EMA dha dritën jeshile, tre shtetet e para që do të rinisin përdorimin e vaksinave të AstraZenecas

18 MARS 2021

Pas njoftimit të Agjencisë Evropiane të Barnave se nuk ka asnjë provë që vaksina AstraZeneca shkakton mpiksje të gjakut, Italia,Letonia dhe Lituania, ndër shtetet që e kishin pezulluar injektimin e kësaj vaksine në popullatë, do të rinisin procesin e vaksinimit.

Letonia dhe Lituania do të rinisin të premten përdorimin e vaksinave kundër koronavirusit, të kompanisë AstraZeneca, kanë njoftuar ministritë e Shëndetësisë të të dyja vendeve.

Po ashtu, kryeministri italian Mario Draghi, tha se fushata  e vaksinimit me AstraZeneca do të rifillojë të premten.

Komiteti i sigurisë së Agjencisë Europiane të Barnave deklaroi në mbledhjen e tij urgjente për vaksinën e AstraZeneca se ajo është e sigurt, e efektshme dhe përfitimet janë më të mëdha se rreziqet.

Më herët, edhe Organizata Botërore e Shëndetësisë kërkoi që procesi i vaksinimit me AstraZeneca të vijojë.

Gazeta Shqip