Erë zgjedhjesh të parakohshme. – Edi Rama zbret në terren pas vizitës së Blinken, më 16 mars krijohet ekipi ri që do të drejtojë fushatën elektorale
5 Mars 2024
Ofensiva e Prokurorisë Speciale (SPAK), ndaj kreut të qeverisë me disa dosje të hapura dhe gjysma e bashkëpunëtorëve të tij në nivel lokal dhe qendror në burg dhe gjysma tjetër nën hetim për shkak se janë përfshirë në afera korruptive, duket se po shtyn Edi Ramën që të mendojë për të çuar vendin në zgjedhje të parakohshme parlamentare. Sinjalet janë shtuar që pas vizitës së Sekretarit Amerikan Antony Blinken, i cili nëpërmjet dy mesazheve të qarta në “X” konfirmoi qëndrimin amerikan se me drejtësinë e re nuk ka shaka. Dy mesazhe rrufe erdhën nga ambasada amerikane dhe sërish nga SHBA u lëshua një tjetër silur nga sekretari Blinken për luftën ndaj korrupsionit dhe mbështetjen për drejtësinë e re. Që nga ajo ditë, Rama nuk resht së kërcënuari me zgjedhje të parakohshme, në një kohë që opozita është e përçarë.
Edi Rama në panik
Këto sinjale që po jep kryeministri tregojnë se situata brenda PS nuk është e mirë. Kujt po i bën presion Edi Rama me zgjedhjet e parakohshme? Mesazhet e ditëve të fundit për SPAK, kërcënimet e tij nëpër asambletë socialiste dhe ngritja e ekipeve të punës për të vënë nën kontroll Prokurorinë e Posaçme, deri te mbyllja e dyerve të zyrave ndaj hetuesve tregojnë se kryeministri shqiptar ndodhet në një situatë shumë të vështirë. Pushteti që ka krijuar dhe mesazhet e qarta që i dha Blinken për SPAK, tregojnë se edhe pse kryeministri ka në duar të gjithë pushtetin politik në vendin tonë, më keq se Partia e Punës në vitin 1991, asnjë gjë nuk mund ta shpëtojë. Njësoj si Rama edhe Gruevski mblidhte vota dhe dilte para syve të qytetarëve si njeri i besueshëm dhe i pëlqyer, por të gjithë e dimë se si përfundoi në arrati.
Çfarë do të ndodhë më 16 mars?
Kryesocialisti i alarmuar ka zbritur vetë në terren duke krijuar ekipin e ri që do të drejtojë fushatën elektorale. Ka filluar organizimi i partisë dhe anëtarësimet e reja dhe data 16 mars do të jetë finalizimi i planeve të Ramës. Urdhri i kryeministrit vazhdon të jetë që të punohet sikur zgjedhjet parlamentare të jenë afër, ndërsa ka kërkuar inventare edhe për problemet e qytetarëve. Si fillim kryesocialisti ka shprehur pakënaqësi dhe ka kërkuar nisjen e një procesi për vlerësimin e anëtarësisë socialiste sa janë aktiv e jo aktiv, e për të vijuar më tej me anëtarësime të reja në çdo organizatë të PS. Nga drejtuesit e qarqeve ka kërkuar të dokumentojnë punën që po bëhet nga çdo organizatë si dhe ripërtëritje të çdo qelize. Reflektimi dhe ekipi i ri pritet të pasqyrohet dhe zbulohet në Asamblenë e radhës që do të mblidhet më 16 mars në një takim në qytetin e Durrësit. PS pritet të përfshihet nga një valë ndryshimesh dhe shkarkimesh, ku më të rrezikuar janë ata zyrtarët të lartë, sidomos drejtuesit politikë në të 12 qarqet që kanë dëshmuar se kanë performancë të dobët apo janë “dembelë” dhe kanë llogari të hapura me drejtësinë. Rama paralajmëroi një fitore shembullore në zgjedhjet që po vijnë. E për ta arritur këtë, mesazhi që i përçoi Asamblesë përmes skanimit të çdo qelize të PS në bazë ishte i qartë. Në disa takime, Rama ka pranuar autokritikën sa teknike dhe politike të disa prej anëtarëve të Asamblesë që nuk kishin punuar sa duhet. Të tjerët jo aktivë dhe larg pritshmërie të skuadrës Rama, do ta mësojnë fatin e tyre mbase në asamblenë e ardhshme me 16 Marsit, ku nuk përjashtohen ndryshime jo vetëm në nivel drejtuesish politik në qarqe.
Gazta Sot