Ervin Salianji: – E kanë djegur Kushtetutën e Shqipërisë dhe po veprojmë si një juntë.
7 Dhjetor 2023
Deputeti i PD-së, Ervin Salianji në një deklaratë për mediat pas përfundimit të seancës plenare, e cila zgjati vetëm 7 minuta, u shpreh se “buxheti u miratua në mënyrë tinzare”.
Salianji është shprehur ndër të tjera se mazhoranca e ka djegur Kushtetutën e Shqipërisë, ndërsa theksoi se “parlamenti po funksionin në kushtet e një Junte”.
“E ka djegur Kushtetutën e Shqipërisë dhe po veprojmë si një juntë. Forca fizike e krimit në zgjedhje bëjnë të mundur mbajtjen e kësaj ngrehine. E patë sot se si në mënyrë tinëzare dhe me vrap e votoi buxhetin, duke goditur shtresën e mesme dhe qytetarët e thjeshtë. Për herë të parë do të taksohen me 23 % profesionet e lira, ju gazetarët dhe stomatologët, etj.”, tha ai.
Kujtojmë se buxheti i shtetit është miratuar me 74 vota pro dhe 4 vota kundër brenda një kohe rekord në Kuvendin e Shqipërisë.
Si asnjëherë më parë buxheti i vitit 2024 dhe pr/ligjet e lidhura me të janë miratuar pa debat por vetëm me kartona jeshil të ngritur nga deputetët e maxhorancës, mes tymueseve të cilat u hodhën nga deputetët e opozitës.
Seanca nisi me përforcime të punonjësve të gardës për të mos lejuar kaosin e deputetëve të opozitës, por këta të fundit kanë arritur të vendosin karriget në foltore si në të gjitha seancat e kohëve të fundit.
Nuk kanë munguar kapsollat dhe tymueset nga deputetët e opozitës, por kjo situata nuk e ka penguar kryetaren e Parlamentit, Lindita Nikolla që të votojë nen për nen brenda 8 minutave buxhetin, duke hedhur poshtë të gjitha amendamentet e opozitës.