Europa në gjunjë/ Nga Franca në Spanjë, Itali, Holandë e Gjermani, rikthehen masat e forta!

18 Tetor 2020,

Rrugët e Parisit dhe tetë qyteteve të tjera franceze u boshatisën të shtunën në mbrëmje ndërsa u zbatua një shtetrrethim i ri.

Shtetërrethimi në Francë, ka për qëllim të frenojë rritjen e infeksioneve të cilat janë duke parë nivele alarmante ditët e fundit.

Ka pasur ankesa nga pronarët e restoranteve, bizneset e të cilëve tashmë po vuajnë pas bllokimit dy-mujor në pranverë.

Masat e reja do të njoftohen gjithashtu në Itali për shkak të një rritje të rasteve.

Italia, e cila ishte vendi i parë evropian që u godit ndjeshëm nga Covid në valën e parë, regjistroi të shtunën një numër rekord të rasteve të reja ditore.

Kryeministri italian Giuseppe Conte do të njoftojë kufizime të reja të dielën.

Media lokale tha se rregullat e reja mund të synojnë veprimtari jo-thelbësore duke përfshirë palestra, pishina dhe ngjarje sportive amatore.

Në Francë, rreth 20 milion francezë janë të prekur nga ora e ndalimit për një muaj në qytete duke përfshirë Marsejën, Lion, Lille dhe Toulouse, si dhe kryeqytetin. Rrethrrethimi hyn në fuqi nga ora 21:00 deri në 06:00 çdo natë.

Presidenti Emmanuel Macron tha se ora e ndalimit ishte e nevojshme për të shmangur rrezikun e tejkalimit të spitaleve.

Por shumë janë të shqetësuar për efektin që mund të ketë në bizneset.

“Me siguri do të ketë punonjës që do të humbin punën e tyre,” i tha agjensisë së lajmeve Reuters Stefano Anselmo, menaxher i restorantit italian Bianco në Paris. “Është një katastrofë”.

Cila është situata në Europë?

Kryeministri Sllovak Igor Matoviç ka thënë se vendi do të testojë çdo person të moshës 10 vjeç e lart për koronavirus mes një rritje të rasteve të konfirmuara dhe vdekjeve.

Qeveria deklaroi një gjendje të jashtëzakonshme në fillim të këtij muaji dhe futi kufizime të reja këtë javë – duke përfshirë ndalimin e shërbimeve të kishës dhe ngjarje të tjera masive, mbylljen e qendrave të fitnesit dhe pishinave, dhe një kalim në mësimin në distancë për shkollat.

“Testimi do të jetë falas,” -njoftoi Matovic në një konferencë shtypi, por nuk sqaroi nëse do të ishte i detyrueshëm ose vullnetar.

“Nëse ne arrijmë ta bëjmë këtë, ne mund të japim një shembull për të gjithë botën.”

Sllovakia ka një popullsi prej 5.4 milion personash.

Protestuesit sulmuan zyrat e qeverisë Sllovake të shtunën kundër masave për të ndaluar përhapjen e Covid-19.

Turma, e përbërë nga rreth 500 neonazistë dhe tifozë hardcore futbolli, hodhën shishe dhe gurë në ndërtesën në kryeqytetin Bratislavë.

Në Gjermani, Kancelarja Angela Merkel u ka kërkuar njerëzve që të qëndrojnë në shtëpi ndërsa rastet e Covid vazhdojnë të rriten.

“Ne duhet të bëjmë gjithçka për të parandaluar që përhapja e virusit të dalë jashtë kontrollit”, -tha ajo për një podcast video javore.

“Çdo ditë ka rëndësi. Takohuni me më pak njerëz, qoftë në shtëpi apo jashtë. Ju lutemi të anuloni çdo udhëtim që nuk është absolutisht thelbësor, çdo tubim që nuk është absolutisht thelbësor. Qëndroni në shtëpinë tuaj, atje ku është e mundur.”-tha Merkel.

Spanja pa 11,000 më shumë vdekje midis korrikut dhe tetorit sesa në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, sipas gazetës El Pais. Ky është dyfishi i numrit të vdekjeve Covid të raportuara në këto muaj – numri zyrtar nga ministria e shëndetësisë është rreth 5400.

Në Hollandë, familja mbretërore Hollandeze ka ndërprerë një pushim në Greqi mes kritikave të forta. Ata filluan udhëtimin e diskutueshëm menjëherë pasi qeveria futi një bllokim të pjesshëm dhe i nxiti njerëzit të udhëtonin sa më pak të ishte e mundur.

Në një deklaratë, Mbreti Willem-Alexander dhe Mbretëresha Maksima thanë: “Ne i shohim reagimet e njerëzve ndaj raporteve të medias. Ata janë intensivë dhe ndikojnë tek ne. Ne nuk duam të lëmë asnjë dyshim për këtë: ta fusim virusin Covid-19 nën kontrolli, është e nevojshme të ndiqni udhëzimet. Diskutimi i festës sonë nuk kontribuon në këtë “.

Cilat janë kufizimet në Evropë?

Të enjten, Polonia caktoi zona të kuqe ku do të mbyllen shkollat ​​dhe palestrat, përfshirë kryeqytetin Varshavë

Shkollat ​​në rajonin jugor të Italisë të Kampanisë, përfshirë qytetin e Napolit, do të mbyllen për dy javë

Në Gjermani baret dhe restorantet në zona me rrezik më të lartë duhet të mbyllen herët

Në Portugali, qeveria tha që mbledhjet do të ishin të kufizuara në pesë persona nga e enjtja. Dasmat dhe pagëzimet mund të marrin pjesë deri në 50 persona, por ahengjet universitare do të ndalohen

Katalonia gjithashtu tha që restorantet në rajonin spanjoll do të lejohen vetëm të shërbejnë në shtëpi. Palestrat dhe vendet kulturore do të lejohen të veprojnë me kapacitet 50%, ndërsa dyqanet dhe qendrat e mëdha tregtare duhet të kufizohen në kapacitetin 30%

Në Hollandë, të gjitha baret, restorantet dhe kafenetë u mbyllën në 14 Tetor, familjet mund të kenë maksimumi tre mysafirë në ditë

Lëvizja është e kufizuar në kryeqytetin rus Moskë dhe nga e hëna shkollat ​​e mesme (për fëmijët e moshës 13-18 vjeç) do të mbyllen.

Dritare.net