
Fabrika e armëve/ Banorët e Shkozës të alarmuar: – Nëse ndërtohet këtu do braktisim shtëpitë. S’kemi ku të jetojmë
28 Mars 2025
Vendimi i zv/kryeministres Belinda Balluku për të kthyer ish-Uzinat e Autotraktorëve në zonën e Shkozës në punishte për prodhimin e armëve luftarake dhe municioneve, ka alarmuar banorët e zonës.
Qytetarët janë ankuar në News24 për atë që është planifikuar të ndodhë javët në vijim, nëse Qeveria nuk reflekton.
Gjatë intervistës në studio me Dhurata Çupin, deputete e PD dhe ish-drejtore Juridike në Bashkinë e Tiranës, një banor i Shkozës dërgoi një mesazh në News24. Qytetari shprehet i shqetësuar për vendimin e Ballukut për të ndërtuar në Shkozë një fabrikë të prodhimit të armëve.
Mesazhi i qytetarit live: “Nëse ndërtohet kjo fabrikë këtu, unë do të largohem nga zona. Se ku do të jetoj nuk e di, por do të jetë e vështirë”.
Kandidatja e PD në zonën e Shkozës, Dhurata Çupi u shpreh se shqetësimi i qytetarëve është i drejtë. Sipas saj, fabrika e armëve në një zonë të banuar shndërrohet në një rrezik për jetën e tyre.
Dhurata Çupi: Është e rrezikshme. Kur dëgjon shqetësimin e një qytetari dhe kur dëgjon një histori të mëparshme, të Gërdecit patjetër, frikësohesh.