Emërimi i prokurorëve të rinj – Shkolla e Magjistraturës po hetohet nga SPAK. Bazaj: – Të pezullohet procesi! – KLP e hedh poshtë kërkesën
11 Qershor 2024
Këshilli i Lartë i Prokurorisë zhvilloi sot mbledhjen e radhës, mbledhje e cila është e para që drejtohet nga Mirela Bogdani, pas marrjes së detyrës.
Në rendin e ditës përfshiheshin verifikimi i pasurisë së disa kandidatëve të dalë fitues nga provimi i fundit i Magjistraturës, të cilët ishin gati për emërimin e tyre si prokurorë.
Tartar Bazaj kërkoi shtyrjen e procedurës me arsyetimin se Prokuroria e Përgjithshme ka nisur hetimet në lidhje me shkeljet që janë bërë në shkollën e “Magjistraturës”.
Kjo kërkesë është hedhur poshtë nga Këshilli i Lartë i Prokurorisë.
Pjesë nga debati:
Bazaj: Në dijeninë time është bërë një kallëzim penal në SPAK dhe di që BKH-ja ka nisur të bëjë verifikimet. Kjo nuk është pjesa jonë, por është një çështje që flitet për një skandal. Unë nuk do ta dëshiroja kurrë të ishte e tillë, por është anatemuar drejtori i shkollës së Magjistraturës, pa diskutuar personalitetin e tij sepse nuk dua të them që ai ka qenë Prokuror i Përgjithshëm i shkarkuar nga Parlamenti, por diskutohet një çështje shumë e nxehtë.
Arta Mandro: Unë vij nga Shkolla e Magjistraturës dhe nuk mund të jem indiferente për një shqetësim të shtruar nga zoti Bazaj. Garantoj me bindjen time të plotë që gjëra të tilla nuk ndodhin kurrë në shkollën e Magjistraturës dhe unë jam dëshmitare e gjithë seriozitetit të atij institucioni duke filluar edhe me njerëzit tanë të afërt dhe lus që kjo kakofoni të mos bëhet objekt abuzimi. Mendoj që është e rëndësishme për ne që jemi pjesë e këtij institucioni.