Ekstradimi i të burgosurve nga Anglia, Shqipëria nuk ka kapacitet, presim vetëm 105 të burgosur

13 Dhjetor 2021

1500 shqiptarë që vuajnë dënimin me burgjet britanike sipas marrëveshjes dypalëshe, janë subjekt transferimi,  por vetëm 105 është kapaciteti i vendeve të lira në Shqipëri për individët e burgosur.

Në këtë aspekt Shqipëria nuk mund ta mbulojë këtë marrëveshje, por zëvendës ministrja e Drejtësisë në komisionin për politikën e jashtme dhe atë të sigurisë kombëtare u shpreh se transferimi mund të kryhet vetëm sipas plotësimit të kushteve specifike që marrëveshja parashikon.

“Duhet të plotësohet kriteri i shtetësisë, e dyta personi i dënuar jep pëlqimin për tu transferuar, e treta do duhet të respektohet parimi i reciprocitetit. Vendimi duhet të jetë i formës së prerë duhen uk dueht të ketë asnjë procedim penal që është duke u zhvilluar në vendin i cili synon që të transferohet.”

Sipas deputetit demokrat Tomorr Alizoti kjo marrëveshje penalizon Shqipërinë, pasi 500 euro është kostoja mujore e një të burgosuri në vendin tonë, vlerë e cila me shtimin e numrit të të burgosurve si pasojë e transferimit është e papërballueshme dhe jo e drejtë.

“Përveç detyrimeve ndërkombëtare çfarë fitojmë ne në këtë marrëveshje? Për një vend të varfër 500 euro janë njerëz që janë të lirë dhe nuk i arrijnë dot. Pse duhet ta pranojmë ne këtë gjë? Për të kënaqur britanikët?”

Përshtatja e dënimit për të burgosurin sipas legjislacionit të shtetit transferues është një çështje e cila mbetet problematike, pasi ligji parashikon kohë të ndryshme dënimi për vepra penale të kryera në shtetet përkatëse.

Zëvendës ministrja u shpreh se në këto raste çështja do të rivlerësohet nga Gjykata.

“Ne kemi parashikuar një tabelë që është indikative për Gjykatat sepse do duhet ta përshtatim dënimin kur dënimi maksimal në Britani është më i madhe se dënimi maksimal në Shqipëri.”

Pavarësisht votës pro ekstradimit te shqiptareve të burgosur në Britaninë e Madhe, sipas deputeteve në të dy komisionet kjo marrëveshje rrit marrëdhënien midis dy vendeve, por nuk ndihmon në rehabilitimin e të dënuarve.

Nga OraNews