“Ethet e Nilit” në Shqipëri! 3 të vdekur dhe 17 të infektuar
6 Gusht 2024
Pas 13 vitesh në vendin tonë rikthehet virusi “Ethet e Nilit Perëndimor”. ISHP raporton se janë 17 të infektuar, 3 qytetarë kanë humbur jetën. ‘Ethet e Nilit’ është sëmundje zoonotike, që qarkullon kryesisht te zogjtë dhe që prek sistemin nervor, por sëmundja kalon tek njerëzit nga pickimi i mushkonjave dhe nuk transmetohet nga njeriu tek njeriu. Drejtoresha e Institutit të Shëndetit Publik, Eugena Tomini sqaroi për Report TV zonat me të prekura.
3 qytetarët që humbën jetën nga Ethet e Nilit ishin mbi 62 vjeç dhe me sëmundje të tjera shoqëruese. Virusi kalon lehtshëm tek të rinjtë, por të rrezikuar janë moshat mbi 50 vjeç me sëmundje të tjera bashkëshoqëruese.
Por në 80% të rasteve të prekurit nuk shfaqin simptoma. Shenjat sipas mjekëve janë të ngjashme me ato të gripit si temperaturë, dhimbje të forta muskulare, dhimbje koke ose shenjë në lëkurë.“Duhet të theksojmë faktin tjetër që 80% e individëve të cilët infektohen me virusin e Nilit Perëndimorë nuk shfaqin klinikë, pra e kalojnë në formë të lehtë. 20% prej tyre shfaqin formë të rëndë ose të moderuar dhe një përqindje shumë e vogël e tyre shfaqin prekje të sistemit nervor qendror, që do të thotë japin meningite, encefalite, etj. Me keqardhje edhe rastet që kanë humbur jetën kanë qenë me imunitet të ulët e me sëmundje të tjera bashkëshoqëruese. Nëse shfaqin klinikën sigurisht nëse kalojnë 2 deri në 3 ditët e para, dhe shenjat klinike agravojnë me ndryshime të koshiencës, duhet këshillim me mjekun e familjes, që është shumë e rëndësishme”. ‘- tha Tomini.
Drejtoresha dhe mjekja Eugena Tomini kërkon të veçojë se situata është nën kontroll dhe këshillon qytetarët se si të mbrohen nga pickimi i mushkonjave.“Duhet pasur kujdes në sezonin ku kemi popullatën e mushkonjës të shtuar, sigurisht për punonjësit që punojnë në të mbjella apo jashtë. Daljet në orët e pikut të mbrëmjes ku dhe lloji i mushkonjës kuleksi pickon që është më shumë aktive gjatë mbrëmjes. Duhet të veshim veshje të lehta, të pambukta, të cilat janë me mëngë të gjata. Në pjesën e poshtme me çorape, me pantallona të shkurtra me ngjyra të çelura në mënyrë që të shohim mushkonjat dhe ti largojmë ato. Si dhe këshillohet lyerja me mbrojtës nga mushkonjat, etj.’- u shpreh drejtoresha e ISHP-së.
Prej dy javësh ISHP po vijon me testimet në terren dhe i kërkon pushtetit vendor të bëjë dezinsektimin e zonave ku rriten mushkonjat.
Xhoana Çallaku, Shqiptarja.com