Etnor Canaj: – E ardhmja nuk zhvillohet mbi kurrizin e së shkuarës, deklaratat e ministres Margariti për Durrësin, shpresoj të mos jenë institucionale
21 Shtator 2022
Nga Julia Vrapi
Plani i menaxhimit të integruar të zonave arkeologjike A dhe B në Durrës për arkeologun Etnor Canaj ka disa pika të paqarta. Në intervistën për gazetën “SOT” arkeologu Etnor Canaj shprehet se janë ende të paqarta rolet e aktorëve në këtë plan menaxhimi, pra ndarjet sipas tij midis publikut dhe privatit. Arkeologu Canaj dhe më parë është shprehur për problemet me trashëgiminë kulturore në vendin tonë, si dhe planet e menaxhimit që janë prezantuar nga Ministria e Kulturës, por sipas tij nuk duhet harruar, që trashëgimia kulturore shqiptare nuk u përket vetëm shqiptarëve, por i përket gjithë njerëzimit. Arkeologu Etnor Canaj shprehet me kritika për deklarimet e ministres së Kulturës gjatë konsultimit publik për planin në Durrës. Arkeologu thotë se deklarata të tilla në një vend të civilizuar do krijonin një debat dhe do cilësoheshin si të papranueshme jo vetëm prej profesionistëve të fushës, por edhe prej opinionit publik.
– Pak ditë më parë u zhvillua një konsultim publik, ku ishte e pranishme dhe ministrja e Kulturës Elva Margariti për planin e menaxhimit të integruar të zonave arkeologjike A dhe B në Durrës. Ministrja ka shprehur më pas në rrjete sociale se plani i menaxhimit të integruar të zonave A dhe B arkeologjike do të sjellë një ndryshim thelbësor për qytetin dhe qytetarët. Ju jeni specialist i fushës së trashëgimisë kulturore, arkeolog, por pse keni kritika për planin?
Sikurse jam shprehur edhe me herët, plani i menaxhimit ka shumë pika të cilat jo vetëm janë të paqarta, por mbi të gjitha bien ndesh ose, thënë më mirë, janë në kundërshtim me rregullat dhe ligjet lidhur trashëgimisë kulturore. Legjislacioni shqiptar nuk është i shkëputur nga gjithë legjislacionet e vendeve të tjera perëndimore apo demokratike ku Republika e Shqipërisë ka nënshkruar disa konventa dhe është pjesë aderente e UNESCO për trashëgiminë e saj kulturore. Janë ende të paqarta rolet e aktorëve në këtë plan, pra ndarjet midis publikut dhe privatit. Janë ende të paqarta shifrat që sillen në këtë plan se si do shpenzohen dhe për çfarë? Shkruhet për monumente të jashtëzakonshme në Durrës, por ku faktikisht ato pak monumente që kane ngelur në nivel arkeologjik nuk justifikojnë këto shifra të mëdha, të cilat sillen në tabelat të cilat i kemi cekur edhe më parë. Pra lind vetvetiu pyetja: për çfarë do shpenzohen këto shuma të konsiderueshme? Nëse në zonat arkeologjike A dhe B në Durrës do nisin gërmime sistematike arkeologjike, apo restaurimi/konservimi atëherë është diçka, por nëse në këto zona flitet për ndërtime të reja, apo rehabilitime të atyre ekzistuese, dy pikat kundërshtojnë njëra -tjetrën, ku kjo e fundit nuk ka aspak lidhje me trashëgiminë kulturore, pasi ka të bëjë më tepër me një ekspansion të tipit ndërtues apo rehabilitim-ndërtimi. Monumentet do jenë në funksion të territorit me urbanistikën e tij moderne, apo urbanistika moderne do jetë në funksion të antikitetit? Lidhur zonave të tilla që u japim shkronja alfabeti janë thjesht në nivel hipotetik, pasi nuk dimë ende se çfarë fsheh nëntoka në këto zona. Ndoshta zona B, të cilën e konsiderojmë më pak të rëndësishme mund të ruaj monumente shumë herë më të rëndësishme se zona A deri në një provë të kundërt.
– Ndërsa miratohet një rregullore e re për Durrësin, shqetësimi i banorëve janë shtëpitë që do shemben rreth amfiteatrit. Çfarë mund të na thoni?
Mendimi im është që një ndërtesë 100-200 vjeçare, ngritur mbi rrënoja të antikitetit, përpara se ta shembim duhet të konsiderojmë faktin që është pjesë e një vazhdimësie të këtij qyteti, ku këtu duhet zëri i ekspertëve, pasi kemi të bëjmë me arkitekturën e ndërtimit, kontekstin e ndërtimit, etj. Një ndërtesë e një apo dy shekujve më parë mund të jetë po aq e rëndësishme sa një objekt i dhjetë apo njëzet shekujve më parë. Por nëse kemi të bëjmë me ndërtesa, të cilat janë të jashtëligjshme, të cilat janë ngritur në këto dekadat e fundit, kjo është çështje më vete, e cila duhet të trajtohet sipas ligjeve në fuqi. Për hir të zhvillimit, a duhet të shkatërrojmë gjithçka duke bërë “tabula rasa”?
– Lidhur me debatin e nisur për menaxhimin e pasurive arkeologjike shqiptare nga privatët, Margariti u shpreh ndër të tjera që ekspertët kanë studiuar dhe konsultuar që ky plan menaxhimi mund të vendoset në jetë prej vetë Qendrës Muzeore të Durrësit dhe të ardhurat do të shkojnë në restaurim, kërkime dhe pse jo në aktivitetet që na mungojnë. Shteti, sipas saj mund të krijojë brenda vetes disa struktura më të zhdërvjellëta siç na sugjerohet për Durrësin. Çfarë mund të na thoni rreth kësaj?
Kjo është pikërisht njëra ndër pikat e paqarta, për të cilat kisha shprehur rezerva edhe më parë, pra, roli i privatit. Gjithë ky insistim për një pjesëmarrje të privatit në asetet publike dhe sidomos në trashëgiminë kulturore tregon që në nivel publik nuk i është dhënë përparësi politikave të investimit për institucionet, të cilat kanë për detyrë të merren me trashëgiminë, sikurse janë Instituti i Monumenteve apo Instituti i Arkeologjisë. Nëse Qendra Muzeore e Durrësit merr këtë iniciativë, atëherë përse mos të investohet që në këtë qendër të ekzistojë një Qendër Restaurimi me specialistë të fushës, të cilët njohin si territorin ashtu edhe problematikat? Përse Qendra Muzeore e Durrësit duhet të thërrasi privatin? Nuk shoh ndonjë zhdërvjelltësi personalisht. Dua të shtoj këtu, pra çka shprehur ministrja e Kulturës, diçka e tillë bie ndesh me pikat të cilat sillen në planin e menaxhimit, pasi burimet financiare janë të preventivuara prej subjektit, i cili hartoi këtë plan dhe fare qartë mund ti gjeni në tabelat përkatëse aty. Në cilësinë e kujt do thirret ky privat, pra cili do jetë roli i tij?
-Debati për planin e menaxhimit të dy zonave arkeologjike në Durrës po zhvillohet në një kohë kur jemi dhe në muajin e trashëgimisë kulturore. Ju dhe më parë jeni shprehur për problemet me trashëgiminë. Si e keni parë Ministrinë e Kulturës në ruajtjen, mbrojtjen e kësaj pasurie kulturore?
Para pak ditësh, gjatë konsultimit publik për planin e menaxhimit të Durrësit, Ministria e Kulturës shprehu disa opinione të veta, të cilat personalisht më lanë një përshtypje jo tejet të këndshme. Pikërisht faktit si duhen trajtuar disa monumente të antikitetit, ku sipas saj duhen mbuluar “për ti ruajtur”, pasi “ne jemi të civilizuar dhe këtë e bëjmë për fëmijët tanë”. Deklarata të tilla, të cilat mund të jenë personale të znj. Margariti dhe shpresoj të mos jenë ato institucionale, sigurisht që në një vend të civilizuar do krijonin një debat dhe do cilësoheshin si të papranueshme jo vetëm prej profesionistëve të fushës, por edhe prej opinionit publik. Sigurisht që nuk mund të ndalet zhvillimi i një vendi, por në asnjë vend të civilizuar pranohet që për hir të zhvillimit duhet të mbulojmë monumentet (me pretekstin e ruajtjes së tyre), ti shkatërrojmë apo të betonizojmë të shkuarën, përkundrazi. Dua të shtoj në këtë pikë që deklarata të tilla në nivel institucional do krijonin një precedent në lidhje me gjithë monumentet apo objektet në territorin tonë. E ardhmja nuk zhvillohet mbi kurrizin e së shkuarës. Në qoftë se këto politika të momentit mendojnë të kundërtën, atëherë le të shpallim vitin zero të lindjes së Durrësit në shekullin e sotëm dhe gjithçka kthehet në një retorikë. Mos të harrojmë që trashëgimia kulturore shqiptare nuk u përket vetëm shqiptarëve, por i përket gjithë njerëzimit!