
Emmanuel Macron thote se ai eshte fuqimisht kundër çdo zhvendosjeje ose aneksimi në Gaza dhe Bregun Perëndimor të pushtuar nga Izraeli.
7 Prill 2025
“Kjo do të ishte një shkelje e ligjit ndërkombëtar dhe një kërcënim serioz për sigurinë e të gjithë rajonit, duke përfshirë Izraelin,” tha ai, teksa takoi homologun e tij egjiptian Abdel Fattah al-Sisi.
Macron tha gjithashtu se Hamasi nuk duhet të ketë asnjë rol në qeverisjen e Gazës.
Ai tha se grupi palestinez, “nuk duhet të përbëjë më një kërcënim për Izraelin”, ndërsa përsëriti “mbështetjen e tij të plotë për planin e rindërtimit të Gazës” të miratuar nga Liga Arabe.
Franca do të riafirmojë “kundërshtimin e saj ndaj lëvizjeve të detyruara të popullsisë” dhe do të shprehë mbështetjen e saj për planin arab, i hartuar si përgjigje ndaj planit Trump, tha presidenca franceze.
Kjo nismë, e përgatitur nga Egjipti, planifikon të rindërtojë Rripin e Gazës pa zhvendosur banorët e Gazës.
Parisi beson, megjithatë, se ky plan duhet të “forcohet më tej”, veçanërisht për “sigurinë” dhe “qeverisjen” e territorit palestinez, për të siguruar amerikanët hezitues. Vendet arabe po planifikojnë një kthim gradual të Autoritetit Palestinez, në dëm të Hamasit, i cili ka sunduar territorin që nga viti 2007./ France 24.