Emin Riza: – Butrinti është detyrë e shtetit dhe kjo që po ndodh sot është skandal, – Instituti i Monumenteve të Kulturës është në rënie pikiatë
30 Maj 2022
Akademiku Emin Riza shprehet se për trashëgiminë kulturore në vend tregohet pak vëmendje dhe organet shtetërore nuk po bëjnë si duhet punën për monumentet e kulturës. Në intervistën për gazetën “SOT” akademiku Emin Riza thotë se Butrinti është një kryevepër e antikitetit me një rëndësi të madhe, por kjo që po ndodh sot sipas tij me menaxhimin është një skandal. Sipas tij, Butrinti është detyrë e shqiptarëve e shtetit shqiptar. Me kritika profesor Riza shprehet dhe për Institutin e Monumenteve të Kulturës. Nga bashkimi i Institutit të Monumenteve të Kulturës “Gani Strazimiri” dhe Agjencisë së Shërbimit Arkeologjik sot kemi Institutin Kombëtar të Trashëgimisë Kulturore. Por profesor Emin Riza thotë se me ligjin e ri ndryshoi emri, por IMK është drejt shkatërrimit të plotë, duke sjellë pasoja të pakthyeshme të injorimit të detyrimeve profesionale që ka shteti shqiptar për ruajtjen e trashëgimisë kulturore. Emin Riza është studiues i arkitekturës popullore, inxhinier e restaurator. Punonjës shkencor e specialist restaurator në Institutin e Monumenteve të Kulturës, ku ka kryer dhe detyra drejtuese, si përgjegjës sektori, nëndrejtor (prej vitit 1985 deri më 1988) e drejtor (prej 1988 deri më1993). Është autor i shumë projekteve dhe drejtues i punimeve të restaurimit. Ka përgatitur dosjet për cilësimin e Gjirokastrës e të Beratit pasuri botërore prej UNESCO-s.
-Profesor ju trashëgimisë kulturore në vend i keni kushtuar dekada vite punë. Çfarë rëndësie ka për ju Butrinti në trashëgiminë kulturore?
Butrinti është një kryevepër e antikitetit, e cila është jashtëzakonisht e rëndësishme për ne shqiptarët. Përpjekjet që po bëhen sot gjoja për ta ruajtur atë nga të ashtuquajtura edhe grupe profesionistësh, duke iu larguar detyrës themelore që është e specialistëve shqiptarë, është për mendimin tim një marifet po e them që nuk ka lidhje me përpjekjet e karakterit shkencor për ruajtjen e së kaluarës, por bëhet vetëm për ta paraqitur Butrintin si një burim të ardhurash. Duhet patjetër që të mos zbatohet ai synim dhe ti mbetet Butrinti specialistëve shqiptarë të fushës së caktuar. Butrinti është detyrë e shqiptarëve e shtetit shqiptar. Ajo është pasuri shqiptare brenda territorit shqiptar. E shpallur monument kulture nga shqiptarët, që prej shpalljes e deri më sot e mirëmbajtur. Sot dalin dhe flasin gjëra, që s’ka kuptim.
-Tema e menaxhimit të parkut të Butrintit ka sjellë reagime të specialistëve të fushës së trashëgimisë kulturore. Ka pasur edhe specialistë, që janë shprehur se ministria po heq dorë dhe po ia jep të tjerëve. Ju çfarë mund të na thoni?
Këta thonë që ata janë specialistë, kemi fonde do të bëjmë këtë e atë, por këtu është mosfunksionimi i organeve tona shtetërore. Ato duhet të ishin pa diskutim ndërhyrësit e menjëhershëm të bllokimit të kësaj. Kjo është një dëmtim i pakthyeshëm i një vlere të papërsëritshme. Kjo që po ndodh me Butrintin është që po bëhet një dëmtim.
– Marrëveshja për administrimin e nënzonës së trashëgimisë dhe peizazhit kulturor të parkut kombëtar të Butrintit, lidhet ndërmjet Ministrisë së Kulturës dhe Fondacionit për Menaxhimin e Butrintit. Organi më i lartë vendimmarrës i fondacionit është bordi, i cili përbëhet nga 5 anëtarë. Në bord mes emrave është dhe ministrja e Kulturës, por ka vetëm një arkeolog. Sa është kjo shqetësuese për ju?
Patjetër një bord që ka lidhje me punën me trashëgiminë kulturore duhet të ketë studiues të kësaj periudhe dhe restaurator, të paktën dy. Kjo nuk do të thotë që nuk duhet të ketë dhe të tjerë, unë po them minimumi dy. Ne kemi Neritan Cekën, etj, që duhet të ishin marrë parasysh çfarë kanë thënë më parë për trashëgiminë kulturore. Kjo që po ndodh me Butrintin është skandal për nivelin kulturor të kombit shqiptar sot, i cili është përgjegjës për ruajtjen e trashëgimisë kulturore, që nuk i përket historikisht vetëm shqiptarëve, por i përket mbarë Europës dhe veçanërisht kur janë të periudhave shumë të hershme dhe kuptueshëm shumë të rralla.
-Ju keni qenë dikur drejtor i Institutit të Monumenteve të Kulturës, si punohej atë kohë për parkun e Butrintit?
Unë s’jam i asaj fushe të arkeologjia, por Butrinti ka qenë një nga ansamblet monumentalë nga më të rëndësishmit dhe të një periudhe historike, e cila për arsye të kuptueshme ka lënë pak gjurmë. Vlera e tij nuk është vetëm kombëtare, por dhe europiane dhe me gjerë. Kështu që përgjithësisht objektet ishin në gjendje të mirë në kuptimin, që kishin ruajtur autenticitetin në shkallë të theksuar, kishte mirëmbajtjen, specialistë për të bërë ndërhyrjet e duhura. Me që po flasim për monumentet, e kam thënë dhe herë tjera dhe e përsëris, restuarim nuk do të thotë ta bësh si ka qenë, por ta ruash ashtu siç është. Restaurim nuk do të thotë rindërtim, sepse nuk ka vlerë, duhet ta ruajmë siç na vjen nga e kaluara. Ndërhyrjet janë për të bërë ruajtur gjendjen egzistuese, jo për të bërë shtesat. Mund të bëhet një botim, vizatim, por jo të prekësh monumentin.
-Nga Instituti Kombëtar i Trashëgimisë Kulturore (IKTK) është bërë me dije edhe për hartimin e planit të menaxhimit të integruar për qendrat historike të Beratit dhe Gjirokastrës. Ju keni përgatitur dosjet për cilësimin e Gjirokastrës e të Beratit pasuri botërore prej UNESCO-s. Sa ka rrisk nëse nuk merren parasysh zërat e specialistëve dhe profesionistëve të fushës?
Mund të ketë rrisk pse jo. Unë kam ardhur në punë me monumentet e kulturës në vitin 1962. Atë kohë na caktuan mua, Aleksandër Meksin dhe Pirro Thomon, sepse kishte thënë Enver Hoxha atëherë në një takim me Gani Strazimirin dhe na ndanë. Mua më caktuan arkitekturën popullore kryesisht me banesat. Gjirokastra nuk ishte shpallur qytet muze. Pas disa vitesh unë e shpalla Gjirokastrën me iniciativën time, sigurisht duke marrë miratimin e Institutit të Monumenteve të Kulturës, por shumë atëherë thoshin: Gjirokastra nuk ka asnjë vlerë, por ti e ke shpallur për ti bërë qejfin Enver Hoxhës. Pra shqiptarët i dinë të gjitha, por shumicën e dinë gabim. Por unë vazhdova punën, kam bërë monografi, artikuj, jam marrë me klasifikimin e tipologjisë banesës gjirokastrite, etj, dhe tashmë Gjirokastra është pasuri botërore dhe është shpëtuar.
-Nëse nuk do ishte shpallur qytet muze siç ju pohoni, çfarë do kishte ndodhur ndër vite me Gjirokastrën?
Nëse nuk do ishte shpallur atëherë dhe do ishte shpallur më vonë sigurisht mund të ishin bërë dëmtime më të mëdha dhe mund të ishin të tilla, që ajo mund të kishte humbur vlerat. Gjirokastra ka një përparësi tjetër të rëndësishme, sepse banesa gjirokastrite është një banesë vetëm në hapësirën shqiptare, ashtu si ndodhet dhe banesa tiranase. Banesa tiranase dhe gjirokastrite janë të ndërtuara, që në fillesat e tyre nga shqiptarët për shqiptarët.
-Keni qenë dikur dhe ish drejtor i Institutit të Monumenteve të Kulturës dhe prej dekadash specialist në fushën e trashëgimisë kulturore, si e keni parë rolin e Ministrisë së Kulturës?
Ministria e Kulturës ka pasur raste që ministra ose ministre të lidhura me monumentet e kulturës kanë vlerësuar specialistët e fushës, njësitë e të cilave e kryeson IMK, i cili tani është drejt shkatërrimit të plotë, duke sjellë pasoja të pakthyeshme të injorimit të detyrimeve profesionale që ka shteti shqiptar për ruajtjen e trashëgimisë kulturore, të shumë shekujve që nga shfaqja e veprimtarisë e kombit shqiptar. Gjendja është katastrofike.
-Pse kjo gjendje sipas jush?
Lexova një artikull, që kam bërë 10 vite para dhe me të vërtetë gjendja është katastrofike. Duke qenë se në Shqipëri ashtu si dhe në vende të zhvilluara nuk ka institucione, që përgatisin restauratorë edhe Shqipëria nuk ka, kështu që institucioni që duhet të përcaktojë mirëmbajtjen e monumenteve, etj, duhet të jetë IMK, që sot me ligjin e ri ka emër tjetër. Instituti i Monumenteve të Kulturës është në rënie pikiatë, për arsye sepse drejtorët e institutit ka vite që nuk caktohen sipas atij rregulli që ne kishim vënë dikur, që drejtuesi i IMK duhet të dalë nga punonjësit e institutit, por filloi ti caktojë ministria. Ministrat dhe ministreshat në radhë të parë vënë të njohurit e tyre. Por rënia e IMK është e rëndësishme, ka humbur gjurmimi i gjendjes së monumenteve, kanë humbur ndërhyrjet mirëmbajtëse, që duhet të jenë të vazhdueshme gjatë gjithë kohës. Për ndërtimet e çfarëdo lloji, duhet që sapo të shikohen prishje të vogla menjëherë të ndërhysh, që ndërpresin vazhdimin e shkatërrimit dhe mbajtjen gjallë në mënyrë figurative të atij ndërtimi, që është një dëshmi historike kulturore jo vetëm për shqiptarët, por dhe për Europën në përgjithësi.
-Në rast se do të vijojnë këto problematika në fushën e trashëgimisë kulturore, çfarë sjell kjo?
Monumenti kur pjesërisht fillon të humbasë vlerat origjinale është e pakthyeshme origjinalja. Njësoj si ti presësh një qenie të gjallë. Vlerat e monumentit duhen ruajtur në gjendjen e tyre, ky është thelbi i restaurimit, ta ruajmë siç është monumenti jo ta bëjmë siç ka qenë. Këtë e ka thënë figura të shquara. Ta restaurosh, do të thotë ta ruash siç na vjen prej kohës në momentin e shpalljes monument kulture dhe jo ta bëjmë si ka qenë.
Intervistoi: Julia Vrapi