“Erdha këtu i uritur në ’98, sot dua të dhuroj bukë për të skamurit”
“Erdha këtu i uritur në ’98, sot dua të dhuroj bukë për të skamurit”
4 prill 2020
Edmond Prenga është një 39-vjeçar shqiptar që mbërriti në Itali si emigrant, ndërsa tani është pronar i një furre buke në Romë.
Ai ka vendosur të ndërmarrë një nismë humane në këto ditë të vështira për Italinë, duke ofruar bukë falas për cilindo ka nevojë.
Edmondi shpjegon arsyet e këtij gjesti njerëzor: “Kam provuar urinë, mbërrita në Itali në 1998-n pa një lirë në xhep, i njoh mire këto probleme, kështu që vendosa që pakot me bukë t’i lija jashtë furrës, duke menduar që njerëzit kanë turp të kërkojnë ushqim, dhe ishte mire t’i lija veçmas”.
22 vite më parë Italia e mirëpriti duke e ushqyer, dhe ai nuk e ka harruar të shkuarën andaj dëshiron t’ua shpërblejë.
“U rritëm me mitin e Italisë që fëmijë në Shqipëri, kemi ëndërruar të vinim këtu. Marrëdhënia me ju italianët është e fortë – thotë ai -. Ne shqiptarët e njohim varfërinë, sot po rimëkëmbemi, por nuk ka qenë gjithmonë kështu. Unë mendoj se Edi Rama bëri një gjë të bukur, e cila tregon zemrën e madhe të shqiptarëve dhe lidhjen me Italinë”.
Shembullin e Edmond Prengës e ndoqën edhe pronarë të tjerë të bizneseve në Itali. Të gjithë të huajt.
“Shpesh ndokush na ka sulmuar, por në këtë situatë krize nuk ka dallime feje dhe etnie. Jemi të gjithë të bashkuar. Zona e Piazza Bolonjës gjithmonë na ka trajtuar mire, është plot me njerëz të rinj dhe të mirë. Kur e vunë re nismën tonë shumë u impresionuan”, mbyll rrëfimin e tij Edmondi.
Që prej lajmit të mbërritjes së 30 mjekëve dhe infermierëve tanë atje, Shqipëria dhe komuniteti shqiptar në Itali ka qenë në vëmendjen e mediave vendase.
Shumë media italiane e konsideruan shembullin e Shqipërisë së vogël një leksion për Bashkimin Evropian burokratik, ndërsa në mediat vendase ballafaqoheshin dy realitete ai i Shqipërisë gjatë eksodit të fillim pluralizmit, dhe i Italisë së gjunjëzuar sot në pritje të një dore të shtrirë drejt saj.
Megjithatë, nuk janë vetëm mjekët dhe infermierët, por edhe shumë nisma personale si kjo e Edmondit që po thyejnë dita-ditës steriotipet e vjetra të shqiptarëve si “hajdutë dhe kriminelë”. Tanimë shqiptarët po portretizohen në mediat vendase si njerëz bujarë e me zemër të madhe, që dinë t’i gjenden mikut në vështirësi.
e.r. dita