Epitafi dhe është një ndër tre vepra të këtij lloji në botë. Në qendër të tij konturohet trupi i Krishtit  të vdekur, shtrirë mbi një çarçaf, rrethuar nga shenjtorë, serafinë e ëngjëj, përbënte një mister për studiuesit, të cilët kanë qenë të interesuar të zbulojnë diçka më shumë rreth historisë së krijimit të tij, por edhe të realizimit.

Epitafi i Gllavenicës është një nga objektet më të rëndësishme që trashëgon Shqipëria nga Mesjeta, një brilant historie e teknologjie. Ai është konceptuar si një pikturë, duke përdorur të gjithë elementët e saj, ka një larmi ngjyrash, dritë – hije, madje dhe një pikë imagjinare drite, e cila ndriçon gjithë epitafin dhe i japin atij një vezullim gati qiellor. Mbi të është shkruar: “U plotësua (u qëndis) ky areas (epitaf) i gjithënderuar dhe i hyjshëm i së mbishenjtës Hyjëlindëse të patundur, me shpenzimin dhe mundimin e episkopit të gjithëhirshëmKalisit të Glavenicës dhe Beratit në muajin mars 22, viti 6881(1373) . Ti që zotëron jetën, ah! Si (je) trup i vdekur pa frymë. Në kohën e zotërimit të zotërijve të shumëlartë të Serbisë, Rumanisë dhe gjithë Albanit dhe vëllezërve Gjergjit dhe Ballshës. Dora e Gjergj Arianitit dhe arëqëndisësit”.

 

Mendohet se Epitafi i Glavenicës është qëndisur nga dora e murgut Savia, me porosi të Gjergj Araniti, që historikisht i bie të jetë gjyshi i vjehrrit të Skënderbeut. Thuhet se epitafi është gjendur në bodrumin e një shtëpie të rrënuar në Ballsh, e cila në atë kohë ishte dioqezë, ku ishte futur për tu ruajtur si një objekt shumë i vlefshëm dhe se ishte dëmtuar nga minjtë, gjë që ne e vumë re gjatë restaurimit, në njërën nga mbulesat anësore të epitafit. Në këtë “ikonë të qëndisur” me fije tekstile dallohen katër ngjyra bazë: e kuqe, blu, jeshile dhe e verdhë, të shoqëruara me nuanacat përkatëse. Ai, së bashku me disa objekte të tjera të MHK-së, si ikona e objekte që i takonin pavijonit të Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare, u grabitën në vitin 1995 dhe u rigjet, ose më saktë u rikthye një vit më vonë, në vitin 1996.