Erdogan i vuri “këmbët në një këpucë”, Edi Rama fillon lëshimin e gylenistëve për t’i bërë fresk “Sulltanit”. – Policia turke zbarkon në Tiranë
Edi Rama – Erdogan
2 Shtator 2022
Gazeta Sot
Kryeministri Edi Rama mesa duket ka nisur zbatimin e urdhrit të presidentit turk Recep Tayip Erdogan për të goditur kundërshtarët e tij gylenistë që strehon në Shqipëri, të cilët janë në kërkim për vepra të ndryshe penale nga autoritetet turke. Sinjalet u dhanë që nga takimi i kreut të qeverisë me Erdoganin në Turqi për ceremoninë zyrtare të Lojërave të Solidaritetit Islamik, ku ishte e përfshirë edhe skuadra olimpike shqiptare. Gazeta “SOT” e raportoi pak ditë më parë se Erdogan e ka thirrur Ramën në zyrë dhe nga burimet, presidenti turk i ka kërkuar llogari në mënyrë të prerë kreut të qeverisë shqiptare për mosmbajtjen e premtimit për kokat e gylenistëve.
Takimi ishte i ftohtë dhe nuk prodhoi asgjë pozitive edhe pse Rama shkoi me ide dhe synime të qarta për tu pajtuar. Edhe presidenca turke nuk dha asnjë detaj rreth takimit. Për t’i rregulluar këto marrëdhënie, Rama ka nisur zbatimin e urdhrave të Erdogan. Arrestimi i Faruk Ozer, i cili kryente mashtrime përmes kriptomonedhave, ka sjellë në Shqipëri një delegacion të lartë turk.
Sinjalet e Erdogan
Ky delegacion i lartë turk, ka kryer një vizitë në Policinë e Shtetit, me qëllim shprehjen e falënderimeve për kapjen e shtetasit shumë të kërkuar. Delegacioni kryesohej nga Zv/drejtori i Përgjithshëm i Policisë turke, njëkohësisht edhe Drejtor i Departamentit të Krimit të Organizuar, Resul Holo?lu. Ata u pritën në Tiranë nga Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit i caktuar në detyrë, Drejtues i Lartë Tonin Vocaj, dhe drejtues të tjerë të lartë të Policisë së Shtetit. Holo?lu, në emër të Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë turke dhe të Ministrit të Brendshëm turk, i shprehu Vocajt dhe Policisë shqiptare, për realizimin me sukses të operacionit për kapjen e të shumëkërkuarit. Faruk Ozer u prangos gjatë operacionit “Brain”, të zhvilluar nga Policia e Elbasanit, në bashkëpunim me FAST Albania dhe DVP Vlorë, më datë 30.08.2022, ku u kap në Himarë, 28-vjeçari turk i shpallur në kërkim ndërkombëtar për veprat penale “Krijimi i organizatës kriminale” dhe “Mashtrimi me pasoja të rënda”.
Priten goditje të tjera
Me lëvizjet e fundit nga të dyja palët, mesa duket marrëdhëniet kanë ndryshuar. Pra, me goditjen e kundërshtarit të Ankarasë, sikundër është arrestimi i Ozer, autoritet shqiptare të “urdhëruara” edhe nga kryeministri Rama, po tregojnë se janë të vendosur për të çuar deri në fund “amanetin” e presidentit Erdogan, duke arrestuar një pjesë të mirë të armiqve, pse jo dhe gylenistëve që strehohen në Tiranë, me qëllim ekstradimin e tyre drejt shtetit turk, Për të treguar se akujt janë shkrirë dhe kryeministri Rama po tenton me çdo kusht të rregullojë marrëdhëniet, Erdogan ka bërë një kthesë të madhe ditët e fundit. Sinjalet janë dhënë edhe në takimin e fundit ditën e djeshme në samitin “Ballkani i hapur”. Përveç Aleksandar Vuçiç, kryeministrit të Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski, kryeministrit të Malit të Zi, Dritan Abazovic, kryetarit të Këshillit të Ministrave të Bosnje-Hercegovinës Zoran Tegeltija, ministri i Jashtëm i Hungarisë, Peter Szijjarto, në takim ishte dhe ministri i Jashtëm turk, Mevlut Çavusoglu. Gjithashtu, mediat turke së fundmi, kanë lavdëruar fjalimin e kryeministrit Rama, në Forumin e 17-të Strategjik të Bled-it, ku kritikoi Bashkimin Evropian dhe nxori si shpëtimtare Turqinë për vendin tonë në rastet më të vështira. Se çfarë ka ndodhur në prapaskenë, pritet të zbulohet shumë shpejt, por një gjë është e sigurtë: Urdhri i Erdogan ndaj kryeministrit Edi Rama për t’i dorëzuar “kokat” e gylenistëve ka filluar.