Emrat e ministrave të rinj në prokurori. – Meta kërkon verifikime për dosjet hetimore. – Rrezikohet Niko Peleshi
Emrat e ministrave të rinj në prokurori. – Meta kërkon verifikime për dosjet hetimore. – Rrezikohet Niko Peleshi
12 SHTATOR 2021
Kryeministri Edi Rama ka dorëzuar në Presidencë përbërjen e kabinetit të ri qeveritar, që pritet të mandatohet së bashku me programin gjatë kësaj jave në Parlament dhe më pas të betohet para Ilir Metës.
Presidenca nuk ka humbur kohë dhe i është drejtuar Prokurorisë për të mësuar nëse ndaj ndonjërit prej ministrave ka ndonjë proces hetimor të nisur, apo që është në fazë verifikimi për të nisur ose jo procedimin.
“Presidenti Ilir Meta kërkon të informohet nëse dispononi të dhëna, apo informacione mbi emrat e kandidatëve të propozuar lidhur me procese hetimore, apo penale që janë nisur, apo mund të jenë në fazë vlerësimi për t’u inicuar për secilin prej tyre”, thuhet në shkresën e dorëzuar nga Meta në Prokurori.
Nga lista e ministrave të propozuar nga Rama, vetëm Niko Peleshi i propozuar si ministër i Mbrojtjes ka një dosje hetimore në Prokurorinë e Tiranës, që në kohën kur ishte ministër i Bujqësisë. Dosja hedh dyshime ndaj tij për 4600 litra helm insektesh të futura në vendin tonë, të njohura ndryshe si silikon mix.
I vendosur në lupën e Prokurorisë prej kohës së ish-Prokurores së Përgjithshme Arta Marku, Niko Peleshi duket se i ka shpëtuar drejtësisë për shkak të shkarkimeve të prokurorëve nga vettingu, duke sjellë në këtë mënyrë pingpong të dosjes mes prokurorëve. Që prej kohës kur ish-prokurorja e shkarkuar Alketa Zifla kërkoi informacion mbi fatin e dosjes, Alket Mersini, prokurori që e hetoi çështjen pati të njëjtin fat, shkarkimin nga drejtësia.
Emrat e ministrave të rinj në prokurori / Meta kërkon verifikime
Aktualisht, siç mësoi Top Channel, dosja e silikon mix dhe për rrjedhim e Niko Peleshit gjendet në duart e Sonila Domit, një ish-prokurore e Krimeve të Rënda, e konfirmuar në detyrë nga vettingu dhe aktualisht vijon të jetë në pritje të një serie përgjigjesh nga institucionet doganore. Skandali i silikon mix u investigua nga Top Channel gjatë vitit 2019 ku dhe dolën në dritë se sasia prej 4600 litrash kimikate u lejua me firmën e Ministrit të Bujqësisë së asaj kohe, Niko Peleshi që të përdorej nga fermerët ndonëse AKU i bllokoi për shkelje të rënda.
Investigimi zbuloi njëherazi se silikon mix importohej nga jashtë si pleh kimik, nuk përmbante gjithë elementët kimikë që kishte brenda, por në treg fermerët e përdornin si pesticid. Për të futur helme bujqësore në Shqipëri duhet marrë një leje e posaçme, e cila kërkon standardet e Bashkimit Evropian dhe për të anashkaluar këtë pengesë importuesi e maskonte si pleh kimik.
Por cila është lidhja e Peleshit me ngjarjen? Me urdhrin direkt të tij, ngarkesës prej 4600 kilogram me këtë helm bujqësor iu hoq bllokimi dhe u lejua shitja. Prokuroria e Tiranës hapi një hetim për çështjen dhe e thirri në prokurori ministrin Niko Peleshi, ndërsa hetimi po zgjatet në kohë jo vetëm nga vettingu, por edhe nga mos kthimi i përgjigjeve të institucioneve që duhet të raportojnë procedurën.
Gazeta Shqip