EMRAT: Tre shqiptarë mes viktimave të tragjedisë hekurudhore në Greqi
2 Mars 2023
Gjatë gjithë natës ekipet e shpëtimit kanë vazhduar të kërkojnë dëshpërimisht mes llamarinave të shkrumbuara dhe vagonëve të shkatërruar dhe në orët e para të mëngjesit kanë rifilluar të punojnë edhe vinçat për të larguar pjesët e dëmtuara.
Ndërkohë autoritetet mjekësore të qytetit të Larisës, në spitalin e të cilit janë dërguar trupat e viktimave, njoftojnë se bilanci tragjik i aksidentit më të madh hekurudhor në Greqi ka shkuar tashmë në 47 të vdekur, 42 të konfirmuar zyrtarisht, prej të cilëve 7 krejtësisht të djegur. Të plagosurit janë 57. Mes tyre, 6 në gjendje kritike që po luftojnë për jetë a vdekje.
Sipas korrespondentit të Top Channel në Greqi, në spital janë edhe dy shqiptarë të plagosur në aksident, Roberto Dristi 25 vjeç dhe Anisa Liuri 23 vjeçe. 38 prej viktimave që nuk janë identifikuar, janë të rinj të moshës 20 deri në 30 vjeç. Gjithashtu flitet edhe për një numër personash që konsiderohen të zhdukur, por nuk ka ende një shifër të saktë për ta.
Mes të zhdukurve, sipas korrespondentit janë edhe tre shtetas shqiptarë Klaudia Lata, Pavlin Bozo dhe Denis Ruçi.
Pavlin Bozo, 60-vjeç ishte nga Lushnja dhe punonte në një bar/bufe brenda në tren.
Greqia ndodhet tani në ditën e dytë të zisë kombëtare ndërkohë që qeveria thotë se ka nisur një hetim i pavarur dhe se jepet drejtësi.
Ndërkohë, protestat kanë shpërthyer në Greqi pas aksidentit të tmerrshëm hekurudhor që mori 47 jetë njerëzish, pasi shumëkush e sheh atë si një aksident që pritej të ndodhte. Protestuesit u përleshën me policinë jashtë zyrave qendrore të Hellenic Trains, në Athinë, kompania përgjegjëse për mirëmbajtjen e menaxhimin e hekurudhave në Greqi.
Protesta u zhvilluan edhe në Selanik dhe në qytetin e larisës, ku edhe ndodhi tragjedia mbrëmjen e të martës.
Gazeta Dita