
Elektricistja koleksioniste… – Historia e gruas me një profesion të pazakontë, ruante gjithçka që fëmijë
5 Mars 2025
Të gjithë e njohin Adrianën, gruan elektriciste që jeton në fshatin Psar të Kolonjës edhe për faktin sepse ushtronte një profesion të pazakontë, por ajo është shumëdimensionale.
63-vjeçarja, shpesh është konsideruar si një grua heroinë për historinë e saj të jetës. E lindur në Tiranë dhe e rritur në shtëpinë e fëmijës në Sarandë mes shumë vështirësish dhe pa kujdesin prindëror, ajo nuk e humbi kurrë veten dhe ja doli të ndërtojë një jetë të lumtur.
Tashmë pensioniste por me plot energji, Adriana zbulon një tjetër pasion të sajin, atë të koleksionimit të objekteve dhe sendeve të vjetra. Adriana që fëmijë nisi të ruante gjithçka mundej e më pas teksa shihte gjera të cilat për dikë ishin të panevojshme ajo nisi ti mbledhë dhe ti koleksionojë.
Sende dhe objekte që datojnë nga viti 1910, të cilat ajo i ka mbledhur në zonën e Kolonjës dhe i ruan si një thesar gjenden të vendosura me kujdes në çdo pjesë të banesës së saj.
Koleksioni i pasur me qindra elementë përmban nga enët e vjetra, opingat, veglat e punës, radiot e gjithçka tjetër të cilat ajo jo vetëm është kujdesur t’i mbajë për vite me radhë por edhe tu mësojë historinë aq sa të krijon idenë se në shtëpinë e Adrianës mund të bëhet një udhëtim në kohë.
Vullnetin, pasionin dhe dashurinë për të pasuruar koleksionin e saj Adriana i ka ende si ditën e parë kur nisi të mbledhë objektet e para. Pavarësisht se në këtë koleksion jo të gjitha objektet kanë rëndësi të veçantë, Adriana thotë se në një kohë tjetër do të marrin vlerat e tyre.