Prej 24 orësh politika shqiptare është futur në një luftë të ashpër akuzash dhe kundër-akuzash mbi bashkëpunëtorët e Sigurimit te Shtetit.

Në qendër të vorbullës është Ilir Meta, i cili sipas shkresës së Autoritetit te Dosjeve ndaj Kuvendit rezulton bashkëpunëtor i Sigurimit te Shtetit.

Ngjarjet që lidhen me Metën zhvillohen në dy kahe te pavarura me njeri-tjetrin.

Nga njëra anë është shkresa e Autoritetit të Dosjeve dhe nga ana tjetër është një vendim i Autoritetit të Dosjeve për një shtetas me inicialet I.M, i cili sipas verifikimeve të bëra nga Abcnews.al nuk ka lidhje me Metën.

Sa i përket këtij te fundit, Autoriteti i Dosjeve thekson se mbi të ka një raport prej 140 faqesh të përpiluar nga ish-sigurimi i shtetit.

Menjëherë pas publikimit të inicialeve I.M, të cilat korrespondojnë me ato të ish-Presidentit të Republikës, Ilir Meta, menjëherë në media është aluduar se ky i fundit është personi i cili ka qenë i rekrutuar nga ish-sigurimi në diktaturë.

Por si qëndron e vërteta

Personi I.M me anë të një letre zyrtare i ka kërkuar informacion institucionit të Autoritetit të Dosjeve, të drejtuar nga Genta Sula, për të marrë informacion se çfarë ka shkruar ish-sigurimi për personin e tij, pasi dyshonte se gjatë viteve të fundit të diktaturës ka qenë i përndjekur nga agjentët e spiunazhit shqiptar.

Pas investigimit të bërë, personi që i ka kërkuar Autoritetit të Dosjes informacion mbi dosjen e tij është Imigron Muçaj, në këtë rast nuk ka asnjë lidhje me emrin e ish-Presidentit.

Rrëmuja në media

Menjëherë pas aludimeve në media që I.M është ish-presidenti i republikës Ilir Meta, ky i fundit nxori të reagonte ish-zëdhënësin e tij, Tedi Blushi, tashmë Sekretar i përgjithshëm i Partisë së Lirisë.

Ndërkohë që gjatë ditës së mërkurë ish-presidenti Meta në një dalje publike deklaroi se I.M nuk është ai që flitej se ka një raport në dosje prej 140 faqesh.

Por ditën e djeshme Autoriteti i Dosjeve me anë të një letre i është drejtuar Kuvendit duke përmendur Metën me emër dhe mbiemër si bashkëpunëtor te sigurimit. Madje nisur nga situata e krijuar propozon ndryshime ligjore për verifikime më te imta të rasteve te ngjashme.

Prandaj ditën e sotme Kryetarja e Kuvendit Lindita Nikolla thirri me urgjencë krerët e grupeve parlamentare, për t’i njohur me dosjen që ekziston në emër të politikanit I.M.

Por edhe pas daljes publike të Nikollës, pati sërish reagim nga ana e Partisë së Lirisë e cila tashmë drejtohet nga ish-Presidenti Ilir Meta, ku sërish akuzat u hodhën poshtë. Në mbrojtje të ish-presidentit doli edhe kreu i PD, Sali Berisha i cili tha se është falsifikuar dosja.

Tani e gjithë loja e akuzave dhe kundër-akuzave, është në dorë të Autoritetit të Dosjeve, e cila ka detyrimin të sqarojë opinionin publik mbi shtetasin I.M me dosjen 140 faqe për te cilin Abcnews.al zbuloi se ishte Imigron Muçaj.

Ndërkohë që ditët në vijim do të presim edhe atë se çfarë do të ndodhë në Kuvendin e Shqipërisë, për të mësuar edhe më shumë detaje rreth akuzave ndaj Metës.