28 Mars 2025

Pas Blendian Dalipajt, drejtorit të Operatorit të Sistemit të Shpërndarjes, i cili e shfrytëzoi pozitën e tij për të përfituar miliona euro përmes kompanive familjare, në skenën e pasurive me tenderat e dyshimtë shfaqet një tjetër emër i njohur: Klevis Jahaj, drejtori i Agjencisë Kombëtare të Ujësjellës Kanalizimeve (AKUM). Si Dalipi, Jahaj ka përdorur pozitën e tij për të pasuruar miqtë e tij dhe ata që janë afër tij, duke përdorur si mjet punët publike. Ky fenomen nuk është i rastit, por një vazhdim i skemës së favorizimeve të dirigjuara nga Belinda Balluku, e cila ka krijuar një sistem që i jep mundësi drejtorëve të saj të pasurohen përmes kontratave dhe tenderave publikë, ndërkohë që shteti dhe qytetarët mbeten të privuar nga përfitimet reale të fondeve publike.

Denoncimet për Klevis Jahajn

Klevis Jahaj që ka “shkëlqyer” për menaxhimin e tij të jashtëzakonshëm të burimeve ujore, duke siguruar që oligarkët të mos mbeten pa ujë, ndërsa qytetarët e thjeshtë të “ngrohen në diell”, po bën fushatë në Fier pasi ndodhet në listat e kandidatëve të PS për deputet në zgjedhjet e 11 majit. Në këtë qark drejtuese është Belinda Balluku. Pasi mori përsipër drejtorinë e AKUM, Jahaj u përfshi në një skandal tenderash, duke favorizuar miqtë e tij. Një tender i dyshimtë i firmosur nga Jahaj për një projekt kanalizimi në Spillë, vlerë 8.9 milionë euro, i shpalli fituese kompani të lidhura ngushtë me individë nën hetim për korrupsion, duke thelluar dyshimet për abuzim me fondet publike.

Detajet

Spartak Kovaçi ish drejtori i Ujësjellësit të Durrësit do të mbahet mend më së shumti për dy gjëra. Së pari sepse nën administrimin e tij falimentoi Ujësjellësin e Durrësit, ndërsa rekordi i dytë është se i jepte tendera familjes së tij. Pasi skandali i zotit Kovaçi shpërtheu në publik dhe pasi mediat raportuan se në zyrën e tij mësynë hetuesit e BKH-së, në mars të vitit të kaluar, Belinda Balluku u detyrua ta largojë nga detyra duke e zëvendësuar atë më Gerald Dautajn. Por ndonëse u largua nga drejtimi i Ujësjellësit, zoti Kovaçi nuk është larguar nga përfitimi i tenderave publikë të ujësjellësave. Dhe i fundit është një llokmë shumë e madhe. Në fund të vitit të kaluar, Agjencia Kombëtare e Ujësjellës kanalizimeve hapi një tender me vlerë 8.9 milionë euro për sistemin e ri të kanalizimeve në zonën e Spillesë.

Në garë u paraqitën vetëm dy oferta. Ajo e bashkimit të shoqërisëve 2T dhe Adriatik me vlerë 8.4 milionë euro si dhe oferta e dytë e shoqërisë Fusha me vlerë 8.85 milionë euro, shumë pranë fondit limit. Agjencia e Ujësjellës Kanalizimeve shpalli fituese bashkimin e kompanive 2T dhe Adriatik. Kompania e parë njihet gjerësisht për publikun si ndërtuesja e banesës së kryeministrit Edi Rama në Surrel. Ajo zotërohet nga dy aksionerë, njëri prej të cilëve është Artan Sako, vëllai i ish komandantit të Gardës. Ndërsa kompania e dytë njihet si kompania e familjes së Spartak Kovaçit, pasi zotëruesi i 100 për qind të aksioneve të saj është Petrit Kovaçi, babai i ish drejtorit të Ujësjellësit të Durrësit. Zyrtari që firmosi tenderi 8.4 milionë euro për Kovaçin është Klevis Jahaj, drejtori i përgjithshëm i Agjencisë Kombëtare të Ujësjellës Kanalizimeve.

Zoti Jahaj dhe zoti Kovaçi nuk janë të panjohur për njëri tjetrin. Bashkë ata kanë qarë hallet e Shqipërisë duke punuar ditë e natë për zgjidhjen e tyre dhe zhvillimin e vendit. Ka foto të Jahaj dhe Kovaçit që shfaqen në një mbledhje të drejtuar nga Emirjana Sako, ku u shtruan bazat për reformën në sektorin e Ujësjellës Kanalizimeve në Durrës me plan rritjen e investimeve në shkallë rajonale. Dhe investimet me sa duket janë me cikël të mbyllur. Ata që marrin vendimet për investime, pasi mbarojnë mbledhjet i firmosin tendera njëri tjetrit. Por ky është një tender që ka dhe një veçori tjetër. Të gjithë garuesit janë persona nën hetim ose me masë nga SPAK. Biznesmeni Shkëlqim Fusha është me masën e detyrimit të paraqitjes për çështjen Veliaj, ndërsa Sako dhe Spartak Kovaçi janë nën hetim dhe janë thirrur disa herë në zyrat e SPAK. Megjithatë fijet e këtyre personazheve me pushtetin ngjasojnë me ato të merimangës.

Zoti Kovaçi është duke ndërtuar një hotel luksoz në Durrës. I quajtur Azure Elegance Hotel, leja për të është marrë në maj të vitit 2023 nga kompania Adriatic Union. Kjo e fundit në atë kohë zotërohej nga dy aksionerë, Petrit Kovaçi dhe Genti Klosi, vëllai i zëvendësministrit të Infrastrukturës, Ceno Klosi. Më vonë, pas marrjes së lejes me firmën e Edi Ramës, Genti Klosi i shiti aksionet për një çmim simbolik dhe pronar i kompanisë u bë 100 për qind Petrit Kovaçi. Nuk dihet nëse shitja ka qenë reale, pasi një sërë hetimesh të SPAK kanë treguar se në shumë raste pronarët në letra dhe ata faktikë të kompanive nuk përputhen. Pra këta janë të ashtuquajturit djemtë e Ballukut, të cilët drejtojnë kompanitë dhe agjencitë më të rëndësishme të vendit, ku prokurohen miliarda lekë çdo vit. Në shkrimin e radhës, gazeta “SOT” do të flasë për një tjetër drejtor të Belinda Ballukut, që ka abuzuar me lekët e taksapaguesve shqiptarë.

Gazeta Sot