Erdogan paralajmëron se do ndërhyjë konkretisht për të ndihmuar palestinezët
29 Korrik 2024
Prej kohësh Turqia i ka bërë thirrje Izraelit të ndalë lufëtn në Gaza, dhe po aq shpesh Presidenti Erdogan është shprehur kritik me Kryeministrin Netanjahu. Por së fundmi lideri turk ka hedhur idenë e hyrjes së Turqisë në Izrael për të ndihmuar palestinezët.
Turqia mund të futet në Izrael për të ndihmuiar palestinezët në luftë. Paralajmërimin e ka bërë Presidenti Erdogan sipas së cilit Izraeli duhet të ndalojë luftën atje.
Deklaratat Erdogan i bëri gjatë një fjalimi në të cilin ka folur me superlativa për mbrojtjen e Turqisë.
Sikurse kemi hyrë në Karabak, sikurse kemi hyrë në Libi, ne mund të veprojmë ngjashëm ndaj Izraelit”, ka thënë Erdogan para anëtarëve të partisë së tij.
Deri më tani kjo deklaratë e Erdogan mbetet vetëm si diçka e thënë, dhe nuk dihet nëse do ketë reagime konkrete në terren.
Ndërkohë Izraeli ende nuk ka mbajtur një qëndrim rreth kësaj çështjeje.
Më 2020, Turqia ka dërguar personel ushtarak në Libi, për të mbështetur Qeverinë e njohur prej Kombeve të Bashkuar atje.
Kryeministri i Libisë, Abdulhamid al-Dbeibah, i cili udhëheq Qeverinë e Unitetit Kombëtar në Tripoli, gëzon përkrahjen e Turqisë.
Turqia e ka mohuar ndonjë rol direkt në operacionin ushtarak të Azerbajxhanit në Nagorno-Karabak, mirëpo ka thënë vitin e kaluar se është duke shfrytëzuar “të gjitha mjetet”, përfshirë trajnimet ushtarake dhe modernizimin, për të mbështetur aleatin e ngushtë.
Lufta e nisur më 7 tetor të vitit të kaluar në Gazë është nxitur prej Hamasit, pasi militantët e grupit kanë kryer sulme në jug të Izraelit, duke lënë të vrarë mbi 1.200 izraelitë dhe duke marrë peng rreth 240 të tjerë.