
Emigrantët në Shqipëri, dekreti i Giorgia Meloni: – Qëndrim deri në 18 muaj në kampin e Gjadrit! – Zbardhet vendimi i ri i qeverisë italiane
29 Mars 2025
Kampet që u ngritën në Gjadër e Shëngjin për strehimin e emigrantëve të paligjshëm që kapeshin në ujërat italiane, pritet të kthehen në një vendndalimi për emigrantët që vijnë nga vendet e sigurta.
Fillimisht, kjo qendër ishte menduar për mbajtjen deri në 28 ditë të azilkërkuesve, me dekretin e ri refugjate me rrezikshmeri shoqerore do të qëndrojnë deri në 18 muaj
Kjo nismë që u shtrua pak ditë më parë në qeverinë italiane, dje u paraqit si dekret ku edhe u vendosën rregullat në lidhje me përdorimin e kampeve të ngritura në Lezhë me qëllim përpunimin e të dhënave të personave që vijnë ilegalisht në Itali, ndërkohë që vendet e tyre janë të sigurta. Kështu, përballë sfidave të gjyqësorit vendës dhe në pritje të një vendimi nga Gjykata Europiane e Drejtësisë, qeveria italiane miratoi ditën e djeshme një dekret që i lejon këtij shteti transferimin e emigrantëve ilegalë nga qendrat e ndalimit në Itali drejt qendrave pritëse në Shqipëri në Gjadër dhe Shëngjin.
Sipas dekretit të miratuar, emigrantët e parregullt që aktualisht ndodhen në qendrat e ndalimit në Itali, të cilëve iu është refuzuar kërkesa e azilit, mund të transferohen në qendrën e Gjadrit, ku do të qëndrojnë deri në 18 muaj, në pritje që vendet e tyre të origjinës t’i pranojnë dhe të lejojnë kthimin e tyre. Megjithatë, procedura parashikon që dëbimi përfundimtar të ndodhë nga territori italian, që do të thotë se pas qëndrimit në Shqipëri, emigrantët do të kthehen përsëri në Itali për t’u riatdhesuar në vendet e tyre të origjinës. Në Itali, kjo skemë ka ngritur shqetësime mbi rritjen e kostove të administrimit, pasi çdo emigrant i ndaluar duhet të shoqërohet nga dy oficerë policie gjatë transferimeve midis dy vendeve.
Sipas ministrit të Brendshëm, Matteo Piantedosi, bëhet fjalë vetëm për “riaktivizimin e një funksioni ekzistues të qendrës, atë të qendrës së kthimit”. Ai shtoi se brenda pak javësh apo muajsh, pritet një vendim nga Gjykata Evropiane e Drejtësisë, që qeveria italiane beson se do të jetë në përputhje me qëndrimin e saj. Qeveria italiane është shprehur se nuk po ndryshon qëllimin e qendrave në Shqipëri, por synon t’i përdorë ato edhe për ndalimin e emigrantëve të paligjshëm në pritje të dëbimit. Por referuar të dhënave, mësohet se ende nuk ka një marrëveshje të re me qeverinë shqiptare, ndonëse nisma që në fillim hasi kundërshti të forta me baza ligjore nga vetë Gjykata e Emigracionit e Romës.
MEDIAT ITALIANE
Ditën e djeshme kanë reaguar edhe mediat italiane në lidhje me dekretin e qeverisë “Meloni”. Sipas tyre, qeveria italiane nuk po ndryshon destinacionin e qendrës, por synon ta përdorë edhe për ndalimin e emigrantëve të paligjshëm në pritje të dëbimit. Fillimisht, kjo qendër ishte menduar për mbajtjen deri në 28 ditë të azilkërkuesve të shpëtuar në det nga anijet ushtarake italiane, të ardhura nga vendet e konsideruara të sigurta, për t’iu nënshtruar procedurave të përshpejtuara të kufirit. Tani, emigrantët e ndaluar në Gjadër mund të qëndrojnë aty deri në 18 muaj, derisa vendet e tyre të origjinës të pranojnë kthimin e tyre.
Megjithatë, pa marrëveshje të reja me qeverinë shqiptare, kthimi i tyre duhet të ndodhë sërish nga territori italian, shkruajnë mediat vendëse. Kjo do të thotë se emigrantët e paligjshëm të ndaluar në CPR e “Ponte Galeria” (qendra e ndalimit të emigrantëve pranë Romës) do të transferohen në Shqipëri në pritje të dëbimit, por më pas duhet të kthehen në Itali për kthimin e tyre përfundimtar. Duke marrë parasysh se mesatarisht vetëm 50 për qind e emigrantëve të ndaluar në qendrat e pritjes arrijnë të kthehen realisht në vendet e tyre, pritet një rritje e kostove për shkak të transportit të vazhdueshëm midis Italisë dhe Shqipërisë, pasi çdo emigrant i ndaluar duhet të shoqërohet nga dy policë.
Përveç këtyre sfidave praktike dhe financiare, operacioni ngre edhe dyshime ligjore. Rregullorja e re evropiane do të parashikojë qendra pritjeje në vende të treta, por jo më herët se viti 2027. Për momentin, nuk ekziston asnjë bazë ligjore që lejon transferimin e emigrantëve në një vend që nuk është as ai i origjinës dhe as vend tranziti dhe mësohet se për këtë po shfrytëzohet një boshllëk ligjor si në Kodin Italian të Emigracionit ashtu edhe në direktivën aktuale të Bashkimit Europian për kthimet.
Gazeta Panorama