14 Prill 2025

… për herë të parë pas shumë vitesh, froni i Ramës po tundet jo nga opozita, por nga një ish-mik brenda mureve të burgut.

Ngjarjet e ditëve të fundit kanë trazuar themelet e skenës politike, duke ekspozuar krisjet e thella brenda kupolës së Partisë Socialiste. Në qendër të kësaj furtune politike gjendet kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, tashmë pas hekurave, ndërkohë që raporti i tij me kryeministrin Edi Rama ka kaluar nga përqafime publike në kërcënime të nënkuptuara. Fati i Veliajt nuk është një surprizë për ata që kanë ndjekur me kujdes gjuhën dhe kodet e përdorura nga Rama vite më parë.

Në vitin 2018, në një konferencë publike, kryeministri u shpreh me një fjali që sot tingëllon profetike: “Mund të mbjellë pemë sa të dojë, por në një pemë do të varet vetë, si shembull që grupet armiqësore nuk e kanë të gjatë.” Në atë kohë, kjo deklaratë u kalua si metaforë, por sot, me Veliajn të arrestuar dhe të izoluar, ajo merr kuptimin e një paralajmërimi të ftohtë për një fund të parashikuar politik.

Mesazhi i koduar i Veliajt

Në mënyrë po aq simbolike sa edhe e heshtur, Erion Veliaj ka zgjedhur të reagojë nga burgu pikërisht në ditën kur u çel zyrtarisht fushata elektorale e Partisë Socialiste, një fushatë ku ai ishte caktuar muaj më parë si një nga drejtuesit kryesorë. Në vend që të komentonte për fushatën apo për situatën e tij personale, Veliaj postoi një status të gjatë në Facebook, në të cilin kujtonte mbjelljen e pemës së një miliontë në Tiranë.

“Një nismë për të cilën u jam posaçërisht mirënjohës jo vetëm kolegëve të bashkisë… por çdo familjeje, prindi, fëmijëve të vegjël, e çdo donatori që na mbështeti për t’ia arritur qëllimit tonë,” shkroi Veliaj, pa përmendur fare PS-në apo hapjen e fushatës. Ky postim nuk lexohet thjesht si një kujtim nostalgjik, por si një mesazh i koduar drejtuar Edi Ramës. Një kujtesë e qartë se pemët janë mbjellë dhe jo vetëm për gjelbërimin e qytetit, por edhe si simbole për ata që ndoshta do të “varen” në to politikisht. Një mënyrë indirekte për t’i thënë Edi Ramës: “Ka plot pemë edhe për ty.”

Prapaskenat

Burime pranë kampit të Veliajt pohojnë se ish-kryebashkiaku nuk po e duron më izolimin dhe se ka shpërthyer brenda qelisë kundër ish-aleatëve të tij, ku në telefonatat e kryebashkiakut me vëllain e tij kërcënoi ministrin Ulsi Manja se do ta shkrinte për shtatë breza. Thuhet se Veliaj ka lëshuar kërcënime të drejtpërdrejta edhe për Ramën, duke përmendur dosje, përgjime dhe fakte që mund të shembin gjithçka që ky i fundit ka ndërtuar. Veliaj ka në dorë dosje që, nëse bëhen publike, mund të përmbysin jo vetëm Ramën, por të gjithë strukturën e PS-së në pushtet. Dhe ndoshta këtë Rama e di shumë mirë.

Sepse dhjetë ditë më parë, kur Veliaj dorëzoi dorëheqjen e tij si kryetar bashkie, Rama refuzoi ta pranojë. Si fillim për të mos hapur probleme me vakumin që mund të krijojnë zgjedhjet që duhet të shpallen për bashkinë e Tiranës në momentin kur po bëhen zgjedhjet e përgjithshme. Dhe nga ana tjetër, dorëheqja e Veliajt do ta çlironte atë nga çdo përgjegjësi zyrtare dhe do t’i jepte duart e lira për të folur pa frikë. Dhe ky është një rrezik që Rama nuk mund ta përballojë tani.

Frika

Erion Veliaj u promovua nga Rama si “djali i mirë” i Tiranës, si fytyra e re e PS-së, si trashëgimtari i natyrshëm. Por në një sistem ku besnikëria ka afat skadence, dhe ku çdo figurë e fortë kthehet në kërcënim për kryeministrin, edhe Veliaj nuk i shpëtoi fatit të paracaktuar. Tani, brenda burgut, nuk është më ai Veliaj që buzëqeshte para kamerave dhe mbillte pemë.

Sot është një burrë politikisht i dëshpëruar, i vendosur për të mos rënë vetëm. Një njeri që e ndjen fundin, por që ka vendosur ta marrë dikë me vete. Edi Rama ndodhet përballë një prove të vështirë, jo elektorale, por ekzistenciale politike. Nëse Veliaj flet, çdo mbrojtje bie. Çdo imazh shembet. Çdo propagandë bëhet blof. Dhe për herë të parë pas shumë vitesh, froni i Ramës po tundet jo nga opozita, por nga një ish-mik brenda mureve të burgut.

Nga: Gazeta Sot