EMA pranon se mpiksja e gjakut te të rinjtë është… Qeveria nuk tërhiqet, pas mësuesve, “AstraZeneca” edhe për farmacistët!
8 prill 2021
Ndërkohë që rritet lista e vendeve që kufizojnë përdorimin e vaksinës “AstraZeneca”, qeveria, e papërditësuar me të dhënat e fundit shkencore e madje as me Agjencinë Europiane të Barnave, që dha sinjale që të martën për lidhjen e vaksinës me mpiksjet e gjakut, vendos t’ua injektojë dozat që ka farmacistëve.
Nga ana tjetër, janë mbi 30 mijë mësues e pedagogë që kanë kryer dozën e parë, për të cilët nuk ka asnjë vendim se si do të procedohet më tej.
FLASIN AUTORITETET
Një ditë pas prononcimit të zyrtarit të lartë të saj, dje ka folur drejtoresha ekzekutive e EMA-s, duke ripërsëritur se “përfitimet i tejkalojnë rreziqet”, por duke saktësuar se ka zbuluar lidhjen mes rasteve me mpiksje gjaku pas marrjes së vaksinës dhe ato ishin të rralla. “Komiteti i sigurisë, pas një analize të thellë, doli në konkluzionin se rastet e raportuara me mpiksje të pazakontë të gjakut pas vaksinimit me ‘AstraZeneca’ duhet të listohen si efekt i mundshëm anësor”, bëri me dije Emer Cooke, drejtoreshë ekzekutive në Agjencinë Europiane të Barnave.
Shumica e rasteve të raportuara me trombozë, sipas Cooke, kanë ndodhur në gra nën 60 vjeç, deri në dy javë pas marrjes së vaksinës. Kështu, pasditen e djeshme EMA arriti në përfundimin se “mpiksjet e pazakonta me trombocite të ulëta të gjakut duhet të renditen si efekte anësore shumë të rralla” të vaksinës. Ekspertët kishin sugjeruar më herët që shtrirja në moshën nën 50 vjeç duhet gjithashtu të ndalet, mes frikës nga efektet anësore të pazakonta, por shqetësimi është kryesisht për njerëzit në moshë më të re. Organizata Botërore e Shëndetësisë është e vetmja që këmbëngul se nuk ka asnjë lidhje midis vaksinës dhe mpiksjes së gjakut, ndërsa ekspertët e saj u bëjnë thirrje njerëzve që t’i injektojnë vaksinat. Por nga ana tjetër, ekspertët e saj do të ndërmarrin një vlerësim shtesë, pas dyshimeve të reja. Të martën Universiteti i Oksfordit ndali provat e vaksinës mbi fëmijë dhe adoleshentë, ndërkohë që ka nisur një hetim për t’u siguruar që vaksina është plotësisht e sigurt para se të rifillojnë provat. Më shumë se 31.6 milionë të rritur tani kanë bërë vaksinën e tyre Covid në Britani.
KUFIZIMET E REJA
Rregullatori Britanik i Barnave, pikërisht në vendin ku prodhohet vaksina e Oksfordit (“AstraZeneca”) ka vendosur të ulë kufirin moshor të injektimit të kësaj doze nga frika e mpiksjeve të rralla të gjakut. Sipas tyre, personat nën 30 vjeç duhet të marrin një tjetër vaksinë. “Dy burime na thanë që, megjithëse të dhënat nuk janë ende të qarta, ka argumente në rritje që do të justifikonin ofrimin e një vaksine tjetër ndaj grupeve të moshave më të reja, të paktën nën 30 vjeç”, raportojnë mediat britanike. Ky vendim erdhi pasi në fund të muajit mars zbuluan që 79 qytetarë të vaksinuar me “AstraZeneca” përjetuan mpiksje gjaku, 19 prej të cilëve humbën jetën. Ndërsa nënsekretari italian i shëndetësisë, Pierpaolo Sileri, nuk përjashton mundësinë që EMA të vendosë kufizime në kategori të caktuara në lidhje me përdorimin e kësaj vaksine.
Gazeta Panorama