24 Mars 2025

Deputeti i PD Ervin Salianji, i cili po vuan dënimin në burgun e Fierit, përmes një mesazhi në rrjetet sociale i është përgjigjur kryeministrit Edi Rama, pas deklaratës së tij se ka darkuar me 100 të rinj e të reja të Forumit Rinor të PD.

Duke i cilësuar metaforat dhe alegoritë e përdorur nga Rama ndaj opozitës si “qorra”, “bufë kënete”, si zgjatim i perversitetit, Salianji thotë se me gjuhën fyese, ai ka stigmatizuar gjithnjë popullin demokrat. Salianji shkruan ndër të tjera se, retorika e Ramës  ka qënë gjithnjë e helmët dhe ka sjellë ndasi e tension në shoqëri.

“Së fundmi i quan gjithë demokratët dhe ata që nuk mendojnë si ai, që nuk vihen në rresht, si qorra. I etiketon po ashtu demokratët si bufa kenete. Dhe këtë e bën, dikush që ka zakonin e qyqes. Nuk merret me folenë e tij që kutërbon krim e korrupsion, por synon e sulmon foletë e tjera.

Qyqe autokratuci së fundmi u mburr se paska futur kthetrat në folenë e demokratëve të rinj në Vlorë e paska marrë nga andej e paska rekrutuar disa syresh. E verteta e vetme ne deklarimin e tij ishte se socialistet ja kane shpifur dhe darka me e mire ishte me disa demokratë”, thotë Ervin Salianji.

Më tej ai thotë se Rama nuk ka një alternativë ndaj kërkon të mbajë pushtetin me çdo kusht.

“Ai nuk ka një bilanc e një program, por ka një strategji për të sulmuar, për të goditur, e për të dobësuar kundërshtarin. Futja në folene e tjetrit nuk ka qënë as në zakonet e normat tona. E dënueshme edhe nga librat e shenjtë që autokratuci i citon kur ja do nevoja, nga traditat, nga kanuni, nga kultura jonë. Po për të mbajtur karrigen, ai është gati t’i shkelë të gjitha”, thotë Salianji.

“Edi Rama ka të gjithë shenjat, të gjithë sindromën e autokratëve të lindjes. Ndërsa ka sjellë varfëri, korrupsion, e krim, kur është ai vetë në krye të sistemit, në pamundësi për të bërë korigjim, ose për ta lejuar korigjimin që bën vetë populli me votë, ai kërkon edhe më shumë pushtet. Edhe më shumë pushtet për Edi Ramën, do të thotë; më shumë varfëri, më shumë korrupsion, më shumë krim.

Kur e ka të pamundur të jetë një shqipe, ai del në origjinë, luan si qyqe dhe kërkon të prishë folenë tjetër, me shpresën se do të mbajë postin, me shpresën se do të ruajë privilegjin dhe imunitetin para drejtësisë.

Kenga do t’i këndohet qyqes me 11 maj, dhe nuk e shpëton dot asnjë rekrutim apo blerje e minutës së fundit. Sezoni i Edi Ramës ka mbaruar”, përfundon deputeti i PD, Ervin Salianji.