Ende nuk janë publikuar të dhënat e Censit të popullsisë: – Vonesat fshehin disa shifra, frikë e një qeverie që i mban njerëzit me propagandë
7 Janar 2024
Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku ka ngritur shqetësimin e mospublikimit të të dhënave të censit të popullsisë. Me anë të një postimi në Facebook, Tabaku shkruan se vonesat duket se fshehin disa shifra që nuk i pëlqejnë kujtdo.
Një nga arsyet sipas Tabakut me shumë mundësi, është dhe numri i shqiptarëve që janë larguar nga vendi në këto 10 vite.
Tabaku sqaron se “ky skanim i imtësishëm dhe panoramë e plotë e kësaj krize demografike dhe ekonomike është frika e një qeverie që i mban njerëzit me propagandë dhe opinion pa fakte”.
Reagimi i Jorida Tabakut
A duhet të ishin publikuar të dhënat paraprake të Census?
Mbas dy vite shtyrje më në fund në mes shtatori të vitit të shkuar nisi Censusi popullsisë që sipas kalendarit duhet të zgjaste 6 javë! Mbas një shtyrje te re (prej interesit të lartë thonë, kur në fakt duket e kundërta) akoma sot nuk kemi rezultatet paraprake të Censusit. Për referencë në Censusin e shkuar, i cili u zhvillua pak a shumë në të njëjtën periudhë në 2011, rezultatet paraprake u publikuan në mes dhjetori!
Këtë herë, vonesat duket se fshehin disa shifra që nuk i pëlqejnë kujtdo. Siç dihet mund të ndahemi në opinione por shifrat janë fakte dhe ato flasin më mirë se sa çdo opinion. Një nga arsyet që nuk kemi asnjë të dhënë nga censusi, me shumë mundësi, është dhe numri i shqiptarëve që janë larguar nga vendi në këto 10 vite. Ky emigrim do të pasqyrojë edhe varfërinë e familjeve shqiptare, që në fakt raportohet çdo muaj nga INSTAT me të dhëna të tjera. Fjala vjen Anketa Familjes, karahasimi me EUROSTAT, Indeksi Çmimeve të Konsumit apo dhe situata me pagën reale në 12 qarqe flasin për krizën ekonomike të ardhurat në rënie të familjeve shqiptare, gjendjen e mjerueshme në fshat dhe për diferencën e thellë mes qarqeve dhe qyteteve!
Ky skanim i imtësishëm dhe panoramë e plotë e kësaj krize demografike dhe ekonomike është frika e një qeverie që i mban njerëzit me propagandë dhe opinion pa fakte.
Frikën e qeverisë e kuptoj, ndonëse nuk e ndaj pasi besoj se Censusi duhet të shërbejë si mjet në shërbim të politikave për të ndihmuar vendimarrjen për ndarjen e buxhetit, për mbështetjen e qarqeve me fonde por dhe për të kuptuar dinamikat e popullsisë! Fatkeqësisht po kthehet në një mjet në shërbim të politikës!
Gazeta Panorama