Emrat/ Fati i keq i zyrtarëve të drejtësisë që “i shërbyen” Fatmirit dhe Geronit (Xhafaj)
Emrat/ Fati i keq i zyrtarëve të drejtësisë që “i shërbyen” Fatmirit dhe Geronit (Xhafaj)
Dhjetor 9, 2019
Nga Boldnews.al
Shumë zyrtarë të drejtësisë, të cilët shpresuan se, duke ndihmuar Fatmir Xhafajn dhe vëllain e tij trafikant, Agron (Geron) Xhafaj, do të bënin karrierë të lartë apo do të kalonin pa problem të Vetingut, u zhgënjyen në mënyrë spektakolare.
Pjesa më e madhe e tyre që kanë kaluar nëpër duar dosjen “Geron” tashmë e shohin veten jashtë sistemit ose larg zyrave kryesore vendimmarrëse, të cilat i gëzonin kur vendosën t’i “përuleshin” vullnetit të ish-ministrit të Brendshëm dhe të ashtuquajturit “babai i Reformës në Drejtësi”, Fatmir Xhafaj.
Lista e “fatkeqëve” të Fatmirit (Xhafaj) është disi e gjatë, por ende jo-shteruese;
Arta Marku
Hetimi, i nisur ndaj Agron (Geron) Xhafaj si i përfshirë në trafik narkotikësh, nisi kryesisht, me urdhër të ish-Kryeprokurores së Përkohshme.
Por, siç u konstatua shumë shpejt, urdhëri nuk lidhej me hetimet për Geronin, por me personat që ngritën dyshime për vijimin nga ana e tij të narko-trafikut, ndër të cilët Albert Veliu, ish-deputeti demokrat Ervin Salianji dhe gazetari Jetmir Olldashi. Ata akuzohen për “kallëzim të rremë”, në bazë të një hetimi shumë të dyshimtë.
Arta Marku, e cila kishte shpresë që statusi i saj i përkohshëm të shndërrohej në mandat të plotë 7-vjeçar, u rrëzua pak ditë më parë në Parlament. Ajo humbi përballë rivalit Olsian Çela dhe tashmë duhet të rikthehet në zyrën e saj periferike, në prokurorinë e Shkodrës.
Donika Prela
Urdhëri i Arta Markut u zbatua me përpikmëri nga mikesha e saj, drejtuesja e Krimeve të Rënda, Donika Prela. Kjo e fundit, me shërbimin ndaj Fatmir Xhafaj, ka shpresuar që të vijonte të ishte drejtuese, por kësaj radhe e Prokurorisë Speciale-SPAK.
Donika Prela u rrëzua në “provimin” për të qenë anëtarë e SPAK-ut, ndërkohë që po pret përballjen me Kolegjin e Posaçëm të Apelimit ku, me shumë mundësi, do të rrëzohet për shkak të problematikave të theksuara me pasurinë, të evidentuar gjatë procesit të Vetingut.
Gentjan Osmani
Prokurori Gentjan Osmani udhëhoqi hetimet e kryera nga Krimet e Rënda për dosjen “Geroni”. Pas “shërbimit” për Fatmir Xhafajn dhe vëllain e tij, prokurori Osmani u promovua si anëtar i Këshillit të Lartë të Prokurorisë dhe kaloi pa shqetësim shkallën e parë të Vetingut, megjithëse kishte probleme të theksuara me pasurinë.
Problematikat që i anashkaloi Komisioni i Pavarur i Kualifikimit (KPK), i evidentoi shkalla e dytë e Vetingut, e cila vendosi shkarkimin e tij nga detyra, në 31 Korrik 2019.
Përparim Kulluri
Pas Osmanit, të njëjtin fat të keq kishte edhe kolegu i tij në dosjen “Geron”, Përparim Kulluri. Ai u shkarkua nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit në 6 Nëntor 2019, për shkak të problematikave që iu konstatuan gjatë procesit të Vetingut.
Liljana Baku
Gjyqtarja e Krimeve të Rënda, Liljana Baku, e cila pranoi kërkesat e dyshimta të prokurorisë për caktimin e masave të sigurisë ndaj “denoncuesve” të Agron (Geron) Xhafaj, dha dorëheqjes së fundmi nga detyra, pak para se të përballej me procesin e Vetingut.
Baku, e cila ishte në verifikim nga KPK-ja prej rreth 1 viti, vendosi të paraqesë dorëheqjen në 2 Dhjetor 2019 para Këshillit të Lartë Gjyqësor. Justifikimi është jo shumë i besueshëm-“për shkak të një angazhimi të mundshëm në sektorin privat”.
Artan Bajrami
Ish-drejtuesi i Prokurorisë së Apelit për Krime të Rënda, Artan Bajrami, i cili përkrahu kolegët e tij të shkallës së parë në çështjen “Geron”, megjithëse ishte e qartë që dosja nuk kishte prova, u rrëzua në procesin e Vetingut.
Ai u shkarkua nga detyra në 14 Shkurt 2019, pasi Komisioni i Pavarur i Kualifikimit konstatoi një seri problematikash në pasurinë e tij.
Gjovalin Përnoca
Gjovalin Përnoca, ishte drejtues i trupit gjykues të Gjykatës së Apelit të Krimeve të Rënda, i cili vendosi të mos ndryshonte masën e sigurisë për “denoncuesit” e Geron Xhafajt, pavarësisht se provat e prokurorisë nuk ishin aspak të tilla, gjithashtu u rrëzua në procesin e Vetingut.
Komisioni i Pavarur i Kualifikimit e shkarkoi Përnocën në 13 Shtator 2019, pasi i konstatoi problematika gjatë rivlerësimit.
Ndërkohë, ka ende gjyqtarë e prokurorë, të cilët kanë kaluar në duar dosjen “Geron” dhe, me shumë mundësi, shpresojnë nga “zemërgjerësia” e Fatmir Xhafajt, i cili ka organizuar dhe drejtuar procesin e përzgjedhjes së anëtarëve të strukturave të Vetingut.