Joana artin me qelq, e mësoi duke parë të atin, artistin Vasil Dhiamandi (piktor) që punon në vitrazh…

“Pikërisht fakti që im at ka këmbëngulur dhe ka rezistuar përmes artit më jep forcën që të vazhdoj dhe unë, por duke u orientuar tek instalacioni, arti arkitektonik dhe mjedisi i brendshëm, interieri,  dhe mënyrës se si qelqi mund të jetë i përdorshëm në përditshmëri”, tregon artistja dhe arkitektja Joana Dhiamandi.

Përfaqësojnë dy gjenerata artistësh. Babë e bijë punojnë në një studio duke shkëmbyer ide e eksperienca.“Përfaqësojmë dy skaje të ndryshme të po të së njëjtës gjë, pavarësisht se të dy ndjekim teknika të ndryshme, mbërrijmë po në të njëjtën pikë”, shton ajo.

E ka ndjekur dhe në përgatitjen e ekspozitës së dytë personale, me të cilën ka dashur të nxisë reflektimin për riciklimin e qelqit. ‘Darka e parë’,e kuruar nga artisti Sead Kazanxhiu, zë vend në hapësirën e Parking Art Gallery pranë Komunitetit për Pakicat Kombëtare në Tiranë.“ ‘Darka e parë’ është një ftesë që njerëzit të reflektojnë të vijnë dhe të reflektojnë! Pse jo të sjellin dhe vetë shishet e tyre dhe të eksperimentojnë në studio, të zbulojnë në studio artistin që është brenda tyre”, shprehet artista që krijon me qelqin.

Nga mbledhja e shisheve tek transformimi i tyre, Joana ka përdorur teknikën e nxehtë.“Në teknikën e nxehtë kemi përdorimin e temperaturës së mesme, pra është momenti i parë kur xhami fillon të lëngëzohet, pa u deformuar”.

Rikthehet në origjinë të krijimit të qelqit, prej rërës në temperatura të larta, , dhe e shndërron hapësirën e galerisë në në një mjedis natyror, ku shishet janë shndërruar në fosile, gjethe, gjallesa…“Kemi marrë shishet dhe kemi transformuar jo vetëm formën por edhe përmbajtjen”, shprehet më tej.

Jo vetëm art përmes formave organike e abstrakte, por edhe objekte funksionale siç janë në tryezën e ‘Darkës së parë’.“Si në rastin e tavolinës. Ne kemi krijuar disa objekte të përdorimit të përditshëm. Ne i shërbejmë publikut me një element si liko që është tipike e origjinës sime (Përmeti)”, thotë ajo.

Arti i saj harmonizohet natyrshëm edhe me profesionin e saj si arkitekte e dizajnit të brendshëm.“Gjithmonë kanë qenë të lidhura për mua. Nuk e konsideroj dot hapësirën e brendshme pa art… është ushqimi shpirtëror. Njerëzit mendojnë se është luks, unë mendoj se është nevojë biologjike”, tregon më tej.

Ndonëse arti në qelq i Dhiamandëve kërkohet edhe jashtë, ata u rikthyen 15 vjet më parë nga emigracioni në Greqi, një zgjedhje që Joana vijon ta përkrahë pavarësisht vështirësive.“Numëroj 15 vjet që jam kthyer nga Greqia. Shqipëria ka shumë sfida, por çdo vend ka sfidat e veta. Çështja është se sa është i gatshëm të bëjë secili nga ne. Të jesh i pasur është e vështirë, po ashtu të jesh i pasur, unë zgjodha këtë lloj sfide dhe nuk jam bërë pishman”, thotë ajo.

Gazeta Shqiptarja.com