Emigrantët në Ohajo reagojnë ndaj akuzave se po hanë macet e banorëve
19 Shtator 2024
Një qytet i vogël në shtetin Ohajo është gjendur në qendër të polemikave për shkak të lajmeve të rreme për emigrantë që hanë macet dhe qentë shtëpiakë të kësaj zone. Shërbimi kreol i Zërit të Amerikës udhëtoi drejt qytetit Springfield dhe dërgoi materialin në vazhdim.
Emigrantët nga Haiti që jetojnë në Springfield, një qytet i vogël në shtetin Ohajo, janë bërë pjesë e lajmeve kryesore në mbarë vendin, pasi akuzohen se kanë ngrënë kafshët shtëpiake të banorëve.
Pretendimi, i postuar në mediat sociale dhe i përforcuar nga kandidati republikan për nënpresident, senatori i Ohajos, JD Vance, u përsërit në debatin presidencial nga ish-Presidenti Donald Trump, duke shkaktuar zemërim.
Emigrantët haitianë në Ohajo, si Clio, i mohojnë akuzat.
“E pashë në internet. Njerëz që flasin për mënyrën sesi haitianët sillen keq. Por qartazi nuk ka asnjë provë. Gjithsesi, unë nuk eci nëpër qytet”, thotë Clio Paraison.
Megjithëse autoritetet lokale konfirmojnë se nuk ka prova se emigrantët hanë kafshët shtëpiake, këto njoftime janë pasuar nga kërcënime të shumta për vendosje bombash, duke shkaktuar mbylljen e shkollave dhe po ndikojnë negativisht në jetën e haitianëve në Springfield.
“Meqenëse jemi haitianë, trembemi kur lajme të tilla publikohen në media. Ne thjesht po kërkojmë një jetë më të mirë”, thotë Baptiste, emigrant nga Haiti.
Një tjetër emigrant nga Haiti, i cili foli për Zërin e Amerikës me kusht ruajtjen e anonimitetit për arsye sigurie, thotë se një banor i zemëruar e kërcënoi me thikë.
“Mora një telefonatë dhe dola jashtë me një shok. Thjesht po rrinim në këmbë dhe po shikonim një kamion. As që po e prekja. Pronari doli dhe pyeti se çfarë po bënim. I thamë se thjesht po qëndronim në këmbë dhe se nuk ishim mbështetur tek kamioni i tij.
Ai u pozicionua i gatshëm për konfrontim. Dhe gruaja e tij na tha ‘vetëm largohuni, kthehuni brenda’. Kështu që nuk u morëm me të dhe u larguam, por ajo që me të vërtetë më tronditi është se ai u rikthye, duke na sharë dhe duke na treguar një thikë“, thotë emigranti nga Haiti.
“Springfield-i është një komunitet dinamik me shumë veçori pozitive. Është zhgënjyese që disa nga njoftimet rreth qytetit tonë janë shtrembëruar nga dezinformatat që qarkullojnë në mediat sociale dhe janë përforcuar më tej nga retorika politike në ciklin e tanishëm zgjedhor shumë të ngarkuar politikisht”, thotë Bryan Heck, drejtues në bashkinë Springfield.
Çështja e emigrantëve është e ndërlikuar. Ajo shkon përtej pretendimeve për ngrënien e kafshëve shtëpiake.
Janë mbi 15 mijë emigrantë nga Haiti që jetojnë në qytetin Springfield, i cili ka një popullsi prej 60 mijë banorësh. Montae është një banor vendas që thotë se emigrantët nga Haiti po ua marrin vendet e punës amerikanëve.
“Po zihen vendet e punës. Të gjitha linjat e prodhimit, me nga 50 persona që mund të ishin 50 amerikanë që tashmë nuk kanë punë. I marrin haitianët pikërisht të gjitha këto vende pune. Pra, janë 50 banorë që mbeten pa punë”, thotë Montae, banor i qytetit.
Ernesti punon si përfaqësues i shërbimit për klientët në dyqanin ‘Adasa Latin Market’. Ai thotë se mbi 70% e klientëve të tij janë haitianë dhe se fluksi i emigrantëve ka krijuar njëfarë konflikti me banorët vendas.
“Ky është një qytet i vogël. Njerëzit nuk i pranojnë kollaj disa gjëra, kështu që e kuptoj se përse ndihen kështu. Dhe kjo është gjithashtu sepse njerëzit nuk i njohin veçoritë kulturore dhe nuk dinë se si të sillen për çështje të caktuara”, thotë Ernesti.
Një tjetër emigrant thotë se u kërcënua pasi u transferua në Springfield nga Florida tre muaj më parë. Tani ai po mendon të bëhet gati për t’u larguar nga qyteti