Emin Riza: – Nuk ka dokumentim të monumenteve (pjese e nje interviste).-
Emin Riza: – Nuk ka dokumentim të monumenteve (pjese e nje interviste).-
-Studiues i banesës popullore në vend dhe keni bërë disa botime, por jeni shprehur se problem në institucionet tona është dhe dokumentimi i monumenteve. Çfarë ka ndodhur?
Për banesat monument kulture në vend nuk është bërë sa duhet. Janë për faqe të zezë dhe po bien. Por dhe çfarë ndryshimesh mund të jenë bërë brenda, që zoti e di është skandal. Do bëjmë rrugë thotë ish ministrja e Kulturës, që ti biem kalasë nga pas. Por çfarë është ajo rrugë? Gjirokastra është qytet muze, dhe aty futen makina mesatare dhe jo kamionë 20 ton. Nuk do ta rindërtojmë Gjirokastrën, duke çuar gurë dhe beton. Banesa popullore, monument kulture është në dorë të fatit. Sa mirë që ne kemi bërë atë punë kolosale dikur për dokumentimin e monumenteve, sepse që nga ardhja e sistemit të ri demokratik nuk është bërë asnjë dokumentim i monumenteve. Është skandal. Këto janë kampione botërore pa precedent. Nuk kemi bërë asnjë fotografi për Gjirokastrën, asnjë rilevim të shtëpive të vjetra. Për asnjë monument nuk është bërë dhe jo vetëm për Gjirokastrën. Unë se di pse nuk e bëjmë më. Ato që kanë sot institucionet janë dokumentacione që ne i kemi pasur bërë më parë. Por dokumentacioni zgjerohet, bëhen dhe ato pjesë që nuk janë bërë. Thellohen dhe bëhen hapje të vrojtimeve nga brenda, rilevimi i faqeve të mureve, etj, si dhe rilevimi i monumenteve të rinj që nuk janë shpallur, sepse shpallja vazhdon vijimisht. Ka monumente të rinj, por asgjë nuk bëhet. Asnjë fletë rilevimi nuk është futur në 20 vjet në arkivin e IMK. Askush nuk e çan kokën se çfarë ndodh. Kjo sjell humbjen dhe të dokumentacionit jo më monumentet që shkatërrohen. Por të paktën të ruhet dokumentacioni. Të kesh një fotografi të një shtëpie në vitin 1400 do ishte një mrekulli. Tani ne jemi 2019, por do të vijnë vite të tjera dhe dokumentet janë të domosdoshme, por kujt t’ia thuash? Ky është një sabotazh. Dokumentet tona janë bërë për atë kohë, rilevimet janë bërë për atë kohë. Përshembull nuk janë bërë rilevime të pamjeve të brendshme dhe duhen bërë prerje, rilevime të oborri bashkë me banesën. Rilevime të atyre pak çative origjinale, që kanë mbetur për të parë strukturën, të dritareve origjinale që nuk arritëm dot ne ti bëjmë ato vite. Pra fotografoje dhe bëji rilevimet. Ka gjëra që duhen bërë, por nuk bëhen. Nëse do të kemi këto dokumentacione, rilevime, kur të vijë koha që dhe mund të vetëshkatërrohen pas 100, 200 vitesh a më shumë të paktën janë dokumentimet. Por ne nuk kemi as dokumentime, që duhet ta bëjë Instituti i Monumenteve të Kulturës dhe me punonjësit që kanë dhe në DRKK. Në IMK sot mblidhen në zyra dhe bëjnë muhabet. Jo vetëm banesat që janë monumente, por të gjithë objektet që janë monument kulture duhen dokumentuar. Dokumentimi është grafik- rilevim, fotografik, përshkrimor. Ne sot kemi vetëm dokumentacionin që ka qenë dikur, ai që është bërë para ‘90, pas kësaj kohe rastësisht u bë një dokumentim tek-tuk.
Intervistoi: Julia Vrapi