Nga Ajet Nallbani. –

Udhëtari i njohur erudit turk, Evlija Çelebiu, kur vizitoi qytetin e Beratit në shek. 17 e përshkoi atë si qytet kodrinor me shtëpi të bardha në trajtë kubi, ku vepronin punishte ndërtuesish me një kryearkitekt “Mimar Agasi”. Për të kuptuar vazhdimësinë e kësaj arkitekture kryem hulumtime në Berat, Elbasan dhe Opar, duke arritur në përfundimin se Berati barte vlerën e madhe të truallit ku kryqëzoheshin tri stilet kryesore të ndërtimit shqiptar, Dibrës, Beratit dhe Korçës.
Shembujt e skalitur në mermer, të shekujve VI- XVIII të e.s të gjetur nëpër banesat ose muzeumet si: fragmenti i frizit i shek. VI (gjetur tek Hysen Qalliu në lagjen “Murat Çelepi”), zbukurimet nga Onufri e Nikolla të punuara rreth afreskave në kishën e Ungjillizmit, Shën Todrit e Shën Mëri Vllahemës, të shek. XVI, punimet e trashëguara me kostumet popullore, orenditë dhe arkat e nuseve me pisha e shqiponja dykrenare për kulturën dhe interesimin e beratasve ndaj zbukurimores arkitekturore.


Pas largimit të mjeshtërve beratas në drejtim të Turqisë, Ahmet Kurt Pasha iu drejtua mjeshtërve të shquar kolonjarë dhe operakë. Kujtesa popullore hedh dritë mbi këtë çështje si më poshtë. Ahmet Kurt Pasha deshi të ngjiste ujët e Mbreshtanit në kala dhe e pruri atë me tubacione qeramike deri te ura e Osumit. Këtë ndërmarrje e sabotoi një nga njerëzit e tij dhe puna u la. Kështu lindi grindja me Velabishtin që shkaktoi largimin e mjeshtërve vendas. Ahmet Kurt Pasha ishte dashurues i veprave të arkitekturës dhe artit. Këtë mendim e përforcojnë poezitë e shumta të shkruara në muret e Teqesë Helvetive nga poetë bertas të kohës si: Irzi, preudonimi i Sheh Hasanit, Zihniu e të tjerë, të cilët e quajnë pashanë “gjenial” dhe për tavanin e teqesë shkruajnë:”Sikur piktori kinez të kish parë këtë pikturë, që i shëmbëllen Saturnit, do të ish përulur para saj dhe do të kish pohuar paaftësinë e tij”. Ky poet që e njihte astronominë e re, e cila në atë kohë sapo kishte zbuluar Saturnin, pati të drejtë në krahasimin e tij: tavani me rradhët e pikturuar i ngjan këtij planeti.


Në fillim u ndërtua pallati i sundimtarit, prej të cilit ka mbetur porta e madhe, vepër e gjyshit të usta Naum Ngjelës e skalitur sipas stilit të ikonobartësit të Perondisë, që ngjan me simotrat e veta të shek. 18 në Voskopojë, Vithkuq, Kolonjë e Bregdet. Pas pallatit pashai urdhëroi rindërtimin e Teqesë së Helvetive e për këtë qëllim thirri usta Dush Barkën nga Misrasi i Oparit. Ai sipas të dhënave gojore të kësaj zone, veç rikonstruksionit të Teqesë së Helvetive kryer me 1782- 1783, skaliti motivet e gurta mbi fasadë, pjesët e drunjta dhe stalagtitet e mihrabit, të afërta me stalagtitet e shek. 16 në gjithë Shqipërinë, (të tilla shihen edhe në xhaminë e Plumbit në Berat). Ky usta kreu më vonë dhe rindërtimin e hajatit të xhamisë “Mbret”. Ne gjetëm të njëjtën vulë të Salomonit, që përsëritet në këto dy objekte, mbi murin e një kulle në Gjonbabas të Oparit, që sipas kodeve sekrete të mjeshtërve është zgjedhur si firmë e grupit të punës. Përsa i përket pikturës dekorative ajo është realizuar sipas stileve hahai e rumi (barok e rokoko orientale) nga i njëjti grup që punoi edhe ne brendinë e banesës së Zekatëve në Gjirokastër.