Eruditi Ramadan Sokoli dhe një cylë dyjare. –
Ne foto:Prof.Ramadan Sokoli
Nga: Qerim Vrioni.
Kjo fotografi e studiuesit të njohur të muzikës popullore shqiptare (por jo vetëm të saj), njëkohësisht edhe mikut tim të ndjerë, prof. Ramadan Sokoli, është bërë në vitin 2001. Fotoja është realizuar në studion e tij të madhe, që për hir të së vërtetës, duhet përmendur se ndodhej nën kuotën zero të banesës njëkatëshe ku jetonte me familjen e tij. Aty, përveç librave të shumtë e të çmueshëm, albumeve me piktura e fotografi, kishte edhe skulptura e piktura, përveç objekteve dhe sendeve të ndryshme me vlera të spikatura artistike, dokumentare dhe etnografike. Kështu, ajo mund të quhej fare mirë edhe një muze i vogël.Në një nga muret, pranë të cilit ulej rëndomë profesori, ishte vendosur një cylë dyjare. Kjo është një instrument frymor popullor prej druri, i përdorur kryesisht në Shqipërinë e jugut (më shumë nga barinjtë), në krahinat Mallakastër, Sarandë, Tepelenë si edhe në zonën e Labërisë së Gjirokastrës.
Duke biseduar me studiuesin dhe vështruar mbi të, varur në mur, cylën dyjare (diku i thonë edhe cyrlë dyjare), më lindi idea e fotografimit bashkë, të muzikantit dhe instrumentit, të realizoja kësisoj edhe një portret mjedisor. Në këto lloj fotoportretesh, përherë ka ndonjë element që lidhet me profesionin a krijimtarinë e personazhit, ose ky fotografohet në habitatin e tij, i cili e tregon qartë fushën me të cilën ai ka lidhur jetën. Megjithatë vështirë të besohet se vendosja e cylës nga profesori në një vend të zgjedhur kishte më tepër lidhje me vet instrumentin se sa me çfarë përfaqëson kjo vegël muzikore.
Sidoqoftë fotografia u realizua menjëherë e pa vështirësi (ndonëse tani, autori jo shumë i kënaqur me kuadrimin e saj), tashmë atë e rishikoj shpesh, përveçse si çmallje me vështrimin e mençur të etnomuzikologut të njohur, edhe pse diç më sjell ndërmend. Cyla dyjare, siç u shënua edhe më lartë, përdoret në jug të vendit, ndërsa profesori ishte verior me rrënjë familjare të forta e të thella shkodrane. Sigurisht, ai mund të luante me instrumentin (kishte kryer jashtë shtetit studimet për instrument frymor), ashtu si edhe me shumë vegla të tjera popullore, por që ta kishte kaq të parapëlqyer dhe t’i jepte atë vend nderi ndoshta duhej ndonjë nxitje dhe motiv krejt i veçantë. Kjo sepse duke e vendosur cylën në një qoshk të zgjedhur të shtëpisë së tij, kuptohet se profesori i jepte asaj edhe vlera simboli për trevat ku përdorej.
Mbaj mend se, duke u befasuar disi nga vendi i zgjedhur për cylën dyjare që luajnë jugorët (ose toskët, po jo të gjithë), e kisha pyetur atëhere profesorin verior (ose geg) për shkakun a asaj vendosjeje parapëlqyese në atë pjesë të murit. I qetë studiuesi i shquar i muzikës m’u përgjigj atëbotë fare shkurt, “po jugorët a nuk janë shqiptarë“ ? Kështu, e vërteta e nderimit të cylës qëndronte më tepër në të ndjerit e tij edhe jugor, ashtu si edhe verior, ose më së pari e më shumë shqiptar, se sa shkodran.
Ky qëndrim atdhetar i profesor Ramadanit, shpaloset mirë e bukur në të gjithë punën e tij shkencore disa dhjetëvjeçare. Vepra e tij studimore e kërkimore, përpos nivelit të lartë të trajtimit të lëndës dhe zbulimit të figurave të shquara kombëtare e të mbuluara nga terri i kohës, ngërthen brenda saj kulturën popullore të të gjitha trojeve të banuara nga shqiptarë, brenda kufijve të sotëm shtetëror dhe jashtë tij. Po ashtu, thuajse në të gjitha botimet e tij historike, publicistike dhe mësimore (rreth njëzet të tilla), ai merret me çështje dhe analiza të krijimtarisë popullore e muzikore mbarë shqiptare, ndonjë e rrallë e pa shumë peshë (ndonëse jo pa dashuri), me temë nga vendlindja e tij, qyteti i Shkodrës dhe krahinat përreth.
Kështu, edhe në një nga botimet e tij, atë me titull “Krijime dhe Flijime” (2004), prof. Ramadan Sokoli analizon krijimtarinë e pesë krijuesve të njohur të arteve tona pamore (Janaq Paço, Sadik Kaceli, Vladimir Jani, Naxhi Bakalli dhe Vladimir Metani), nga të cilët vetëm njeri, piktori Vladimir Jani është shkodran, pra bashkëqytetar me të, ndërsa të katër të tjerët jo. Nga studiues të rëndomtë, mbase do ishte e kundërta, katër do ishin të afërt gjeografikisht me autorin (shpesh edhe me lidhje farefisnore ose krushqie ndërmjet tyre), kurse i pesti nga ndonje qytet a krahinë e largët me shkruesin e librit në fjalë.
Të kuptohemi, jo se profesori e njihte dhe e donte pak qytetin e origjinës dhe kulturën e tij, por me sa duket ai mendonte (këtë e ka treguar me shumë fakte) se më kryesore e parësore në punën e tij ishte studimi i etnomuzikologjisë, historisë e kulturës gjithëkombëtare, se sa të themi, muzika dhe instrumentat popullor të krahinës së Shkodrës. Studiuesi ynë i nderuar, me vetdije të plotë dhe kënaqësi i shërbente kësisoj njëjësimit të historisë, kulturës dhe bashkimit të popullit.
Natyrisht muzikanti shkodran nuk është i pari në historinë e shqiptarëve në përpjekjet për njëmendësimin e popullit tonë. Mësimin më të hershëm për nevojën e të qënit të bashkuar të tyre, sëpari për mbijetesë, e jep fare qartë gojëdhëna me këshillën e Skënderbeut mbi tufën e shufrave të cilat të bashkuara nuk mund të thyheshin, ndërsa veç e veç, thyerja e tyre ishte një punë fare e lehtë. Po ashtu, edhe te letrari më i vjetër i shqipes, Gjon Buzuku, gjejmë dashurinë (e shkruar) për gjithë kombin (vend dhe popull), kur ai tregon arsyen se pse e bëri veprën e tij “Meshari” (më e para deri tani në shqip) “ensë dashuni të botës sanë“ (nga dashuria për botën tonë).
Rilindasit e vyer, dy-tre shekuj më vonë, e thelluan më tej këtë përpjekje fisnike, madje bashkimi i shqiptarëve, përveç çlirimit nga pushtimi osman, qëndronte në themel të të gjitha veprimtarive politike, shoqërore e kulturore të tyre. Naimi i madh i frashërllinjëve (me besim bektashian), u drejtohej me vargje poetike maleve dhe lisave të gjithë Shqipërisë dhe jo vetëm atyre të zonës së Përmetit nga kish zanafillën familja e tij. Kurse poeti epik verior, Gjergj Fishta (prift katolik) shkruante me bindje se përqark ksaj rrokullie, Si Shqipnia i vend nuk ka, pra jo si Shkodra, por si gjithë Shqipëria. Gjithashtu, thuajse të gjithë poetët dhe shkrimtarët e Rilindjes Kombëtare, i kanë kënduar të gjitha viseve ku banonin shqiptarët dhe rrallë në veçanti krahinave nga e kishin origjinën, çka flet për largëpamësinë dhe shpresën e tyre për një të ardhme të ndritur të një kombi të njësuar.
Një shembull i goditur i ditëve të sotme në këtë drejtim, mendoj se përbëjnë edhe të quajturat “Koloni të piktorëve”, në të cilat mblidhen mjeshtra të penelit nga të gjitha qytetet e viset e vendit, e duke lëvizur nëpër atdhe (madje edhe në Kosovë, Maqedoni, Malin e Zi si edhe te Arbëreshët e Italisë), kanë filluar të mbulojnë me piktura (peizazhe) çdo cep të Shqipërisë dhe të trojeve ku banojnë shqiptarë. Po ashtu një një rast tjetër i veçantë në këtë suazë, mbetet kremtimi në Lezhë në vitin 2000, i 80-vjetorit të lindjes së Vexhi Buharasë, orientalistit të njohur nga Berati, i cili nuk kishte asnjë lidhje farefisnore a krushqie me qytetin verior.
Sidoqoftë, tani ka edhe autorë të cilët shkruajnë studime e publicistikë vetëm për jetën dhe krijimtarinë e bashkëqytetarëve dhe bashkëkrahinarëve, pra brenda një rrethi të vogël gjeografik, qënia brenda të cilit nuk është as zgjedhje dhe as meritë e kurkujt. Sigurisht, edhe ata janë në të drejtën e tyre (se ndoshta ata njohin më mirë), por teprimet dhe tendenca e ngjizjes së një gare (të panatyrshme do thoshim) midis krahinave të ndryshme dhe figurave të dalluara të tyre, sikur ndan në ngastra të vogla kulturën dhe historinë e kombit, që edhe kështu me madhësinë e tyre, nuk i krijon për askënd ndonjë shqetësim.
Kësisoj, qëndrimi dhe synimi i profesor Ramadan Sokolit, mendoj se bëhet sot më i nevojshëm e për t’u marrë si shembull, me krijimin e mjaft shoqatave patriotike dhe kulturore, antarët e të cilave i bashkon vetëm se janë lindur (pa i pyetur njeri….) në aksh vend a krahinë (përjashtim ndoshta Shoqata “Çamëria” për natyrën tepër të veçantë të motiveve të krijimit të saj). Natyrisht edhe këto shoqata kanë vendin e tyre të ligjshëm në jetën shoqërore e kulturore të vendit, por veprimtaritë e tyre bëhen vërtetë më të dobishme kur ato të ndërthurren me ato të zonave të tjera e sidomos me figura të shquara jo të afërta gjeografikisht, sepse tek e fundit e veçanta duhet t’i shërbej të përgjithshmes. Kështu ato do t’i shërbenin bashkësisë (dhe jo garës së pakuptimtë midis qyteteve dhe krahinave) të shqiptarëve dhe jo përçarjes së tyre (me motive krahinore, politike dhe fetare), e cila këto kohë nuk është pak shqetësuese. Ndoshta do të ishte më e mbarë ndërthurrja më e mirë e veprimtarive të tyre atdhetare e kulturore, përshembull edhe nga koordinatorë institucional shoqatash.
Siç u përmend më sipër, Rilindasit, i ngritën në një shkallë të epërme përpjekjet e tyre për bashkimin e kombit, duke e kthyer këtë në një nga synimet më të shenjta për ta. Kështu kanë bërë përherë mendjet e ndritura të kombit dhe, po ashtu e ka shpërfaqur gjithmonë edhe eruditi Ramadan Sokoli, mbase nga Rilindasit e fundit, përvec të tjerave, edhe me këtë cylë dyjare të vendosur në murin e studios së tij.
Qerim Vrioni
Nëntor 2017.