë në Jug”, tha drejtori i Muzeut Historike Fier, historiani, Ilirjan Gjika.
Për drejtorin e Muzeut historik në Fier, Ilirjan Gjika objekte të tilla kanë një vlerë të çmuar me rëndësi historike, pasi janë ekzemplarë të rrallë në të gjithë hapësirën mueologjike në Shqipëri.
E ndarë në pesë pavijone sipas periudhave historike, Muzeu i Fierit është hapur në 18 korrik 1978 dhe prej atëherë në të ruhen objekte artefakte dhe vepra arti me rëndësi arkeologjike, kulturore dhe etnografike.
Gazeta Dita