21 Gusht 2024

Parku arkeologjik i Finiqit ka një rëndësi kryesore në aspektin historik-arkeologjik. Por zjarri që ra disa ditë më parë në park solli dhe reagime të arkeologëve dhe studiuesve të ndryshëm. Dr. Etnor Canaj arkeolog thotë se një sit arkeologjik nuk shihet vetëm në monumentet e tij, por në tërësi. Në intervistën për gazetën “SOT” dr. Etnor Canaj thotë se arkeologjia pikësëpari si bazë ka përherë respektimin e natyrës, pra ekosistemit. Ai thotë se tek ne është mendimi i gabuar që një park apo sit arkeologjik shihet vetëm tek monumentet, duke anashkaluar natyrën.

Arkeologu Etnor Canaj thotë se zjarri në parkun arkeologjik të Finiqit la një shije të hidhur, pasi është dëmtuar një ekosistem i tërë, si dhe komenton edhe deklarimet më parë të ministrit të Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit Blendi Gonxhja. Dr. Canaj që dhe më parë ka reaguar për problemet e ndryshme në trashëgiminë kulturore thotë se rëndësia e parqeve arkeologjike qëndron në aspektin kulturor, ku më pas me politika të kujdesshme vijon ai le ti kthejmë në vende të vizitueshme për publikun. Ai thotë se duhen investime në mirëmbajtje dhe restaurim, investime në kërkime shkencore në terren dhe investime në burime njerëzore.

-Zjarri në parkun arkeologjik të Finiqit solli dhe reagime të studiuesve dhe arkeologëve të ndryshëm. Por për ju si arkeolog sa dëmton kjo që ndodhi parkun arkeologjik?

Përpara se ti përgjigjem pyetjes suaj, dua të hap një parantezë të shkurtër. Do ishte e udhës që në këto raste të merremi fillimisht me shkakun dhe më pas me pasojën. Cilat janë shkaqet e zjarreve, një fenomen ky tej i përhapur në vendin tonë? Duhet të dimë që në natyrë nuk ekzistojnë flakët e lira, pra zjarri nuk lind prej asgjëje dhe duhen disa elemente që ai të lind. Sipas statistikave, vetëm 2 për qind e zjarreve lindin për arsye natyrale dhe gati 80 për qind e tyre prej dorës së njeriut. Nuk ka rëndësi në këtë rast nëse zjarret lindin qëllimisht apo aksidentalisht prej dorës së njeriut, pasi në të dyja rastet pasojat janë të njëjta dhe dëmet po ashtu. Mendoj se këtu duhet një ndërhyrje drastike në anën ligjore.

Nuk ka rëndësi nëse dikush ndez një zjarr në pronën e tij në mënyrë “të kontrolluar” për të djegur një pirg bari të thatë, shkurre apo tjetër. Këtu duhet të fokusohet ligji. Ndezja e zjarreve të lira, qofshin këto edhe të paqëllimshme, duhet të ndalet me ligj. Ndoshta nuk do parandalojë tërësisht këtë fenomen, por të paktën do tentohet të kemi ndonjë rezultat pozitiv. Gjithashtu, në anën ligjore, meqenëse ligjet egzistojnë, apo duhen modifikuar për t’u bërë sa më efikase, aplikimi i tyre duhet të jetë pa asnjë kompromis.

Sigurisht në anën tjetër duhet edhe një sensibilizim i njerëzve, por janë përherë ligjet ato që duhet të zbatohen pasi flasim për një fenomen, i cili paraqet një rrezik të lartë jo vetëm për ekosistemin, monumentet, banesat, etj, por mbi të gjitha për jetën e njerëzve. Për mua si arkeolog, sikurse çdo arkeolog tjetër apo edhe një njeri i thjeshtë, kjo çka ndodhi në parkun arkeologjik të Finiqit la me të vërtetë një shije të hidhur pasi në mënyrë të qëllimshme apo edhe jo të qëllimshme, është dëmtuar një ekosistem i tërë.

-Çfarë mund të na thoni mbi parkun arkeologjik të Finiqit si pjesë e trashëgimisë sonë kulturore?

Paraku arkeologjik i Finiqit ka një rëndësi kryesore në aspektin historik-arkeologjik pikësëpari dhe jo vetëm për trashëgiminë tonë kulturore, por edhe më tej, pasi i kalon kufijtë nacional. Finiqi, apo Phoinike sikurse njihej në antikitet, është përmendur prej autorëve antik si Polibi, i cili e ka cilësuar si një ndër qendrat kryesore të Epirit antik dhe me një fortifikim gati të pathyeshëm. Në literaturën antike  vijon të përmendet edhe prej Strabonit, Tit Livit si dhe prej Ptolemeut. Jo vetëm kaq, por edhe Prokopi i Cezaresë në veprën e tij të katërt sjell disa dëshmi interesante për këtë vendbanim, i cili do vijojë të ekzistojë edhe në antikitetin e vonë deri në Mesjetë kur në shek. XV pushtohet nga Osmanët.

Pra kemi një literaturë të dorës së parë për këtë sit arkeologjik ku gërmimet arkeologjike nisin me misionin italian nën drejtimin e L. M. Ugolini në vitet njëzetë të shekullit të shkuar, në vitet tridhjetë, shtatëdhjetë dhe nëntëdhjetë dhe vijojnë gati pa ndërprerje në këto 25 vitet e fundit. Pra kemi gërmime dhe kërkime arkeologjike në gati tetëdhjetë vite. Publikimet shkencore lidhur gjetjeve arkeologjike për këtë sit tashmë njihen në arenën ndërkombëtare dhe këtu nuk kam parasysh çka publikoi Ugolini në kohën kur jetoi dhe veproi aty, por mbi të gjitha dua të sjell në vëmendje ato publikime shkencore gati sistematike duke nisur prej arkeologëve shqiptar si Dh. Budina dhe A. Nanaj për të vijuar me ato të misionit  të përbashkët shqiptaro-italian që prej vitit 2000.

-Pas rënies së zjarrit pati dhe një reagim nga ministri i Ministrisë së Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit Blendi Gonxhja mbi inspektimin e kryer në parkun arkeologjik Finiq, ku shprehej në rrjete sociale se asnjë prej monumenteve të parkut arkeologjik të Finiqit, të cilat janë të vizitueshme nga vizitorët, nuk janë prekur nga zjarri. Sipas tij kjo për shkak se të gjithë monumentet kanë pasur një perimetër sigurie, të pastruar nga vegjetacioni dhe për këtë fakt, zjarri nuk ka avancuar për të rrezikuar dëmtimin e tyre. Si e patë këtë reagim dhe çfarë duhet bërë më shumë nga MEKI për ruajtjen e parkut në Finiq?

Kuptoj aspektin politik të daljes me këtë status në rrjetet sociale të ministrit të Ministrisë së Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, pasi nëse më lejoni një shprehje; kërkoi ti hedhi “ujë zjarrit”, por sikurse theksova edhe më lart, dëmi këtu nuk ka lidhje me monumentet, pasi sigurisht ky zjarr nuk do u sillte ndonjë dëm të madh strukturave litike, pra prej guri, zbuluar në këtë sit. Kjo pasi guri gëlqeror që të “digjet” ka nevojë për një zjarr sistematik për orë të tëra, ku nxehtësia duhet të kalojë 1000° C. Tek e fundit edhe nëse flaket do përfshinin monumentet litike, gjëja më e rëndë do ishin faqet e blloqeve të nxira, pra nuk do kishim dëme strukturale. Thënë kjo, kur flasim për dëme gati katastrofike në atë çka ndodhi në parkun arkeologjik të Finiqit ato janë në lidhje me faunën dhe florën, pra një dëm i madh në ekosistem. Është i gabuar mendimi që ishin thjesht shkurre, apo gjallesat, të cilat u zhdukën prej flakëve nuk kishin ndonjë rëndësi.

Një sit arkeologjik nuk shihet vetëm në monumentet e tij, por në tërësi dhe arkeologjia pikësëpari si bazë ka përherë respektimin e natyrës, pra ekosistemit. Asnjë arkeolog vepron në dëm të asaj çka e rrethon kur nis një gërmim dhe diçka e tillë duhet të vlejë edhe në fushat e tjera sikurse politika. Personalisht shpresoj që ky rast të merret seriozisht prej organeve përkatëse dhe të nisi një hetim pikërisht për shkakun dhe shkaktarin/shkaktarët për tu vënë përpara përgjegjësive. Gjithashtu shpresoj në deklarata sa më të përgjegjshme në sferën politike, pasi ndonjë zë cinik do thoshte ”sa me fat që na shpëtoi Biletaria”, por nuk është ky rasti në këtë intervistë.

-Sipas jush si arkeolog, si kanë qenë ndërhyrjet ndër vite për mirëmbajtjen e parkut në Finiq?

Punonjësit e këtij parku, sikurse ata të gjithë siteve të tjera, sigurisht i shoh personalisht të përkushtuar në detyrën e tyre. Marr rastin këtu të sjell atë çka shkroi edhe vetë ministri përsa i përket perimetrit të sigurisë së monumenteve. Pra kemi një mirëmbajtje në këtë aspekt. Por si perimetër sigurie unë nuk e shoh vetëm tek monumentet, pasi Finiqi, sikurse gati gjithë sitet e tjera, ka një perimetër muresh rrethues, pra atje duhet të shqetësohemi dhe ta shohim një sit arkeologjik në tërësinë e tij. Në pikëpamjen time, për të krijuar një perimetër të tillë sigurie kaq të madh, e pra, duhen investime. Këtë do i këshilloja politikës shqiptare.

-Rënie zjarri në park arkeologjik, monumente të kulturës që kërkojnë mirëmbajtje, plane menaxhimi që kanë sjellë jo pak reagimin e specialistëve të trashëgimisë kulturore duke kritikuar dhe institucionet përgjegjëse. Çfarë po ndodh sot me trashëgiminë kulturore, monumentet e kulturës në vend, për ju farë është shqetësuese në politikat që ndjekin institucionet përgjegjëse?

Pa kërkuar të bëhem retorik apo të ripërsëris atë çka kam shprehur edhe më parë, sitet arkeologjike nuk duhet të shihen vetëm si burim të ardhurash apo si politika turizmi të momentit. Rëndësia e tyre qëndron në aspektin kulturor, ku më pas me politika të kujdesshme le ti kthejmë në vende të vizitueshme për publikun. Pra investime në mirëmbajtje dhe restaurim, investime në kërkime shkencore në terren, investime në burime njerëzore, ku pikërisht do jenë këta të fundit që do mundësojnë gjithë pikat e sipërpërmendura. Gjithashtu, pa kërkuar këtu ti përgjigjem një pyetje me një pyetje tjetër: cili është pikësynimi ynë lidhur me trashëgiminë tonë kulturore, ti kthejmë në qendra turistike të momentit pa u kujdesur tepër për to, apo ti mirëmbajmë dhe tua lëmë si trashëgimi brezave të ardhshëm?

-Më parë u bë me dije se MEKI po harton planet e menaxhimit për parqet, sitet arkeologjike dhe qendrat historike, në zbatim të ligjit 27/2018 “Për trashëgiminë̈ kulturore dhe muzetë̈” dhe në funksion të përmbushjes së Objektivave për Zhvillimin e Qëndrueshëm në fushën e trashëgimisë̈ kulturore. Për ju kur flitet për plane menaxhimi, çfarë duhet synuar?

Meqenëse në këtë rast MEKI është duke hartuar, pra puna është në vijim dhe flitet për një të ardhme të afërt, le të presim atëherë këtë plan dhe ta analizojmë në një intervistë të ardhshme, pasi pa kërkuar të jem polemik dhe skeptik, gjithë planet në letër janë me të vërtetë për tu admiruar, por zbatimi i tyre është ajo që na intereson. Le të niset puna fillimisht me mirëmbajtjen, pasi ky do ishte një fillim i mbarë për gjithë objektet tona, të cilat në këndvështrimin tim kanë të njëjtën rëndësi, pasi të gjitha janë hallka të një zinxhiri historiko-kulturor.

Intervistoi: Julia Vrapi