Etilda Gjonaj tregon se çfarë do të ndodhë nëse Gjykata Kushtetuese nuk e shkarkon Ilir Metën

19 QERSHOR 2021

Ministrja e Drejtësisë, Etilda Gjonaj, foli për nismën e socialistëve për shkarkimin e Presidentit Ilir Meta.

Gjonaj deklaroi se PS do të respektojë vendimin e Gjykatës Kushtetuese për këtë çështje.

Pjesë nga intervista në News24

Komisioni Hetimor për Shkarkimin e Presidentit Meta … a duhet të shkarkohet Presidenti i Republikës?

Ky nuk është më një vendim apo qëndrim politik, sepse qëndrimi u dha dhe u konkretizua me një vendim nga Kuvendi për shkarkimin e Presidentit. Tashmë kemi të bëjmë jo thjesht me një qëndrim të PS me presidentin, por me një qëndrim sa i përket shkeljeve kushtetuese, që është një vendim që Gjykata Kushtetuese do duhet ta japë lidhur me shkeljet, bazuar edhe në raportin që është dorëzuar, se sa përbëjnë ato shkelje kushtetuese.

Nëse Gjykata Kushtetuese vendos të kundërtën?

Ne do të respektojmë vendimin e Gjykatës Kushtetuese. Në një demokraci ku kemi pranuar që pushtetet të jenë të ndara dhe të respektohen në mënyrë luajale kompetencat dhe përgjegjësitë e secilit pushtet, jam e bindur se padyshim që ne do të respektojmë vendimin e Gjykatës Kushtetuese.

Sa besim keni te Gjykata Kushtetuese? Nisur dhe nga vendimi për mosdekretimin e ministrit Gent Cakaj…

Gjykata Kushtetuese me vendimin e mosdekretimit të ministrive nga ana e presidentit dha dhe konfirmoi ekzaktësisht atë që Kushtetuta sot mban, për sa i përket përgjegjësive që ka secili institucion, secila palë, në një proces të emërimit dhe shkarkimit të ministrave. Duhet të kuptojmë qartësisht se Gjykata Kushtetuese, është e vërtetë që ka konfirmuar rolet për secilin në këtë proces, por ka thënë shprehimisht që presidenti nuk duhet të jetë pjesë e jetës politike, nuk mund të marrë vendime politike. Kushtetuta e ka dhënë në këtë proces se çfarë kryen Presidenti dhe brenda një afati ligjor të caktuar, që në fund duhet të dalë me dekretimin e tij. Më pas, është Kuvendi që kontrollon procesin e kryer për emërimin apo shkarkimin e një ministri. Në fund të fundit, në një Republikë Parlamentare, zemra e luanit, për sa i përket këtyre proceseve, i jepet Kuvendit, kontrolli kryhet nga Kuvendi. Në këtë rast, Gjykata Kushtetuese është shprehur qartësisht dhe ka konfirmuar pastër atë që është në Kushtetutë. Qartësisht kërkohet që presidenti të mos marrë pjesë në jetën politike, që besoj do t’i shërbejë edhe për çështjen e radhës, që ka lidhur me kërkesën që i ka drejtuar Kuvendi për shkarkimin e presidentit Meta në rastet e shkeljeve të Kushtetutës. Por, lihet po prapë me vendim se kryeministri ka diskrecionin e emërimit apo shkarkimit të ministrave, se kush do të jetë pjesë përbërëse e kabinetit të tij qeveritar.

Gazeta Sot