EMRAT E FOTOGRAFISË SHQIPTARE/ Imazhet që fiksuan dhe vdekja në vetmi a mjerim
EMRAT E FOTOGRAFISË SHQIPTARE/ Imazhet që fiksuan dhe vdekja në vetmi a mjerim. –
Fatmira Nikolli – Fiksuan imazhet e para fotografike shqiptare, figurat e pavarësisë, heronjtë sa qenë gjallë, ritet e harruara- por emrat e tyre njihen pak. Vunë gurët e artit të fotografisë, por patën edhe fate të trishta.
Kristo Sulidhi (1858 – 1938) / Perikli Kaçauni (1870 – 1940) / Dhimitër Vangjeli (1872 – 1957) / Vani Burda (1875 – 1949) / Kristaq Sotiri (1883 – 1970) / Petro Dhimitri (1886 – 1953) / Thimi Raci (1886 – 1966) / Mandi Adham Koçi (1912 – 1988).
Një ekspozitë unike që sjell bashkë krijimtarinë e tetë fotografëve të parë shqiptarë në imazhe që përcjellin momente nga jeta politiko- shoqërore e juglindjes së Shqipërisë.
Është Muzeu Kombëtar i Fotografisë “Marubi” që bën bashkë ’emrat e harruar’ në një ekspozitë të kuruar nga Gjergj Spathari, që organizohet në bashkëpunim me Bashkinë e Korçës, Bashkinë e Kolonjës, Qendrën Kombëtare të Inventarizimit të Pasurive Kulturore, Drejtorinë e Përgjithshme të Arkivave. “Marubi” ende nuk ka bërë me dije detaje të ekspozitës megjithatë po sjellim më poshtë pjesë nga jetëshkrimet e 8 fotografëve imazhet e të cilëve shfaqen në këtë ekspozitë.
Kristo Sulidhi
Ishte fotograf dhe shkrimtar i shekullit të 19-të dhe fillimit të shekullit të 20-të. Ka lindur në fshatin Marjan të rajonit të Oparit (Maliq në Korçë). Emigroi në Greqi ku shkroi në “javën” e Anastas Kullurioti “Zëri i Shqipërisë”. Ai u kthye në Shqipëri dhe punoi në Korçë si fotograf. Një nga fotot e tij më të rëndësishme është ajo që dokumentonte shkollën e parë shqipe, e hapur në vitin 1887. Shuli është, gjithashtu, i njohur për fotografinë e shumë njerëzve të përfshirë në lëvizjen Rilindja, siç janë luftëtarët e njohur të lirisë Shahin Matraku dhe Kajo Babjeni, duke u bërë kështu një nga propagandistët e lëvizjes. Më 1892 Shuli shkoi në Shkodër për t’u takuar me Kel Marubi dhe Kolë Idromeno me të cilët ndau përvojën e tij. Shuli ishte kunati i fotografit të mirënjohur shqiptar Kristaq Sotiri, i cili ishte ish-nxënës i Shulit. Kristo Shuli u dekorua pas vdekjes nga qeveria shqiptare për aktivitetet e tij patriotike.
Perikli Kacauni.
Pero (emri i plotë, Perikli) Kaçauni, është lindur në fshatin Dardhë të Korçës në vitin 1880. Në qytetin Odesa (Rusi), Peroja mësoi fotografimin, natyrisht duke filluar punën si çirak në dyqanin (ateljen fotografike) e ndonjë rusi. Kur mendoi se e njihte fotografimin e mund të punonte i pavarur, në kapërcyell të shekujve XIX dhe XX, kthehet në vendlindje (Dardhë), ku nisi ta ushtronte mjeshtërinë e re e, disi të veçantë për të siguruar jetesën. Ai fotografon edhe ngjarje të veçanta në fshat me karakter fetar, shoqëror e kulturor si piknikë e shfaqje teatri, Ujin e Bekuar (6janar), martesa, funerale, lindje, shkrepje të porositura, por edhe të pakërkuara nga personazhet e fotove të tij. Peroja fotografoi në fshat deri në vitin 1910 ku iku në SHBA. Pero Kaçauni, është ndarë nga jeta në Boston në vitin 1949 ku edhe kishte çelur atelienë e tij.
Dhimitër Kristo Vangjeli
Ishte fotograf shqiptar nga fshati Prodan të rrethit Kolonjës. Në sajë të pasionit të tij për fotografinë, brenda një kohe të shkurtër e shndërroi dyqanin në një laborator fotografik, por jo studio, që sipas trashëgimtarëve e ka zanafillën që në fillimet e 1900-ës. Me pasionin e vizionin e fotografit dhe si njeri që e dashuronte punën e profesionin që kishte përzgjedhur, Vangjeli me aparatin fotografik në krah shëtiti në të gjithë fshatrat e Kolonjës duke u shndërruar në një person të njohur e të dashur për bashkëkohësit e tij. Si fotograf shëtitës, është ndër të paktët që ka në qendër të fotografisë jetën e pothuajse gjithë fshatrave me të gjitha ciklet e jetës, që nga lindja, pagëzimi, martesa deri edhe tek ceremonitë mortore. Fotot e tij janë pasqyrim i saktë i gjendjes së Kolonjës në gjysmën e parë të shek. XX.
Kristaq Sotiri
Që në 1922 punon si fotograf dhe dallohet për portretin. Ai punoi gjithë jetën e tij në Korçë. Brenda objektivit të aparatit të tij kanë nëpërkaluar imazhet e shumë njerëzve të qytetit të Korçës dhe krahinave përreth, të njohur e “me grada”, por edhe të panjohur, lypsarë e endacakë e, shpesh shumë dhëndurë e nuse të reja ditën e martesës. Nxënës i Sulidhit, i cili emigroi në SHBA në 1923 dhe punoi si fotograf në New York dhe Los Angeles. Të njëjtin vit 1923 ai u kthye në vendlindjen e tij Korçë dhe me piktorin Vangjush Mio hapi studion Sotiri.
Vani Burda
Në moshë të re, Burda shkoi në Rumani, Bukuresht, në Egjipt dhe për një kohë të shkurtër në Stamboll. Në Rumani hapi atelienë e vet fotografike duke qenë shumë aktiv në koloninë shqiptare të atjeshme.
Me grupin e delegatëve të kolonisë shkoi në Vlorë me rastin e Shpalljes së Pavarësisë Kombëtare. Në rrugëtimin drejt Vlorës, Burda fiksoi një moment të këtij udhëtimi historik, ku delegatët janë duke pushuar me armë në dorë nën një ullishte dhe në sfond është flamuri me shqiponjën dykrenore. Më 1920, u kthye në Korçë, ku hapi studion e vet fotografike. Fondi i këtij fotografi gjendet i shpërndarë në Drejtorinë e Përgjithshme të Arkivave dhe në koleksione private. Vani Burda, autori i fotos së Ismail Qemalit, stampuar në kartëmonedhat 500 lekëshe që përdorim sot, pa dyshim ka një meritë të madhe në ruajtjen e imazhit të figurës më të shquar të pavarësisë së Shqipërisë. Vdiq në mjerim ekonomik, cigareshitës në një kioskë në qendër të qytetit.
Petro Dhimitri
Lindi në vitin 1886 në qytetin e Korçës. I njohur si Petro fotografi apo Petro shqiptari, me pushkë dhe aparat në dorë shëtiti gjithë jugun e Shqipërisë madje zhvilloi aktivitetin e tij patriotik edhe në veri të vendit. Petro Dhimitri u formua si fotograf në Stamboll. Ka punuar atje në një studio fotografike. Zhvillimi i fotografisë në Turqi ishte i fokusuar në fotografinë dokumentare dhe kjo ndikoi në formimin e Dhimitrit. Dhimitri ka fotografuar aktivitete të rëndësishme në jetën shoqërore shqiptare. Ka fotografuar edhe autoritetet franceze të qeverisë autonome të Korçës, që është fotoja e vetme e tyre. Ka fotografuar Abdyl Frashërin dhe Princ Vidin. Petro Dhimitri na solli të vetmin imazh të momentit më të rëndësishëm historik, atë të kremtimit të 1-vjetorit të Pavarësisë.
Thimi Raci
lindur me 1886 ishte një fotograf shqiptar i cili punoi kryesisht në vitet ’20 dhe ’30 në fshatin Dardhë afër Korçës. Në moshën 15-vjeçare emigroi në Rumani për punë, si shumë shqiptarë të atyre zonave. Pas kthimit në Shqipëri punoi teneqexhi në Korçë para se të kthehej në fshat. Mjeshtërinë e fotografit e mësoi nga Pero Kaçauni, i cili emigroi në Amerikë në vitin 1910 dhe i la Thimit të gjitha pajisjet e fotografimit. Një vit më vonë, në fshatin Dardhë kishte një dyqan me tabelën “Thimi Ratsi – teneqexhi dhe fotograf”
MAK (Mandi Adham Koçi)
Një nga ata që jetoi në tre regjime dhe u burgos nga të tria.
Lindi në Voskopojë, Korçë, më 12 janar 1912. Mësoi në liceun e Korçës në fillim të viteve ’30. Në vitin 1933 shkon në Greqi ku mëson mjeshtërinë e fotografisë. Në 1936 kthehet në Korçë dhe hap të parën studio fotografike dhe elektrike. Është autor i fotove që pasqyrojnë demonstratën e bukës në Korçë në vitin 1936. Merr pjesë në luftën Nacional Çlirimtare, më 1943 arrestohet, burgoset dhe internohet nga italianët në Porto Palermo dhe më pas në Poncia, Itali. Pas çlirimit, më 1945, punon si përgjegjës laboratori në ATSH. Në vitin 1947 çel një ekspozitë fotografike në Moskë, Rusi. Po në këtë vit, MAK-u dërgohet në Moskë për t’u përgatitur si drejtues i Kinostudios që do të inaugurohej në vitin 1952. Atje martohet me rusen Rozalia Kozakova. Në vitin 1960, MAK-u përjashtohet nga Kinostudio, arrestohet nga Sigurimi i shtetit dhe dënohet me 20 vjet burg. Akuza: Bashkëpunim me një spiune polake e cila i sjell një letër nga e bija në B.S. Lirohet nga burgu në 1980 dhe vdes i vetmuar në azilin e pleqve në vitin 1982.