Estetika e lakuriqësisë në pikturën e Shpresa Beqirit
Estetika e lakuriqësisë në pikturën e Shpresa Beqirit. –
Piktorja mbledh bashkë dukuri të shumëfishta nga jeta e saj apo vegime të së kaluarës, duke i bërë ato pjesë të së tashmes nën poetikën simbolike, në trajtimin e figurës femërore apo të mashkullit si në veprën “Tradita”
Nga: Oltsen Gripshi
Ngjyra dhe ndjeshmëria si pjesë e një kompozite harmonike, nga ku buron vetmia tërheqëse e përbërë nga grimcat molekulare gjithëformuese të universit të një pikture. Një pikturë, e cila në vetvete buron nga thellësitë e pavetëdijes së një bote poetike femërore të mbushur plot imagjinatë dhe vegime përrallore… një realitet mbi realitetin fizik, ku në embrion mbart përballjen metafizike të kozmogonisë dhe atë fizike tëkozmologjisë […].
Vështrimi estetik kërkon të depërtoi në anatominë gjithëformuese të pikturës së Shpresa Beqirit, në indet më të stërholluara të mendimit të saj. – Një stil, i cili shtrihet nga fauvizmi onirik deri duke mbërritur në leximin tim te realizmi primitivo-magjik! Një pikturë e ngjyrtë, me tipare të theksuara stilizimi, ku gjymtyrët e trupit njerëzor hollohen, stërgjaten, duke marrë trajta të krijesave të panjohura, të mbinatyrshme – gati tejkalon realen fizike për të rikrijuar një realitet tjetër, atë të ndjeshmërisë së piktores […]. Braktisja me vetëdije e vizatimit të përsosur është hapi i pari i piktores drejt një hapësire të lirë pakushte dhe kufizime. Krijesa njerëzore për nga tiparet, format dhe perceptimi, por dhe krijesa të rikrijuara, të lindura nga embioni kozmik, i cili fle në brendinë e qenies. Linja të gjata, të lirshme plot harkime të cilat përkufizojnë forma magjike në brendësi të një hapësire ëndërruese.
Subjektivizmi njerëzor si horizonti i pafund i një universi; gati për ta fuqizuar perspektivën trepërmasore të marrëdhënies brenda dhe jasht qenies. Një marrëdhënie, ku hapësira si perceptim gjeografik, hapësira si qasje filozofike dhe hapësira e një kanavace, e cila e përthith universin e piktores Beqiri në një materie të vetme; subjektivizmi dhe aftësia e vetënjohjes, vetëdijes, duke i dhënë krijesave të saj një madhështi hyjnore karshi objektivizmit real që gjendet në natyrë.
Në hapësirat e saj konvencionale bashkëjetojnë ngushtësisht fuqishëm disa dukuri të cilat lidhen magjishëm mes njëra-tjetrës si; elementët folkloristik, kostumet kombëtare popullore, tradita, dashuria lehtësisht e perceptueshme për hijeshinë e lakuriqësisë femërore dhe malinkonia fëmijërore, ku kjo e fundit i vesh veprat e piktores plot ngazëllim e lumturi për jetën […]. Imazhe të cilat përcjellin dhe komunikojnë optimizëm, emocione, falë kjo përdorimit të ngjyrave të ndezura plot dritë verbuese. Imazhe të një bote, e cila përngjanë me atë të ikonave bizantine, ku përtej estetikës pamore mbizotëron një frymë shpirtërore mistike, gati-gati duket sikur këto imazhe i sheh përmes vitrazheve të një kishe gotike!
Atmosferat onirike, përjetimet surreale, ku figurat amshore lakuriq tejkalojnë realitetin e vetvetes të cilat krijojnë skena të theksuara erotizmi dhe joshjeje, si dhe brishtësia depërtuese në portretet e seksit femëror bëjnë që piktura e Shpresa Beqirit të kthehet në një urë ndjenjash dhe shpirtërash midis pikturës dhe poezisë. Qenia e saj si piktore ushqehet nga imagjinata fëmijërore dhe nga fuqia ndjellëse plot kuptim të miteve dhe legjendave shqiptare, duke materializuar në formë dhe në përmbajtje një estetikë krejtësisht vetjake pamore, aq sa piktura kthehet në hapësirën, ku piktorja arrinë të kultivojë poezinë e ekzistencës së saj. Lakuriqet si nëntë hyjneshat, Zanat e Maleve, Orët apo siç njihen ndryshe me eufemizmin Shtojzovallet të cilat duket se kanë gjetur strehëzën e tyre të përbotshme në kanavacat e Beqirit, aty, ku bashkëjetojnë harmonishëm në rendin e përjetësisë së tyre pagane.
“Si Zanat ashtu dhe Orët, pra Shtojzovallet, zotërojnë edhe një fuqi të mistershme: aftësinë për të shituar njerëzit. Zakonisht shitojnë burrat që guxojnë t’i shohin Shtojzovallet lakuriq tek lahen nën dritën e hënës, apo këdo që i trazon gjatë ekstazës së tyre të vallëzimit. Zanat dhe Orët shitojnë këdo, burrë apo grua, plak a të ri me timbrikën e hatashme të tingujve që prodhojnë gjatë të kënduarit ose me vallet e magjishme e mjete të tjera, ashtu si edhe shërojnë apo u japin fuqi të mbinatyrshme me qumështin e gjirit cilitdo që ka fituar pëlqimin e tyre.”, kështu do t’i përshkruante At Gj. Fishta këto krijesa të mbinatyrshme mitologjike.
Por, dekriptimi i estetikës në gjirin midis imazhit magjik dhe magjisë së imazht në pikturën e Shpresa Beqirit përthyhet nga gjurmimi i pranisë herë pas here të figurës lakuriq mes lakuriqeve femra, të një mushkulli viril, burrëror, i cili është një tjetër simbolikë shumë kuptimplotë në analizimin dhe thellimin në brendësi të brendisë së piktores […] kumti i vetë ekzistencës së saj. Shtojzovallet simbol i pjellorisë dhe Mashkulli si gjegjësi i tyre, pjesë e pandarë bashkë me to i vazhdimësisë së jetës. Prania e mashkullit qendron thuajse në hije, por qendror nga zotërimi i gjithë kompozimit si në veprën “Vajzat”, gojë vaji mbi kanavacë, 35 x 35 cm, 2003, fondi i krijimtarisë së piktores. Një mashkull real, nga realiteti i përditshmërisë së piktores, ku tiparet i tij modelojnë portretin e burrit ideal, të atij burri si fuqia tërheqëse e qenies së saj, Nikolet Vasia. Në të vërtetë tek ai piktorja ka trupëzuar hyun Bari të Maleve me brirë dhe këmbë cjapi, ai që ndjek dhe mbron Shtojzovallet. – Dhe ky lexim nuk është aq pavend, sepse piktorja tek bashkëshorti i saj përthithte frymëzim, ndjenja, sikurse dhe ai për atë ishte mburoja e qenies së saj, ndaj ajo imazhin e tij kërkon ta vendosë në qendër të një ikonografie hyjnore, duke e veshur atë nën petkun poetik-mitologjik të figurës së Πάν[grc]-Paein-Bari (Bariu i Shenjtë) apo Πᾶv[grc]-Gjithçka. – Gjithçka sikurse ai ishte për piktoren. Në përforcim të këtij leximi ikonografik dhe krahasues mitologjik na vjen në ndihmë edhe përkufizimi që Plutarku i ka dhënë kësaj figure mitologjike në veprën e tij “De defectu oraculorum[la]”-Zvetënimi i Orakujve, ku tregon se hyu Pan njohur në mitologjinë shqiptare me disa emërtime si: Bariu i Shenjtë, Bariu Hyjnor, Shën Marti, Shmarti, Shmartuku, Hazreti apo Hazëri (a Hezri), Njeriu i Mirë, Njeriu i Shenjtë apo Njeriu Jeshil. – Të ishte i vetmi hy mes hyjnive i vdekshëm! Pra, edhe hyu i piktores ashtu si hyu i mitologjisë është i vdekshëm në realitetin fizik, por aspak i tillë në pikturën dhe kujtimet e saj.
Këto janë simbolika themelore në zbërthimin e imazhit psiko-filozofik në pikturën e Shpresa Beqirit, e cila ndonëse e ka përshtatur ashtu këtë figurë mashkullore si dhe vetë femrat lakuriq të sjella në hapësirën e bashkëkohësisë tonë, përsëri piktura e kësaj piktorje është e lidhur ngushtë në mënyrë të pandërprerë me mitologjinë, etnografinë dhe antorpologjinë shqiptare.
Thjeshtësia e formave dhe lirshmëria stilizuese e tyre e shpien imazhin e kësaj pikture në fillesat e primitivizmit, por, një primitivizëm, i cili gërsheton mrekullisht atë të gjurmëve të para të njerëzimit dhe atë të pikturës ruse në vitet e para të shekullit të XX. Me kalimin e kohës ajo çfarë vërehet në modelimin brenda kompozimeve figurale është se fuqia timbrike e ngjyrave shkon përtej kontureve të trupave lakuriq, duke u përzier dhe shtrirë harmonishëm mes tyre mbi kanavacë. Një simbiozë lëndësh organike, fundja si vetë marrëdhënia mes sekseve të kundërta apo pllenimi i qiejve pranë njëri-tjetrit, aty, ku sinteza e gjithçkaje janë ngjyrat. Nuk janë më linjat ata që ndajnë figurat apo hapësirën, por njollat e ngjyrave të ndezura fauves[fr].
Estetika e kësaj pikture ndonëse ka të ngjarë me atë të pikturës surrealiste me në qendër ëndrrën, gjithësesi përqendrimi i saj mbetet përmasa ONIRIKE. Një përmasë në të cilën piktorja Beqiri mbledh bashkë dukuri të shumëfishta nga jeta e saj apo vegime të së kaluarës, duke i bërë ato pjesë të së tashmes nën poetikën simbolike, në trajtimin e figurës femërore dhe herë-herë të mashkullit si në veprën “Tradita”, bojë vaji mbi kanavacë, 60 x 50 cm, 2003, fondi i krijimtarisë së piktores, si krijesa të mbinatyrshme, të ardhur nga një tjetër realitet. Një çift të rinjsh të cilët duken sikur vallëzojnë dhe të dehur nga joshja seksuale e ndërsjelltë… një imazh sa simbolik aq dhe shpirtëror, i cili na sjell në vëmendje pikturën simboliste të piktorit francez Gustave Moreau. Piktura gërsheton elemente të dy kohëve, atë të traditës me veshjet folkloristike me çiftin në planin e dytë nën gamën e ngjyrës së kuqe dhe çiftit të të rinjve të zhveshur lakuriq të cilët pozojnë në planin e parë. Lakuriq, të sinqertë, ashtu si dy krijesa të porsalindura, pa mllefe dhe intriga jetësore. Kostumet popullore të zadrimoreve dhe kostumet popullore të Shqipërisë së mesme janë kulminacioni identifikues i pikturës së Shpresa Beqirit […].
Veprat e Beqirit kthehen në pikëtakimi mes krijesave reale për nga fizionomia dhe krijesave qiellore për nga përmbajtja. Çdo imazh i realizuar nga ajo na shpien drejt një vështrimi, i cili ngjall brenda nesh ndjesinë e mrekullisë dhe madhështisë së fuqisë krijuese të qenies njerëzore, e aftë për të mahnitur me imagjinatën e tij. Një pikturë e shkëputur nga ligjet e fizikës, aty, ku fuqia tërheqëse nuk ekziston, aq sa figurat humbasin peshën e rëndesës, duke u ndjerë të lira të fluturojnë drejt qiellit… – drejt një mendimi emipirike dhe një hapësire hyjnore në Parajsë, ku nuk ekziston dhimbja, hidhërimi, trishtimi apo ligshtia, por vetëm mirësia e përjetshme.
E gjitha kjo pjesë e një tregimi, e një jetëshkrimi pamor që piktorja arrinë ta përcjellë nëpërmjet imazheve. Një tregim, i cili nga njëra anë vendos në veprim imagjinatën, duke e parë realitetin nën filtrën poetike si një formë për t’u shkëputur plotësisht nga ai dhe nga ana tjetër kemi elementin e të mbinatyrshmes, ku i shërben piktores për të krijuar lidhjen mes dy të vërtetave asaj brenda dhe jasht saj. Një dyzim në kufinjtë e magjikes ashtu si vetë krijesat e saj figurale lakuriq mbi kanavacë.
Gazeta Shqiptarja.com