Eneda Tarifa, fituesja e Kënga Magjike
Fituesja e edicionit të 21 të festivalit më të madh të këngës moderne është Eneda Tarifa, me këngën “Ma zgjat dorën”. Fituesja e Kënga Magjike u vendos nga publiku, juria dhe votimi i artistëve për njëri tjetrin.
“Ju falenderoj nga zemra për të gjithë suportin e vazhdueshëm që i keni bërë këngës, suportin profesional, suportin rastësor që ndodhi për atë që ndodhi. Mos harrojmë që jemi për një mision, mos harrojmë që ky festival i dedikohet shtëpive të rrënuara prej tërmetit dhe neve të gjithë bashkë keni bërë të pamundurën që të ndërtojmë qoftë edhe një shtëpi, sepse kjo është mundësi jonë si artistë. Prandaj një duartrokitje të gjithë artistëve të mrekullueshëm që pranuan në një kohë kaq të vështirë të bëjnë një spektakël të tillë, të bëjnë Këngën Magjike. Tani unë e kam shumë të vështirë që të flas, sepse jam e mbushur me emocione, por mendoj që duhet t’i bëj dy falenderime. Falenderimi i parë dhe shumë i rëndësishëm shkon për një dorë të mrekullueshme muzikore që e gëzon gjithë shqiptaria, Flori Mumajesi faleminderit! Falenderimi i dytë është për të gjithë artistët, por mbi të gjitha për balerinët e mi që vijnë enkas për këtë projekt. Dhe sigurisht Ardit Gjebrean”,
tha e emocionuar këngëtarja Eneda Tarifa.
Në vendin e dytë u rendit Fifi, e cila mori pikët maksimale nga publiku, mbështetja e të cilit u ndje edhe në sallën e Pallatit të Koncerteve. Ndërsa në vendin e tretë u rendit këngëtarja Anxhela Peristeri.
Kënga Magjike erdhi këtë vit ndryshe. Për herë të parë pas 20 vitesh, nuk u ndanë çmime dhe nuk pati nominime.
Të vetmet çmime ishin ato për dy kategoritë e reja të këtij viti, New International Artist dhe Best Big International, si dhe për artistin e ri më të mirë.
Kështu, Çmimi Best New Artist shkoi për Khuba, New International Artist shkroi për grupin italian Sisma dhe Best Big International shkoi për artisten nga Maqedonia e Veriut, Tamara Todevska.
Këngët, skenografia, ndriçimi të ndërthurura mirë me njëra-tjetrën sollën në këtë finale një spektakël madhështor. 45 artistë kënduan për të ndërtuar në këtë edicion të 21-të, të festivalit Kënga Magjike. Të ardhurat e mbledhura nga biletat do të shkojnë për të mbështetur të prekurit nga tërmeti i 26 Nëntorit