Ese mbi librin e Vlladan Gjorgjeviçit “Shqiptarët dhe fuqitë e mëdha”

NGA: SYLEJMAN SALIHU

5 MAJ 2021

  1. E kisha kërkuar ndër vite që ta kisha dhe ta lexoja, por s‘ po e gjeja dot. Kisha lexuar para disa dekadash në librin „ESE“ të shkrimtarit të madh kroat Mirosllav Kërlezhës një ese që e komentonte këtë libër dhe që mund të thuhej se ishte libri më i zi për shqiptarët. Isha tmerruar se si mundet mendja njerëzore të pjellë aq shumë urrejtje ndaj një populli, sa ta quante një popull si një turmë majmunësh, domethënë „njerëz me bishta“! Isha tmerruar kur kuptoja se ishte shkruar nga një intelektual, madje nga një intelektual mjek, që duhej ta dinte dhe ta njihte mirë anatominë dhe fiziologjinë e trupit të njeriut! Isha tmerruar vërtetë, por ja që kjo ishte e shkruar si një e zezë mbi të bardhë dhe libri ishte shkruar madje në një gjuhë të huaj, gjermanisht, me qëllim që të mund ta kuptonin të huajt, pra europianët, të cilët në këtë fillimvit të shekullit 20 po merreshin më në fund me çështjen shqiptare, sado asnjëherë jo me drejtësi dhe kurrë me korrektësi. Po mbahej më në fund Konferenca e Ambasadorëve në Londër në vitin 1913, ku Fuqitë e Mëdha me gërshërë në dorë, po ia prenin „rrobat“ dhe po e masakronin hartën etnike popullit më të vjetër të Gadishullit Ilirik. Dhe përderisa më në fund këtij populli do t‘ i lejohej që të kishte shtetin e vet dyfish të përgjysmuar, dikush tjetër dëshironte që ky shtet dhe ky popull të mos ekzistonte fare, madje të mos formohej kurrë dhe populli i tij të zhdukej dhe të harrohej përgjithmonë. Për këtë arsye ky shtet që aq shumë e urrente dhe lakmonte aq shumë territorin e këtij populli të lashtë, kishte angazhuar të gjithë resoret e tij propagandistikë, që të flitej e të shkruhej zi e terr aq sa asnjë imagjinatë e njeriut nuk mund ta përceptonte. Dhe ishte gjetur njeriu, që do të dinte të shkruante njëmijë të zeza për popullin , me të cilin ishin në fqinjësi, madje të cilit ia kishin marrë tokat që nga ardhja e tyre nga stepat e Uralit dhe të Karpateve. Kush ishte ai?

    Vlladan Gjorgjeviçi

2.Autori

Ai ishte një mjek, madje një mjek kirurg, i lindur në Beograd dhe i shkolluar në Vjenë dhe pastaj vdekur në Baden të Austrisë. Emri i tij ishte Vlladan Gjorgjeviç. Përveç profesionit të tij të mjekësisë, kishte edhe pasionin e të shkruarit. Madje duke e pasur këtë pasion shkoi edhe në politikë sa arriti të bëhet edhe kryeministër i shtetit të tij, për tri vitet e fundit të shekullit 19. Shkroi librat: „Fundi i një dinastie“,“Fundi i Obrenoviqëve“,“Car Dushani“,“Lufta serbo-turke“,“Çështja serbe“,“Serbija dhe Greqija“,“Mali i Zi dhe Austria“,“Kujtime“.

Por një libër që habiti të gjithë, ku shfaqet urrejtja ndaj shqiptarëve mban titullin „Shqiptarët dhe Fuqitë e Mëdha“ dhe mban edhe datën e të shkruarit, Beograd, me 28 janar 1913. Fillimisht ishte shkruar në gjermanisht, por shumë shpejt u përkthye edhe në frengjisht dhe i ngjante më shumë një pamfleti propagandistik, shkruar shpejt e shpejt për një qëllim të caktuar. Sepse gjërat kishin filluar të ndryshonin me shpejtësi dhe Ballkani po riformatohej pasi I Sëmuri i Bosforit po i rikthehej sërish strofkës së vet, duke lënë veçanërisht tokat shqiptare në gojën e ujqërve, të cilët kishin mprehur dhëmbët e tyre të përgjakur për të copëtuar viktimën Shqipëri.

3.Përkthyesi

Po si u gjet libri dhe kush e kishte përkthyer atë? Edhe ky ishte një kohë kryeministër. Por, përderisa i pari ishte kryeministër i Sërbisë, i dyti ishte kryeministër i Shqipërisë gati gjysmë shekulli më vonë. Ishte pra Mustafa Kruja që e kishte përkthyer këtë libër derisa bënte jetën e emigrantit në Zarë për më shumë se tetë vite në Mbretërinë Jugosllave. Fati e kishte sjellë të banonte në vitin 1922-23 në Gornji Millanovac të Shumadisë kur një ditë duke shëtitur nëpër qytet, ndalon në vitrinën e një librarije dhe sheh titullin e këtij libri, të cilin më parë e kishte lexuar edhe në frengjisht. Dhe derisa thotë se e kishte mësuar edhe gjuhën serbe për disa muaj, e mori librin menjëherë dhe i bëri një shërbim kombit: e përktheu në gjuhën shqipe.

Kështu me një shpejtësi tepër të madhe për pesë javë libri ishte gati. Ç‘ libër ishte pra ky? Një libër ku shfryn urrejtja si gjyryk e një „dijetari“, madje e një ish kryeministri të një vendi, i cili me mikroskopin e tij kishte hyrë në laboratorin e tij dhe kishte shikuar me imtësi çdo qelizë keqe të të shqiptarëve, të organizimit të tyre shoqëror dhe jetës së tyre në tërësi. Përse e përktheu këtë libër Mustafa Kruja? Sigurisht që të shohin vetë shqiptarët se ç‘ mendonte populli sërb për ta dhe madje më saktë ç‘ mendojnë shumë etnografë, udhëpërshkrues, studiues, gjeografë, konsuj, gjeologë, teologë, madje edhe “miq”, të cilët jo rrallë ishin cituar keqësisht për atë që kishin thënë e kishin shkruar mbi shqiptarët. Natyrisht se shumë nga ata ishin sllavë, por brengos fakti se shumë janë edhe të tjerë,të cilët si „miq“ të shqiptarëve kishin lënë edhe ndonjë gjurmë të zezë mbi shqiptarët. Vetë Mustafa Kruja në parathënien e librit thotë:“… nuk duhet të na indinjojnë aspak të metat reale që na përmenden, makar të zmadhueme e…të të zbukurueme me sarkazmat e ironit e gjuhës së një Vlladan Gjorgjeviçi. Nji katalog ma komplet të mungesave t’ona kombtare, si edhe të gjithë sa shpifjet që mund t‘ i bahen nji populli, s‘ ka mundun bir nane tjetër me na e vue përpara kurrë në fytyrë të kësaj toke. A pak shërbim asht ky? Armiku detyrën e vet e ka krye. Ndashti asht detyra e jonë me përfitue edhe prej një vepre të këtillë: me qortue gabimet, me ndrequn të metat e me u lamë para botës nga shpifjet.“(32).Por përkthyesi i librit, Mustafa Kruja, u shpall tradhtar në kohën e pushtetit komunist në Shqipëri dhe kështu libri u njoh pak, ose aspak nga lexuesit.

4.Njerëzit me bishta

Në vitin 1913, më në fund përfundimisht do të bëhej një shtet shqiptar. I mirë a i keq, i vogël, apo i madh, deshi kush a nuk deshi, ai do të bëhej. Pavarësia po vinte dhe lajmi ogurmirë për shqiptarët, ishte tepër ogurzi për serbët. Pse? Se ata në këtë hallakamë kishin menduar që ëndrrën e tyre shumëshekullore ta preknin me dorë. Në këtë çarje të madhe ata kishin arritur që me ushtarët e tyre ta pushtonin Shqipërinë dhe kështu ëndrra e moçme, për ta shkelur me këmbë Skelen e Durrësit, ishte bërë realitet. Por meqë Fuqitë e Mëdha donin me çdo kusht të bënin një shtet, përveç Rusisë, Sërbia as këtë nuk e donte. Por një Perandori Europiane e quajtur Austro-Hungaria i kishte dhënë ultimatum Sërbisë, që të tërhiqej brenda jave, ndryshe do të pasonte sulmi mbi të ,në të kundërtën një milion ushtarë ishin në gjendje gatishmërie. E Sërbia për ta penguar bërjen e çfarëdo shtetit shqiptar, duhej të bënte një propagandë nga më të pështirat dhe nga më të zezat për shqiptarët si komb, të cilët sipas saj, nuk duhej ta meritonin këtë pavarësi. Nuk do të duhej ta meritonin, sepse kështu mendonte dhe kishte menduar gjithmonë fqinji, madje fqinji i parë.

Prandaj Gjorgjeviçi meqë e kishte marrë këtë detyrë, çështjen shqiptare e nis me përshkrimin fizik të shqiptarëve, që t’ i tregojë botës se kush qenkan shqiptarët. Këtu do të gjenden ku janë dhe ku s’ janë fjalët më të këqija, më poshtëruese, më fyese, më shpifëse, më të zeza, më baltëhedhëse. Le t’ i themi ca gjëra siç i thotë Gjorgjeviçi dhe së pari me kë shembëllejnë shqiptarët sipas Gjorgjeviçit: ”…shqiptarët u shembëllejnë jo vetëm feniqjanëvet, por deri edhe paranjerëzve, të kohës parahistorike, atyne njerëzve që prej frigës së shtazëvet t’egra flejshin mbi drujt ku, për mos me ranë, MBAHESHIN ME BISHTIN E TYNE. Ndër sa mijë vjet që kanë kalue qysh aso kohe, bishti i njeriut ka ardhun tue u përdorë gjithnji ma pak, ky organ i trupit njerëzor ka ardhun tue u vogëlue gjithnji ma fort, deri sa, ma në fund në kohnat historike, ka mbetun nji asht i vocërr në mbarim të kërbishtes. Vetëm në mes të shqiptarëvet duket se deri në të XIX-tin shekull ka pasun edhe njerëz me bisht”(40). Ja zbulimi i madh i Gjorgjeviçit për shqiptarët? Pasi ka cituar Johan Georg von Hahnin, autori vazhdon duke treguar edhe se si duket ky bisht?! ”Ata janë dy farësh, me bisht kali të vogël e me bisht dhie, janë njerëz të fortë shumë e sidomos këmbësorë tepër të qëndrueshëm.”(40)

Kopertina libri e Vlladan Gjorgjeviçit “Shqiptarët dhe fuqitë e Mëdha”

5.Shpirti kombëtar dhe Skënderbeu

Pasi ka “konstatuar” këtë veçanti të jashtësisë fizike të shqiptarëve, Gjorgjeviçi vazhdon më tutje duke pohuar se ky vend, domethënë Shqipëria, pothuajse 800 vjet ka qenë i banuar dhe i sunduar nga serbët, veç të tjerëve, duke përmendur një varg toponimesh sllave, të cilat si “shkencëtar” që është i numron njëpërnjë. Por “margaritarët” e tij ai vazhdon t’ i gjejë te autorët e tij “të preferuar” dhe të falsifikuar, t’ i paraqesë edhe më tutje, duke pohuar se shqiptarët nuk kanë një gjuhë kombëtare me pesë dialektet, dy nga të cilat më shumë i ndajnë se i bashkojnë shqiptarët, sa toska dhe gega nuk merren vesh mes tyre!!! Dëgjojeni! ”Shqipja e sodshme asht nji lamsh gjuhësh të përzieme nga ma të ndryshme. Çdo çorbë gjuhcash mund të krahasohet ndofta ma tepër me jevgnishten”(43). Po cilët janë treguesit kombëtarë të këtij populli, sipas Gjorgjeviçit? A ka të tillë tek ky popull? Ata tregues mungojnë, thotë ai. Sepse shqiptarët sipas tij nuk kanë alfabet të vetin, nuk kanë letërsi të veten, madje edhe heroin Skënderbe nuk e njohin dhe “as vorrin s’ia dinë se ku e ka.”(51) Ç’gënjeshtër me brirë nga një maskara me brirë? Por ja që nuk do të shkojë gjatë se vetëm një vit konstatimi i tij do të demantohet, madje do të demantohet nga një serb. Se një vit pas botimit të librit të Gjorgjeviçit, është një autor tjetër, Dimitrije Tucoviqi, që në librin e tij “Sërbia dhe Shqipëria” botuar në Beograd një vit më vonë pas botimit të librit të Gjorgjeviçit, në vitin 1914, e demanton bashkëvendasin e tij dhe atë me argumente. Si mund ta bënte ai këtë demantim? Dimitrije Tucoviçi thotë se kur ishte në qytetin e Elbasanit, kishte dëgjuar një këngë për Skënderbeun, që ia këndoi një shqiptar, sapo ky ia kishte përmendur emrin e kryeheroit, një fragmet të së cilës po e sjell këtu si përkthim të lirë:

“Prej nga po vjen ti o trim kapedan?

Nga ushtria e maleve të Ballkanit,

A e njeh ti trimin kapedan,

Mbretin arbanas, Skender-begun, emrin e madh?,

Unë e njoh shumë mirë, me të kam luftuar,

Ai është trim i mirë, për Shqipërinë ka luftuar”, (Srbija i Albanija, 17).

Po pastaj ç’dërdëllis ai më tutje? Ka plot të tjera. Edhe për kalanë e Rozafatit në Shkodër, thotë ai, shqiptarët nuk kanë luftuar kurrë dhe madje nuk kanë as këngë për të, për të cilën vetë sërbët mbase e paskan duke e dhënë të plotë edhe variantin e saj sllav. Dëgjonie serbomadhin Gjorgjeviç: ”Na këtë kangë e cituem këtu vetëm si një provë qi kujtimet e popullit serb shtrihen deri ke ndërtimi i nji fortese, për të cilën, kohën e fundit ushtarëvet serbë të dy shteteve serbe u ka shkuar gjaku lumë, e të cilën të fuqishmit e kësaj bote kërkojnë t’a bajnë për dhunë kryeqytet të “shtetit” fantastik shqiptar”(58), duke pohuar pastaj se ky popull nuk ka kurrfarë kujtese as kurrfarë ndërgjegje kombëtare: ”…shqiptarët janë të vetmit në Evropë, qi s’kanë nji epope kombëtare të tyne”!!! Për një mendësi dhe për një gënjeshtër të stilit a la gjorgjeviçian çka duhet të thuhet ende?

Por vrapi i tij galopant dhe turri i tij vrapues për të thënë sa më shumë shëmtira e gënjeshtra mbi shqiptarët sikur nuk ndalon, sepse “shkencëtari” serboperëndimor ka gjetur nëpër libra “fakte” të shumta. Ja një tjetër: ”…shqiptarët s’kanë kurrëfarë tipi kombëtar, s’kanë kurrfarë gjuhe kombëtare të përbashkët, s’kanë farë historie kombëtare, s’kanë përbamë kurrë nji shtet kombëtar, as janë mundue që ta kenë.”(77)

Ai rrëmon e rrëmon sërish dhe ndalon te kryefatosi Skënderbe. S’ishte i vetmi ky se të tillë kishte edhe më parë. Duke e ditur se shqiptarët e kanë për mburrje emrin e tij, që i solli atdheut lirinë për 25 vjet, ai ua merr shqiptarëve atë dhe e qet në taborrin e tij serb sikur të ishte në bahçe të babës. Pse jo, dikur edhe ipeshkvi boshnjak Johannes Tomcius Marnavitius e kishte hedhur origjinën Skënderbeut në lagjen e boshnjakëve të tij, por shumë shpejt doli shqiptari Frano Bardhi dhe e mbrojti me argumente dhe me një apologji faktike historike të tërin Gjergj Kastriotin! Ironia vlladangjorgjeviçiane vazhdon më tutje dhe madje sikur ndjen edhe keqardhje, teksa korrigjon përkatësinë etnike të kryeheroit Skënderbe: ”… na vjen keq për shqiptarët qi të jetë i yni, edhe ai i vetmi fatos me të cilin ata kanë mundun të mburren mbas sa mijë vjetësh”(70) për të vazhduar më tutje, sepse sipas tij: ”…nuk mund ta lamë që për hatrin e shqiptarëve të falsifikohet historia”(71) Ç’broçkulla janë këto kinse nga një pendë shkencëtari? Njëherë thotë se nuk e njohin fare heroin e tyre, pastaj thotë se përkundër që janë mburrur me të, duhet t’ua marrim sepse është i yni?!!! Ky fantast i rrjedhur krejt nga mendja madje pohon se ushtria e Skënderbeut përbëhej kryesisht nga serbët!!! Lexoni citimin e tij, të cilin si “shkencëtar perëndimor” që është e merr nga Gopçeviç: ”Ushtria me të cilën Skënderbeu ka pruejtun Krujën 25 vjet kundra forcave të mëdha turke ka qenë e përbame jo prej shqiptarëve, por prej serbëve, të cilët aso kohe banojshin të tanë Shqipninë e veriut.”(71). A duhet edhe ndonjë koment tjetër për të dëshmuar se sa keq e ka humbur rrugën ky njeri në pyllin e madh të paditurisë, të urrejtjes dhe të çmendurisë?

6.Pushka

Shqiptari e ka dashur armën dhe veçanërisht e ka dashur pushkën. Madje Kadare thotë se në këmbim të pushkës, shqiptari pranoi edhe konvertimin e tij në islam nga sunduesit turq. Përse shqiptari ishte kaq shumë i lidhur për pushkën? Ishte jeta e tij sigurisht që ia kishte imponuar që të mbrohet nga armiqtë të cilët e kanë rrethuar gjithandej. Por Gjorgjeviçit i pëlqen që ta shikojë në një aspekt tjetër. Nga cili aspekt? Nga ai, nga i cili e nxjerr shqiptarin sa më të egër, sa më agresiv, sa më vrasës, sepse është misioni i tij prej të cilit priret dhe mundohet që ta realizojë sa më mirë që të jetë e mundur duke rrëzuar gurë të mëdhenj mbi popullin shqiptar. Por shqiptari e mban pushkën në krah për çështje sigurie, se duke e mbajtur pushkën në krah, ai ndjehet më i sigurtë, më i lirë, më trim, më i mbrojtur dhe më sovran. Mund të thuhet se liria e tij fillon aty kur ai e ka pushkën në krah. Ndërsa Gjorgjeviç thotë se shqiptarët pushkën nuk e mbajnë për të mbrojtur veten, por e mbajnë për të vrarë tjetrin, qoftë edhe për një shikim të shtrembër! Shqiptari i varfër, thotë ai, mund të mos kishte as edhe këmishë, por pa pushkë nuk do të dilte nga shtëpia. Duke e cituar Steinmetzin, tek i cili ka gjetur një minierë të pasur shpifjesh, ai shkruan: ”Kam pa shumë shqiptarë pa këmishë në shtat, por asnji pa pushke e rreth fishekësh”(106). Po ç’thonë të tjerët? Kur në vitet ’70 një ekip eksploruesish dhe kërkuesish shkencorë nga Instituti Albanologjik i Prishtinës kishin shkuar në Shqipëri, pikërisht në zonat veriore për të mbledhur lëndë arkivore gjuhësore, dialektore, etnografike, zakonore, folkloristike, muzikologjike e të tjera,dhe kur kishin hyrë në odën e nikoqirit ata kishin parë menjëherë të varur në mur pushkën të gjatë. Njëri nga anëtarët e ekspeditës kërkimore shkencore nuk ishte përmbajtur pa e pyetur familjarin paksa me habi se ende u përdorka pushka për hakmarrje? Por përgjigjja e pronarit të pushkës ishte e thjeshtë dhe e shpejtë: ”Pushkën e mbaj se kam në kufi serbin”! Pra ishte nevoja për t’ u mbrojtur nga armiqtë në të gjitha anët dhe kjo mbrojtje kërkonte doemos një pushkë në çdo kohë dhe në çdo vend, sa ishte bërë pjesë e trupit dhe jetës së shqiptarit. Për këtë arsye shqiptarët kishin edhe interesa për njohjen e llojeve të pushkëve dhe kalibrave të tyre, që kështu të ishin në trend edhe me prodhimet dhe modelet e kohës, në të cilën ata jetonin. E Gjorgjeviçi, duke cituar “miqtë” e tij shkencëtarë, gjuhëtarë, historianë, etnografë e vëren dhe e nuhatë mirë prirjen e madhe të shqiptarëve për ta dashur pushkën duke pohuar se shqiptarët për pushkët kanë edhe shumë njohuri, duke njohur të gjitha tipet dhe llojet e tyre. Shqiptarët mund të mos interesoheshin shumë për jetën e tyre dhe për statusin e tyre social, por për pushkën ata kanë një dobësi të jashtëzakonshme. Ata, thotë ai, dinë, se ka edhe pushkë precizioni me dylbi, por duke dashur t’ua shquajë dembelinë dhe paditurinë në fusha tjera, thotë se “nuk dinë se si bëhet djathi as nuk e dinë se ç’ është patatja”! Por për t’ u vrarë, vriten përditë, sepse përditë kërcet pushka.

7.Gruaja

Edhe gruaja është personazh i këtij libri famkeq, madje mund të thuhet se Vlladan Gjorgjeviçi zbavitet duke rrëfyer të këqijat që mund të thoshte rreth saj. Pra edhe gruaja me pendën e tij paraqitet zi e më zi.

Autori citon autorë ose falsifikon të tillë, që për gruan flasin ç’ është e zezë. Sipas tij, sigurisht i ndihmuar edhe nga vet “Kanuni” ynë, gruaja shqiptare është qenie që jo vetëm që s’është e barabartë me burrin si qenie fizike, por madje është përgjysmë më e lirë, si qenie njerëzore dhe pothuajse edhe si mall, edhe si gjak. Le të flasë vet autori sadist!: ”Jeta e një grueje kushton plot sa gjysma e jetës së nji burri. Grueja shkon për gjysmë gjaku. Kurse për gjak të nji mashkulli paguhen 5000 grosh, për atë të nji femne lypen vetëm 2500”, për ta zbritur këtë çmim edhe më shumë, siç ia kërkon fantazia e tij shoveniste. “…në qytet ky çmim ka ra deri në 50 grosh” (142). O, ç’tmerr?! Kaq larg ka shkuar imagjinata raciste e këtij njeriu?Te shqiptarët, thotë ai, gruaja përdoret edhe si forcë pune, madje si fuqi tërheqëse. “Ai (shqiptari) kur s’ka kafshë ose kur kete e ka smunde, (të sëmurë, shënim i im) në vend të saj përdorë gruen për të bartun”. Le të shohim se ç’mendim ka ai për bukurinë fizike të gruas shqiptare? A janë të bukura gratë shqiptare sipas lupës zmadhuese të Gjorgjeviçit? Sipas këtij shqiptarofobi, të cilit iu kanë verbuar sytë, ai nuk sheh bukuri te gratë shqiptare. Ai nuk sheh bukuri te asnjë grua shqiptare: as në sytë e saj, as në vetullat e saj, as në flokët e saj, as në fytyrën e saj, as në belin e saj, dhe nuk sheh, sepse nuk do që të shohë, siç kishte parë më përpara bashkatdhetari i tij konsuli dhe poeti Vojisllav Iliç në poezinë “Shqiptarja”(“Arnautka”) në vitin 1889 kur nga bukuria e shqiptarkës “gjaku i kishte kërcyer në kokë”, por kur ia kishte parë pushkën e gjatë Adiles së bukur “zemra i kishte ra te thembra”. Por le ta dëgjojmë përsëri Gjorgjeviçin!

”Tepër rrallë shihet fytyrë grueje qi, makar deri diku, mund të quhet e bukur”!!!(144). Si mund të urrehet ndyshe një popull më shumë? Po a ka dashuri në këtë vend sipas këtij autori? Dëgjojeni serbin Gjorgjeviç, teksa flet me gojën e sivëllait të tij rus, Jastrebov: ”Dashunija ideale asht nji gja fare e panjohun në Shqipni”(143). E a mund të prisnim nga goja e Jastrebovit diçka më të mirë? Jo dhe vetëm jo, sepse ai di edhe më keq: ”Asht nji send tepër karakteristik qi gjuha shqipe as nuk i ka fjalët dashuni dhe me dashun”!!!(143). Shkalla e gradacionit gjatë rrëfimit të së keqes dhe të shëmtuarës sa vjen e ngritet kur vjen çështja te morali i grave shqiptare. Duke folur për moralin e grave shqiptare, Jastrebov sikur shkruan tamam për qejfin e Gjorgjeviçit dhe tash ai e çliron fantazinë e tij edhe më shumë dhe godet apo e vë në lojë edhe moralin e grave apo vajzave e nuseve shqiptare? Për të qenë më i besuar, me këtë rast Gjorgjeviçi citon pikërisht Jastrebovin, i cili lanson shpikjen më perverze, më të shëmtuar, më të pistë dhe më të pabesueshme, pikërisht duke shpifur rreth moralit të gruas shqiptare, atë që shqiptarët e mbanin si të shenjtë. Le të lexojmë statistikat e tij: “Nga 100 nuse natën e martesës, vetëm 50 dalin vajza”!!!(148).

Gjorgjeviçi për gjininë e bukur, domethënë për gruan shqiptare, ndjen urrejtje deri në vdekje, sepse edhe gratë sipas tij janë të egra si burrat, madje edhe ato bëjnë veprime kanibaliste. Sipas tij gratë shqiptare janë shumë të egra dhe “argumentin” e tij çoroditës mbi këtë “egërsi” doemos që e sjell përmes citatit tjetër. ”Nji tjetër grue shqiptare ka vramë prap nji anmike të saj, por kjo s’asht ngie as me aq, i ka pi deri gjakun, që asaj po i rridhte nga plagët mortale”. Vërtetë atë që nuk e thotë asnjë mendje tjetër e shëndoshë, e thotë dhe e pjell mendja e një serbi të sëmurë, të shkalluar nga mendja, nga morali, nga etika, dhe e sivëllait të tij, siç është rusi Jastrebov, të cilin autori i librit e citon, për të mbështetur mendimin e tij në kinse si një “fakt shkencor.”Por le të ecim më tutje!

Duke përdorur terma fyes e përbuzës si “lëkurë-kuq” e të tjerë autori vazhdon me “argumente” a la vlladangjorgjeviçiane kur thotë se shqiptarët janë populli ma i egër aq sa për egërsinë e tyre nuk mund të imagjinohet edhe një tjetër!

Ai thotë se shqiptarët bëjnë një jetë lakuriq dhe se në trupin e tyre nuk kanë asnjë mbulojë dhe sipas tij ata s’dinë as edhe çka është këmisha. ”Të tanë rrinë lakuriq. Gratë kryekëput në veshjen e Evës”!!!(132). ”Duken si shtazë t’ egra në fytyrë të njeriut”!!!(132). Qe lexues të nderuar, se ç’ mendonte fqinji ynë? Shqiptarët sipas tij janë hajna e gjaksor, madje edhe i mbajnë me krenari këto vese dhe këto epitete. Ata tërë ditën lëvizin me pushkë në krah për të bërë ndonjë vjedhje a ndonjë plaçkë. “Këto egërsina lakmia e parevet i shtyn deri në gjak njeriu”(133). Duhet një durim i madh për të numëruar falët që lidhen me rrënjën e fjalës “egër”, i egër, egërsirë, të cilat aq shpesh janë përdorur në librin antishqiptar të Gjorgjeviçit si për burat ashtu edhe për gratë.

8.Sheqeri dhe kripa

Por të këqijat që dalin nga goja e tij janë të pafund. Ai thotë se shqiptarët janë njerëz që nuk dinë të dallojnë ç’është bora e ç’është sheqeri dhe sipas tij e marrin njërën për tjetrin. Ky popull i paditur nuk arrin t’ i njohë këta artikuj ushqimor, sepse nuk i kanë parë dhe nuk i kanë përdorë. Ai thotë se për sheqerin kujtojnë që është borë, duke marrë në ndihmë sërish sivëllain e tij Jastrebov i cili shkruante: “në shumë vende tjera kujtojshin për sheqerin që më shihshin tue i shtie çajit se asht dborë”(132). Por a vërtetë shqiptarët nuk e dinin se çka ishte sheqeri? Në udhëpërshkrimet e anglezit Braun, cituar nga andrologu dhe etnologu slloven Bozhidar Jezernik, në portalin DANAS botuar më 1 dhjetor 2007, kjo informatë e Jastrebovit del krejtësisht e pasaktë. Përse mund të thuhet kështu? Mund të thuhet kështu sepse anglezi Braun në fund të shekullit të nëntëmbëdhjetë e kishte takuar konsulin rus Jastrebov në Prizren për të cilin thotë se ai del fare rrallë nga shtëpia dhe edhe më rrallë nga qyteti, për të vizituar zonat e malësorëve, ndaj edhe të dhënat e tij janë të dyshimta. Derisa Braun vet thoshte se pasi kishte vizituar zonat me fshatra shqiptare ishte shërbyer me kafe pa sheqer, siç rëndom i pinin vetë malësorët kafetë e tyre. Por kur pastaj ishin gjendur në shëpinë e një shqiptari tjetër në Mirditë, përcjellësi i z. Braun, i kishte thënë të zotit të shtëpisë se mysafiri anglez e pi kafenë me sheqer, me ç’rast pastaj edhe ishin marrë masa. Pasi që nikoqiri nuk kishte pasur sheqer në shtëpi, meqë nuk e pinin kafenë me sheqer, dhe se sheqeri përdorej fare pak ose aspak nga ata, i kishte dërguar njerëzit e tij atje ku kishte menduar se mund të gjenin sheqer për mikun e huaj. Dhe kur pas gjysmë ore i dërguari ishte kthyer i mbuluar nga bora dhe duke u dridhur nga të ftohtët, ia kishte sjellë zotëriut anglez sheqerin e ëmbël. Pastaj kur ishin larguar nga Mirdita në drejtim të Lumës, përcjellësi i zotëri Braunit, z. Franjo, duke e lënë bardhësinë e peizazhin e maleve mbuluar me dëborë, kishte brohoritur të madhe: ”Lamtumirë, lamtumirë, sheqeri mirditor”! Le të vazhdojmë me gënjeshtrën e radhës të Jastrebovit, të cilin e citon akademiku serb Gjorgjeviç:

”Në këto katunde kam folun me shumë njerëz që s’dijshin se ç’asht krypa, sado qi këtë fjalë e kanë në gjuhën e tyre”(132). Hajde e besoji tash edhe kësaj çmendurie apo edhe kësaj rrene me bisht siç thuhet rëndom në raste të tilla në frazeologjinë tonë popullore! Hajde edhe besoji edhe kësaj çmendurie jastreboviane? Si nuk e ditkan shqiptarët se çka është kripa? Si nuk e ditkan shqiptarët se çka është kripa, kur mikpritja e tyre mitike, jetike dhe emblematike në një nga tre përbërësit kryesor të kodit mikpritës e ka pikërisht fjalën KRIPË. Kush nuk i njeh këto tri fjalë, që shënojnë shenjtërinë e mikpritjes të sofrës shqiptare, të këtij populli të varfër në kamje, por të pasur në zemër? Kush nuk i njeh këto tri fjalë, që shenjëzojnë mikpritjen, krenarinë, dashurinë, bujarinë dhe të cilat janë edhe histori, edhe psikologji, edhe etnografi e një populli me shpirt të madh: ”BUKË, KRIPË E ZEMËR”!

9.Fuqitë e mëdha

Të gjitha këto të dhëna të shpifura dhe këto të thëna kanë një arsye të vetme për Vlladan Gjorgjeviçin:që sa më shumë që të jetë e mundur përpara fuqive të mëdha ky popull duhet të paraqitet në të gjitha anët me veçori dhe cilësi negative, që kështu ata të binden se ky popull nuk e meriton as lirinë, as pavarësinë, as shtetin. Por duke e ditur se Fuqitë e Mëdha tashmë në Londër do të bënin shtetin shqiptar, dhe duke e parë se Austria-Hungaria kishte vendosur ta çojë deri në fund realizimin e këtij shteti, qoftë edhe për interesa të veta, ai sikur do që t’ u drejtohet atyre se ja kë po mundoheni ju ta bëni shtet!? ”Ka kaq shekuj që Austria po mundohet t’ a mbysë popullin serb e t’ i sigurojë vetes udhën për Selanik”(168)”.”Në qoftë se Austria ngul kambë qi vetëm me nji Shqipni autonome mund t’ i sigurojë interesat e saj në këtë vend e në qoftë se tue u mbështetun në fuqinë e armëvet, edhe ia mbërrin këtij qëllimi, atëherë Sërbisë do t’ i pritej çdo udhë për me dalë në det dhe serbet do të ishin të shtrënguem me qenë anmiq për vdekje t’ Austrisë.Sërbia për zhvillimin ekonomik të saj, ka nevojë të domosdoshme për nji shtek në det”(170) .

Ja pra pse Gjorgjeviqi i bëri shqiptarët me bishta? I bëri të tillë, që të mund të dilte Sërbia në Detin Adriatik, sepse e kishte ëndërr dhe e cila ëndërr i ishte shndërruar madje edhe në makth! Prandaj Fuqitë e Mëdha, do të duhej të mendonin mirë, sipas Gjorgjeviçit, se kujt po i jepnin autonomi! E mira e së mirës do të ishte që këtë tokë ta ndanin grekët dhe sërbet, sipas tij. Ndryshe po të ndodhte autonomia apo shteti shqiptar, atëherë : ”do të ishte një shtet i ri muhamedan n’ Evropë, nji anakronizëm, pra për kulturën e sodshme t’ Evropës e për idealet e saj”(171). Sepse për Gjorgjeviçin, shqiptarët sado janë në tokat e tyre, si shumicë muhamedane, nuk merituakan shtet të vetin kombëtar!Kjo ishte logjika pushtuese e të Sëmurit të Ballkanit. Por le të citojmë më tutje përsëri të sëmurin Gjorgjeviç: ”Shqiptarët janë fise t’ egra qi nuk mund të shtrohen aq lehtë e qi as Perëndis nuk i apin ça i përket, aq Qesarit ça ka të drejtë”(171). Për të shqiptarët janë të paedukuar prandaj do të duhej dikush t’ i edukonte, para se atyre t’ u jepej shteti. Le të flasë sërish doktori i shkollës vjeneze: “…në jetën politike dikush duhet t’ i edukojë e po të jetë nevoja edhe t’ i ndëshkojë”(172).!!! Domethënë edhe edukim, por edhe ndëshkim me kërbaç! E kush mund ta bënte këtë punë më së miri, që t’ edukojë dhe t’ i ndëshkojë shqiptarët me kërbaç? Këtë do ta bënte sipas Gjorgjeviçit sigurisht:” ai shtet që gjeografikisht e historikisht asht ma fort i shenjuem, mund t’ u prijë shqiptarëvet në jetën politike deri sa të piqen, po qe, për një autonomi. Ky shtet asht Sërbia.”(172). Ja pra ky është Gjorgjeviçi, ky është diplomati serb, ky është ish kryeministri serb, ky është shkrimtari apo letërnxirësi serb, ky është racisti serb. Pastaj kur e sheh se Fuqitë e Mëdha, kanë vendosur megjithatë që të bëjnë qoftë edhe një shtet xhuxh dhe se përgjërimet e tij nuk i honeps askush, vjen edhe kërcënimi nga ai!

“Por po t’arrijë Austria me tentue realizimin e ides qi ka shfaqun konti Sternberg, me pushtue Sërbin, atëherë edhe gratë e vajzat e Sërbis do t’ i shkepin prej krahit të tyne rrypat e bardhë me kryq të kuq e do të kërkojnë veshje burrash e pushkë(e kësosh kemi marrë nga turqit me tepri) dhe deri pleqtë qi kanë mbetun ma të fundmit austrofila në Sërbi do të hyjshin në luftë si vullnetarë. Austris do t’ i duhej me u përpjekun në Sërbi, jo vetëm me ushtrin serbe, por me të tanë popullin serb, e se ç’ do me thanë kjo Napoleoni i I-rë e ka shprovue idhshëm në Spanjë. Prandaj ata në Vjenë e në Buda-Pesht do të bajshin mirë qi para ç’do hapi të kujtojshin fjalët e foluna në parlament prej nji shtetisti italian, Cairoli-t:

“Ka diçka qi asht ma e fortë se ç’ do fuqi armësh: asht ideja kombëtare ngadhnjyese”(215). Sigurisht që ka “diçka qi asht ma e fortë se ç’ do fuqi armësh”, por ja që nuk e dëgjuan austro-hungarezët “këshilltarin“ Vlladan Gjorgjeviç, se si t’ ia bënin me shqiptarët, sepse shteti shqiptar u bë më në fund, sado asnjëherë dhe as përafërsisht siç do të duhej të bëhej.

Dëshira dhe interesi që Sërbia të ketë dalje në det, sepse deti dalmatin ishte mbyllur për Sërbinë, me të pushtuar Bosnja dhe Hercegovina nga Austro-Hungaria,e kishte vënë në aksion krejt shtetin e Sërbisë,me të gjithë mekanizmat e saj, që të sigurojë një port detar në Shqipëri, dhe që kështu pastaj të kishte në dorë shumë më shumë nga ç’ kishte deri në këtë kohë. Prandaj u shpik edhe bishti, që kështu imagologia të bënte punën e vet dhe kështu të prishet sa më shumë imazhi i popullit shqiptar, sepse “si njerëz me bishta” do të duhej të duronin çfarëdo pushtimi apo çfarëdo coptimi territorial, që i kanosej. Por ky popull edhe pse i varfër, edhe pse i pushtuar e kishte mbrojtur me të gjitha forcat e veta tokën e vet dhe substancën e vet kombëtare që më në fund kërkonte, luftonte dhe e donte edhe ai një copë liri dhe një copë vend edhe për vete, që e kishte trashëguar ndër mijëvjeçarë.

Nga Gazeta: Bota Sot, Prishtine