Eno Koço nxjerr nga harresa veprën e Gjon Kujxhisë. –
Eno Koço nxjerr nga harresa veprën e Gjon Kujxhisë
Nga Dhurat Hamzai. –
Libri me vlera studimore “Valle Kombëtare dhe Hengu Shkodran” promovohet sot në Akademinë e Shkencave.
Gjon Kolë Kujxhia një emër i lënë në harresë, rrojti pak, por për 23 vitet e jetës që pati la pas veprat të vyera të trashëgimisë folklorike popullore. Fatkeqësisht të lëna për shumë vite në harresë…!
Studiuesi dhe muzikologu Eno Koço u ka shkundur këtyre thesareve të trashëgimisë “pluhurin e harresës” dhe i mbodhi me kujdes në botimin kushtuar Gjon Kolë Kujxhisë që titullohet “Valle Kombëtare dhe Hengu Shkodran”.
Ky libër do të promovohet sot në Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në orën 11.00. Bëhet fjalë për një botim të 1940-s, të cilën Eno Koço e shoqëron me shkrime historike për figurën dhe kontributin e tij, duke iu ribotuar në mënyrë fototipike studimet e tij të atyre 78 viteve më parë. Për Gjon Kolë Kujxhinë dhe studimet e tij gjatë promoviomit të sotëm do të flasin Dr. Eno Koco, Prof. Zef Coba, Dr. Tonin Cobani, Dr. Mikaela Minga dhe Dr. Admir Ballgjati.
Duke biseduar me autorin e mbledhjes së këtij studimi Eno Koçon, ai rrëfen për “Shqiptarja.com” se “libri është shoqëruar me shkrime historike për figurën dhe kontributin e Gjon Kujxhisë, të cilat ribotohen njëherësh në mënyrë fototipike me studimet e tij të viteve 1940 “Valle Kombëtare dhe ahengu shkodran”.
Libri është edituar nën përkujdesjen e Prof. As. Dr. Eno Koços, ndërsa për botimin do të flasin prof. as. Dr. Eno Koço, Dr. Tonin Çobani, Dr. Mikaela Minga dhe Dr. Admir Ballgjati, nën moderimin e akademikut Vasil Tole. Eno Koço, duke folur për rëndësinë dhe vlerën e veprës së një studiuesi kaq të ri, ka shkruar në këtë libër se: “Kujxhija i transkriptoi me përgjegjshmëri të lartë meloditë e 52 valleve të kënduara nga vetë goja e ‘atyne trembëdhetë zojave kah ka ndigjue vallet, e prei atyne nandë zotnijve sigurisht do ta ketë ndigjue mâ se ‘i herë’—shkruante Injac Zamputti nga Shkodra në tetor të vitit 1943.” Më tej Eno Koço pohopn se: “burimi i parë i këtyre valleve të kënduara të ritualit të martesës kanë qenë vetë praktikantët locale, edhe pse duke qenë trashëgimi gojore dhe jo e notëzuar nuk mund të thuhet se varianti i transkriptuar i Kujxhisë të ishte i vetmi që praktikohej aso kohe në Shkodër”.
Injac Zamputti në tetor të vitit 1943, pra pa u bërë muaji nga humbja e Kujxhisë, do të konstatonte nga Shkodra me kompetencën gati të një muzikologu se ‘kush i njeh vallet tona, natyrisht, aty-këtu ka për të gjetë në ketë libër ndo ’i ndryshim prei si i këndon aj vetë o gjindja e shtëpìs së tij e si dalin ndër këto nota. Por aj ndryshim, shum i paktë, rrjedh prejse personat qi i këndojnë vallet nuk i këndojnë të gjith njinji. A s’ju ka rà ndo ’i herë rasa me ndie valle ndër darsma e me vrejtë se dikush i këndon me ndryshim prei tjerësh, ndryshim qi âsht mâ fort nji varjacjon se sa nji gabim? Janë sende qi kurrsesi nuk mund t’ unjisohen. Këndej mundet qi ndokush, tue i marrë vallet me “notat” e librit, ka me u topitë kur të gjejë ndo ’i ndryshim’ (Zamputti, ‘Leka’, 1943).”, shkrtuhet në këët libër. Ndërsa Eno Koço thotë se libri ka një vlerë të madeh studimore.
“Si muzikë tradicionale lokale ky ritual i dasmës, fejesës a shregullave ishte produkt i një tradite të hershme muzikore e zhvilluar përmes procesit të transmetimit gojor dhe që me kalimin e kohës vazhdoi të përthithet nga tradita e gjallë dhe e pashkruar e komunitetit. Libri Valle Kombëtare është botim i cilësisë së lartë në përmbajtjen e të cilit gjenden meloditë e notëzuara me tekstet përkatëse bashkë me studimin dymbëdhjetë faqesh, Diftojsi-n prej dy faqesh, si dhe dy faqe të tjera me tekste këngësh.”, thotë Eno Koço. Sipas tij faqet janë të formateve të traktateve të kohës (23×16 cm) dhe studimi muzikologjik peshon mirë në hapsirën tërë frymëmarrje të këtyre faqeve. Madhësia e shkronjës dhe hapsira mes rreshtave i japin një dimension edhe më të këndshëm leximit dhe asimilimit të përmbajtjes së argumentimit teorik. “Që në nismën e Parathanje-s, Kujxhija shpjegon nocionin ‘valle’, pra përse i quan këto valle dhe jo këngë të dasmës shkodrane, duke bërë dallimin midis togfjalëshit ‘të heqim valle’ dhe ‘me i a thanë valles’.
‘Të heqim valle’—shënon Kujxhija—‘ka kuptimin me dancue’, veprim që është i zhvilluar në jug të Shqipërisë, ‘Dardhë, Përmet, e sidomos Labërí, kû, sikuerse më ka diftue folkloristi i njoftun dhe muzikanti i vlerët P. Bernardin Palaj, kemi ende të ruejtun vallen mâ të vjetrën, ma karakteristiken dhe origjinalen të quejtun “Vallja Pirrike”.”, shkruan Eno Koço në këtë libër. Sipas studiuesit Palaj “Emni difton gjithça: originën dhe vjetërsinë. Duket se kjo valle u hiqte n’oborret e mbretit epiriot për me kremtuemun fitoret e bame dhe me përkujtuemun herojt e ramë. Kjo valle kaq e randsieshme, të cillën e kan marrë prei nesh Grekt, lypë nji studim të veçantë’ (Kujxhija, Valle Kombëtare, VI).”
Eno Koço pohon se Mustafa Krantja përveçse vlerësimit që i bën veprës së Kujxhisë, duke qenë vetë muzikant e që studionte edhe ai aso kohe në Itali, synonte që mbrojtjen e veprës së Kujxhisë ta bënte përmes rrahjeve të mendimeve duke gjykuar se Kujxhija ‘pohon se edhe sot në dialektin Lab flitet për këtë valle e se Grekët e paskan marrë prej nesh atë lloj danci”. Si kjo spjegon edhe rytmin PIRRIK grek që i përgjigjet rytmit dykohësh 2/8’ (Krantja, ‘Bashkimi i Kombit’, 1944).
Për jetën e Gjon Kolë Kujxhisë, ka folur më gjerësht në shkrimin e tij Eno Koço. Nga studimi që i ka bërë jetës së tij, kuptojmë se po të kishtë rrojtur gjatë, do t’i kishtë dhënë vendit një kontribut të jashtëzakonshëm, por për fat të keq pikërisht pasioni e këmbëngulja për muzikën dhe kompozimin u bënë shkak që ai të kishte një vdekje tragjike. Ai humbi jetën në moshën njëzetrevjeçare gjatë një bombardimi që u bë Firenze më 25 shtatuer 1943 gjatë Luftës së Dytë Botërore.
I përhumbur mes pentagrameve muzikore me të cilat po punonte ai nuk pranoi të lëvizte në vendstrehim bashkë me familjen. Mbeti i vrarë nga bombardimi mbi tavolinë duke përgjakur ëndërrat më të bukura të krijimtarisë dhe duke ndërprerë edhe veprën e trashëgimsië kulturore që do t’I sillte vednit të tij. Kishte lindur me shenjën e një ylli, por që për fat të keq u shua shpejt.