Eurodeputeti gjerman goditje të fortë Ramës: – Po qeveris në mënyrë egomaniake, BE ta monitorojë me kujdes
15 Janar 2025
Edhe pse e mban veten si të fortë në politikën e jashtme, kryeministri Edi Rama nuk ka arritur t’i bëjë të gjithë për vete.
Sot ai është përballur me kritika të forta në Komitetin e Jashtëm të Parlamentit Europian, aty ku edhe është diskutuar për Raportimin e Komisioneres së Zgjerimit. Eurodeputeti gjerman Michael Gahler, njëherësh dhe koordinator i Partisë Popullore Evropiane (EPP) në Parlamentin Evropian, nuk është kursyer ndaj kryeministrit shqiptar, duke e cilësuar atë si një egomanjak. Ai ka kërkuar nga BE që të shtojë më shumë monitorimin ndaj qeverisë socialiste.
“Shkurtimisht për Shqipërinë, pasi kemi kryetarin e komitetit atje, ju lutem flisni kur të shkoni atje në një moment, flisni gjithashtu me një spektër të gjerë aktorësh.
Mendoj se kryeministri atje po ushtron pushtetin e tij në një mënyrë shumë egomaniake. Mendoj se kjo nuk është në përputhje me standardet e BE-së. Ju lutem hidhni një vështrim specifik për Shqipërinë. Faleminderit”, tha ai.
Ndërsa eurodeputeti tjetër, Gambino ka paralajmëruar BE-në për një vëmendje të shtuar ndaj zgjedhjeve të 11-majit në Shqipëri, duke ngritur dyshime se mundtë ketë ndërhyrje nga jashtë, pra Rusia. “Me zgjedhjet politike në Shqipëri që po afrohen në maj të këtij viti, do të ishte e dobishme për komisionin të mendojë se çfarë mund të bëhet për të shmangur çdo lloj ndërhyrjeje në këto zgjedhje nga jashtë.
Fatkeqësisht, e kemi parë këtë të ndodhë si në Gjeorgji, ashtu edhe në Moldavi”, ka thënë ai.