Europa “piqet” nga vapa. – Temperaturat pritet të shkojnë 48 gradë
11 Korrik 2023
I nxehti ekstrem intesifikohet në Europë. Spanja po përballet me temperature ekstremisht të larta dhe për këtë autoritetet kanë ngritur alarmin në 34 provinca.
Sipas Agjencisë Shtetërore Meteorologjike të Spanjës vala e nxehtësisë përvëluese ka prekur më shumë se 36 milionë banorë në 13 nga 17 rajonet e vendit. Vlerat termike arritën në 44 gradë Celsius në provinca si Cordoba, Jaen dhe Granada.
Dy persona kanë humbur jetën në Spanjë për shkak të temperaturave të larta. Agjencia e motit AEMET u ka bërë thirrje banorëve të shmangin aktivitetet ndërsa të moshuarit dhe fëmijët të shmangin lëvizjet në orët e pikut.
Temperaturat në Itali sipas ekspertëve mund të thyejnë një rekord përgjatë kësaj jave. Në disa rajone temperaturat mund të arrijnë në 48 gradë Celsius, kryesisht në ishujt e Siçilisë dhe Sardenjës ku i nxehti mund të arrijë kulmin. Kjo është vala e parë e madhe e të nxehtit që prek Italinë këtë vit.
Temperaturat e larta priten të prekin edhe Greqinë, ku Observatori Kombëtar i Athinës parashikon se ato do të arrijnë një mesatare prej 42C dhe 43C. Vala e të nxehtit, e para këtë verë, është planifikuar të arrijë kulmin të premten, megjithëse sinoptikanët parashikuan se moti ekstrem mund të shkaktojë zjarre.
Autoritetet në Greqi kanë lëshuar një paralajmërim për punëtorët, të moshuarit dhe fëmijët që mos të punojnë dhe mos dalin nga shtëpia para orën 17:00. Gjithashtu i nxehti ka përfshirë edhe Francën juglindore me temperatura maksimale prej 37°C-38°C.
Një paralajmërim për të nxehtin ekstrem është në fuqi në tetë rajone të Polonisë. Autoritetet gjithashtu kanë paralajmëruar polakët që të qëndrojnë vigjilent. Ndërkaq një studim i fundit nga institutet evropiane të shëndetësisë tregon se se 61,600 njerëz humbën jetën për shkak të nxehtësisë në 35 vende evropiane nga fundi i majit deri në fillim të shtatorit 2022.
Studimi , i botuar në revistën ‘Nature Medicine’, zbuloi se vendet mesdhetare Greqia, Italia, Portugalia dhe Spanja panë shkallën më të lartë të vdekjeve sipas numrit të popullsisë.
Gazeta Dita