
Epidemi fruthi në SHBA, qindra të infektuar dhe dy viktima, CDC vë alarmin: Priten më shumë raste!
8 Mars 2025
Epidemia e fruthit që ka shpërthyer në jugperëndim të Shteteve të Bashkuara ka marrë jetën e dy personave, ndërsa rastet tashmë kanë arritur në afro 230, sipas të dhënave të fundit të publikuara, duke detyruar autoritetet shëndetësore të lëshojnë një paralajmërim për udhëtarët dhe profesionistët shëndetësorë.
Teksasi ka regjistruar 198 raste deri dje, ndërsa Nju Meksiko 30 të tjera. Një vdekje është konfirmuar në secilin prej dy shteteve. Të dyja viktimat ishin të pavaksinuara.
Qendrat për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve (CDC), agjencia kryesore federale shëndetësore, ia atribuoi të dyja vdekjet, fruthit.
“Priten më shumë raste pasi ky shpërthim vazhdon të përhapet me shpejtësi”, paralajmëroi CDC në një buletin urgjent për një rrjet të veçantë të destinuar për profesionistët e kujdesit shëndetësor, zyrtarët shëndetësorë dhe udhëtarët.
Fruthi, një sëmundje shumë ngjitëse, transmetohet përmes frymëmarrjes dhe mund të mbetet në ajër deri në dy orë pasi një person i infektuar të largohet nga zona ku ndodhej. Shkakton temperaturë të lartë, probleme me frymëmarrjen, skuqje që përhapen shpejt dhe mund të kenë komplikime serioze, duke shkaktuar pneumoni, encefalit akut, koma, madje edhe vdekje.
Mbrojtja më e mirë mbetet vaksinimi.
Vaksina e fruthit, garanton imunitet të përjetshëm prej 93% pas një doze dhe 97% pas dy dozave, por shkalla e vaksinimit është në rënie në SHBA, veçanërisht pas pandemisë së koronavirusit, e cila u pasua nga një valë keqinformimi për vaksinat.