Ekstremistët grekë mblidhen në Bularat, rikthejnë tezat e Vorio-Epirit. –
Ekstremistët grekë mblidhen në Bularat, rikthejnë tezat e Vorio-Epirit
Maji, 17, 2018.
-Në tubim është shpalosur edhe flamuri i Vorio Epirit.
Në Bularat të Dropullit gjatë fundjavës së shkuar përfaqësues të qarqeve ekstremiste greke si dhe anëtarë të organizatës Lëvizja për Ringjalljen e Vorio Epirit, kanë zhvilluar aktivitete në përkujtim të Protokollit të Korfuzit, të vitit 1914, duke risjellë në vëmendje tezat e autonomisë së Vorio Epirit.
Në tubim është shpalosur edhe flamuri i Vorio Epirit, ndërsa organizatori Mondi Kolila, emigrant shqiptar në Greqi tha se çështja e Vorio Epirit është më e ndjeshme se kurrë, 104 vjet pas vendimit të Protokollit të Korfuzit, raporton Top Channel.
Kreu i bashkisë së Dropullit, Arqile Deçka që i ishte i ftuar në aktivitet, thotë se nuk ka pasur dijeni për përmbajtjen e ceremonisë dhe se është distancuar e larguar sapo është njohur me qëllimet e saj. Ai mohon që ky aktivitet t jetë organizim i bashkisë.
“Si kryetar i bashkisë Bularat, u informova dhe u ftova, por lur e mora vesh për çfarë bëhej fjalë dhe u distancova. Kishin ardhur 10-15 përfaqësues nga Greqia, ndërsa ishin ftuar edhe nxënës shkollash dhe punonjës administrate, por nuk shkuan. Nga institucioni i bashkisë nuk mori pjesë askush”, deklaroi për Top Channel kreu i bashkisë Bularat, Arqile Deçka.
Tubimi u mbajt në qendrën e fshatit Bularat, shumë pranë shkollës së mesme, krah monumentit të rezistencës ndaj regjimit komunist dhe mësuesve martirë të periudhës mes viteve 1944-1990.
Megjithëse bashkia mohoi që anëtarë të saj të kenë mbështetur aktivitetin, në videon e shpërndarë online duken disa figura lokale publike, përfshirë edhe një punonjës bashkie.
Gjatë aktivitetit u bënë deklarata të ashpra kundër qeverisë shqiptare, duke e akuzuar për mosnjohjen e identitetit etnik dhe mohimin e të drejtave të grekëve në zona si Përmeti, Himara apo Korça.
a.s/dita