Emigrimi dhe lëvizjet e brendshme, ja dy qarqet që u ka ikur mbi 50% e popullsisë.

10 janar 2020

Popullsia e qarqeve të vendit është përgjysmuar në raport me regjistrat e gjendjes civile. Për shembull në Gjirokastër në vitin 2018 banonte vetëm 41.1 për qind e popullsisë së regjistruar në gjendjen civile, sipas INSTAT.

Në qarkun e Vlorës banon vetëm 49 e popullsisë së regjistruar, gjithashtu qarqet e Beratit, Lezhës dhe Fierit kanë midis 50-60 për qind të popullsisë që ende banon në këto qarqe në raport me atë të regjistruar.

Tirana, Kukësi dhe Dibra ka përqindjet më të larta të popullsisë banuese në raport me regjistrat. Në rastin e Kukësit dhe Dibrës emigracioni dhe lëvizjet e brendshme kanë zhvendosur më shumë se gjysmën e popullsisë  së viteve 1990, por banorët e  këtyre zonave kanë transferuar gjendjen civile në zonat e reja, ku janë shpërngulur kryesisht në Tiranë dhe Durrës.

Sipas një analize të INSTAT, reduktimi i popullsisë së qarqeve në raport me regjistrat ka ardhur për arsye të emigracionit dhe migrimit të brendshëm. Gjirokastra dhe Vlora duket se kanë pësuar reduktim të popullsisë së regjistruar më shumë për shkak të emigracionit.

Nga grafiku i mëposhtëm vihet re se popullsia banuese e të gjitha qarqeve të vendit është në mënyrë domethënëse më e vogël se popullsia e regjistruar në regjistrat e gjendjes civile.

Diferenca ndërmjet këtyre dy popullsive na paraqet numrin e mundshëm të personave në diasporë të secilit prej qarqeve.

Të dhënat e mësipërme tregojnë se qarku i Gjirokastrës dhe ai i Vlorës janë dy qarqet e vetme ku popullsia banuese është më pak se gjysma e popullsisë së regjistruar, përkatësisht me 41,1 % dhe 49,0 %. Nga ana tjetër për qarqet e tjera ky raport luhatet nga 54,4 % në Berat në79,3 % në Tiranë.

Qarku i vetëm ku migrimi ndërkombëtar neto ka vlerë pozitive është ai i Vlorës. Kjo do të thotë se gjatë vitit 2018, popullsia e qarkut të Vlorës është rritur me rreth 23 banorë për çdo 10.000 banorë si rezultat i migrimit ndërkombëtar. Nga ana tjetër, dy qarqet e vetme për të cilat numri i emigrantëve të brendshëm neto gjatë vitit 2018 ka qene pozitiv, janë ato të Tiranës dhe Durrësit.

Monitor