Erion Lezi restauron ikonën “Ungjillëzimi” vepër e shek. XVI – XVII
9 Mars 2024
Ndërhyrja restauruese për ikonën “Ungjillëzimi” vepër e shekullit XVI – XVII, atribuar Onufër Qipriotit ka mbaruar.
Kjo bëhet me dije nga Qendra Kombëtare e Muzeumeve Berat që shprehet se pas një pune disa mujore, kryer në laboratorin e Konservimit dhe Restaurimit në muzeun ikonografik “Onufri” nga restauratori Erion Lezi përfundoi ndërhyrja restauruese.
Qendra Kombëtare e Muzeumeve Berat (QKMB) thotë se një tjetër thesar artistik i shpëton degradimit. “Në këtë ikonë që ka funksionuar si Dera e Bukur e ikonostasit të kishës së Kostandinit dhe Helenës në kalanë e Beratit paraqitet skena e Ungjillizimit.
Në pjesën e poshtme kryeëngjëlli Gabriel, paraqitet duke lajmëruar virgjëreshën Marie për lindjen e shpëtimtarit ndërsa sipër qëndrojnë profeti Isaia dhe mbreti David. Ikona edhe pse e restauruar përpara disa dekadash, paraqiste problematika të ndryshme si dëmtim të kornizimit e shtresave përgatitore, dëmtim të pelikulës piktorike kryesisht në gjysmën e poshtme, shoqëruar me papastërti të qëndrueshme të lëna nga restaurimi i mëparshëm dhe oksidim verniku.
Të gjitha këto copëtonin tërësinë e skenës, tjetërsonin elegancën dhe bukurinë e ikonës si dhe rrezikonin degradimin e saj”, thuhet nga Qendra Kombëtare e Muzeumeve Berat që ka ndarë dhe foto të ikonës në faqen e saj. Sot ikona paraqitet në shkëlqimin e plotë të saj dhe së shpejti do ti ofrohet e ekspozuar publikut të gjerë të muzeut “Onufri”, të cilët mund të admirojnë më qartë mjeshtërinë dhe finesën e artit të Onufër Qipriotit.